E shtunë, 18 Maj, 2024

ANALISTËT: ATY KU PËRJASHTOHET KOSOVA EDHE SHQIPËRIA NUK DUHET TË MARRË PJESË

Mini-Shengeni ballkanik ka hapur debate në opinion. Analistët vlerësojnë se kjo nismë, pavarësisht se krijon lehtësime në disa fusha, në të njëjtën kohë krijon edhe hegjemoni në rajon. Sipas tyre, në nismat që nuk përfshihet edhe Kosova, Shqipëria nuk duhet të marrë pjesë.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Projekti për krijimin e “Mini-Shengenit ballkanik”, i cili synon bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik, bazuar në modelin e Bashkimit Evropian për të hequr pengesat për biznesin dhe për të mundësuar qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve, ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Analistët politikë janë shprehur kundër një ideje të këtillë që sipas tyre favorizon pozicionin e Serbisë në rajon. Nismat e këtilla pa një përfshirje të Kosovës vlerësohen si të dëmshme, ndërkohë që analistët kërkojnë që të mos pjesë as Shqipëria në nisma të tilla që e përjashtojnë Kosovën.

Takimi i udhëheqësve të vendeve ballkanike, presidentit serb Aleksandër Vuçiç, kryeministrit shqiptar Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryetarit të këshillit të ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe ministres së Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliq ishte një rast për përafrimin e ideve të tyre. Duke komentuar takimin e djeshëm mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe presidentit serb në Ohër rreth “Mini – Shengenit ballkanik”, analisti Selim Ibraimi thekson se përveç pikave pozitive që mund të ketë në lirinë e njerëzve dhe tregtinë rajonale, mungesa e Kosovës në këtë takim flet për siç shprehet Ibraimi, hegjemoni të shekullit të 18-të. Ai thekson se ky union ka ardhur si reflektim i dështimit të datës dhe forcimit të apetiteve të këtyre shteteve për një union më ndryshe. Ibraimi thotë se për të pasur një Ballkan të shekullit 21, shtetet duhet të realizojnë reforma të mëdha dhe të njëjtat të zhdukin aferat dhe format e tjera kriminale që ndikojnë në proceset demokratike.

“Ka disa efekteve negative siç është mospjesëmarrja e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, pa këta të dyja shtetet nuk mund të kemi një Ballkan të shekullit 21, por një Ballkan të shekullit 18, ku nacionalizmi dhe hegjemonia e shteteve më të mëdha ekonomike dhe politike do të mbisundonin tregjet dhe politikat e shteteve me kapacitete me të vogla. Prandaj ky format duhet parë më tej se si do të zhvillohet”, thotë analisti Ibraimi.

Për njohësin e çështjeve politike në vend Naser Ziberi çdo iniciativë që e përjashton Kosovën, Shqipëria nuk duhet ta pranojë.

“Serbisë i jepet një lidership në një iniciativë të këtillë. Shqipëria, shqiptarët, por edhe Maqedonia nuk duhet t’ia japin një shansë Serbisë. Në çdo iniciativë që përjashtohet Kosova nuk duhet të jenë dakord”, thotë Ziberi.

Ish ministri i Financave Xhevdet Hjaredini thotë se këto barriera mund të tejkalohen me bashkëpunim ekonomik.

“Me bashkëpunim ekonomik, pa u liruar tregjet do ketë pasoja. Në tregjet e lira më i forti bëhet akoma më i fortë. Duhet të zgjidhet çështja e Kosovës. Dhe nëse nuk zgjidhet me fuqinë e Amerikës është në dëm të vendeve të rajonit”, thotë Haredini.

Takimi i radhës do të mbahet më 21 dhjetor në Durrës, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, iu bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë pjesëmarrës.

Të fundit