E martë, 10 Dhjetor, 2024

Goditje Johnsonit: Vendimi për pezullimin e Parlamentit – “i paligjshëm”

Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar konstatoi se vendimi i kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson, për të pezulluar punën e Parlamentit ka qenë i paligjshëm dhe se legjislatura mund të mblidhet kur të dëshirojë.

Duke lexuar vendimin e 24 shtatorit, kryetarja e Gjykatës Supreme, Brenda Hale, tha se të 11 gjykatësit u pajtuan me vendimin.

“Vendimi për të këshilluar Madhështinë e saj për pezullimin e Parlamentit ishte i kundërligjshëm, sepse kishte efektin e frustrimit ose të pengimit të kapaciteteve të Parlamentit për të kryer funksionet e tij kushtetuese, pa një justifikim të arsyeshëm”, tha Hale.

“Parlamenti nuk i ka ndërprerë punimet… I takon Parlamentit, veçanërisht kryetarit, të vendosë se çfarë të bëjë tutje”, shtoi ajo.

Vendimi i Johnsonit për të pezulluar punën e Parlamentit nga 10 shtatori deri më 14 tetor është kritikuar fuqishëm nga shumë ligjvënës, si të opozitës, ashtu dhe të Partisë së tij Konservatore, si dhe nga analistët, të cilët e kanë interpretuar si përpjekje për të kufizuar debatin në prag të 31 tetorit – afat kur duhet të ndodhë Brexit-i, apo kur Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian.

Parlamenti britanik nuk i ka miratuar ende kushtet për Brexit dhe Johnson ka thënë se ai do ta nxjerrë vendin e tij nga BE-ja në afat, me ose pa marrëveshje.

Vitin e kaluar, paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur marrëveshje me BE-në për Brexit-in, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti – çfarë e ka detyruar Mayn të japë dorëheqje.

Kundërshtimet e marrëveshjes kanë pasur të bëjnë kryesisht me politikat që i parashihte në kufirin me Irlandën.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian, pas disa takimeve të mbajtura javën e kaluar, kanë thënë se Britania nuk ka dalë ende me propozime që do t’i zëvendësonin këto politika.

Data për Brexit është shtyrë dy herë. Institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë BE-në pa marrëveshje.

Pezullimi i punës së Parlamentit është miratuar nga Mbretëresha Elizabeth, e cila politikisht është neutrale. Por, ajo ka vepruar sipas këshillës së kryeministrit, ashtu siç kërkohet të bëjë me Kushtetutë.

Kryetari i Parlamentit britanik, John Bercow, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Supreme dhe tha se Parlamenti “duhet të mblidhet pa vonesa”.

Qeveria britanike tha se “aktualisht është duke e shqyrtuar aktgjykimin”.

“Unë nuk mendoj se ky është vendim i duhur. Pezullimi i prorogimit është përdorur me shekuj, pa këtë lloj sfide”, tha Johnson.

Udhëheqësi i Laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn, tha se aktvendimi tregon “përbuzjen” e Johnsonit për demokracinë dhe e ftoi kryeministrin që të shqyrtojë pozicionin e tij./REL

Të fundit