Bota e sotme ka nevojë për forma të reja të qeverisjes, në gjendje të përballojnë ndryshimet epokale që po ndodhin; debati sapo ka nisur, do të kërkojë kohë dhe mbi të gjitha aftësi e burra shteti, që në këtë fazë historike po vonojnë të shfaqen
Në një epokë të karakterizuar nga paaftësia dhe spektakolarizimi i politikës, si instrumenta të konsensusit dhe legjitimimit, një pyetje e rëndësishme është, nëse koncepti i demokracisë është lënë pas tashmë, dhe nëse zgjedhjet janë me të vërtetë në gjendje të garantojnë të drejtën për të qenë të qeverisur nga udhëheqës të përgatitur, dhe të aftë të marrin vendime të ponderuara, që janë të orientuara nga e mira kolektive, dhe jo interesi i pak njerëzve.
Tema e qeverisjes së mirë dhe e formimit e përzgjedhjes së klasës politike, ka qenë gjithmonë në qendër të spekulimit filozofik kinez, mbi të gjitha në fushën konfuciane, ku dallimi mes funksionarit publik dhe udhëheqësit politik nuk ka qenë asnjëherë i qartë. Janë çështje komplekse, që prekin nga afër realitetin ku jetojmë, gjithnjë e më i prirur drejt formave joliberale të qeverisjes. Kështu që, duket se vjen në momentin e duhur botimi nga ana e Luiss University Press, i librit të Daniel A. Bell: “Modeli i Kinës. Meritokracia politike dhe limitet e demokracisë”.
I botuar në Amerikë katër vjet më parë, libri është kritikuar fort dhe autori, i njohur për pozicionet e tij filo-kineze, ka heshtur. Merita e Bell është se ka përshkruar “modelin kinez” për lexuesit në Perëndim dhe ka ngritur pyetje të rëndësishme, mbi të ardhmen e demokracisë. Bell nuk propozon të përqafohet në tërësinë e tij modeli kinez, që gjithësesi është i paeksportueshëm jashtë kontekstit të vet, por që të vlerësohet nëse disa elemente – parasëgjithash meritokracia politike – mund të shfrytëzohen për të përmirësuar sistemin demokratik liberal, i cili ka vështirësi në përshtatjen me kohët e sotme. Për se bëhet fjalë?
E fillojmë duke thënë se klasa politike kineze është ndër më të përgatiturat në botë. Sistemi i rekrutimit është në fakt i ndërtuar për të pikasur dhe përzgjedhur më të mirët, asgjë nuk i lihet improvizimit: ideja që persona pa të dhënat e domosdoshme dhe pa përvojë menaxhimi politiko-adiministrativ mund të marrin përgjegjësi në qeverisje, qoftë edhe në nivel lokal, as nuk merret në konsideratë, sipas një tradite që në Kinë është disashekullore.
Parakushte për të hyrë në një karrierë politike janë zotërimi i një diplome, kalimi shkëlqyeshëm i disa testeve mbi sjelljen dhe provimeve tejet përzgjedhëse, si dhe mbulimi për të paktën 2 vite, i një detyre në aparatin lokal të qeverisjes. Duket e vetëkuptueshme, por e dimë mirë që nuk është. Llogaritet edhe anëtarësimi në Partinë Komuniste, e cila i rekruton anëtarët e vet mes studentëve më premtues në universitete. Sa më shumë rritesh në nivel, aq më të forta bëhen kërkesat.
Karriera nis në nivel periferik, në komitetet e fshatrave apo lagjeve, më pas vazhdon në administratën e komunës, kontesë, prefekturës dhe provincës, për të vijuar më tej me një rol të rëndësishëm në aparatin qendror, ku për të mbërritur nevojiten disa dekada punë e palodhur.
Në këtë rrugëtim të gjatë, funksionari politik dërgohet që të plotësojë përgatitjen në shkollat e partisë dhe në universitetet më të mira, edhe jashtë vendit, dhe duhet t’u nënshtrohet vlerësimeve periodike për të verifikuar dhuntitë, aftësitë intelektuale dhe të lidershipit, profilin etik, aftësitë sociale, kompetencën dhe përvojat.
Eshtë llogaritur se, nga shtatë milion nëpunës në shërbim, vetëm 1 në 140 mijë arrin në nivel province apo ministrie, dhe vetëm një numër shumë i vogël mbërrin në nivelet më të larta.
Meritokracia politike e stilit kinez që Bell e quan “meritokraci demokratike vertikale” konsiston pra, në një sistem tejet të organizuar dhe konkurues, strukturuar mbi bazën e parimit “demokraci poshtë, eksperimentim në mes dhe meritokraci në krye”, që nuk i mundëson ngjitjen kujtdo: në nivel lokal, kandidatët përzgjidhen përmes zgjedhjeve të lira (shtylla e parë e modelit), ku përgjithësisht pjesëmarrja është e lartë, afro 90 përqind. Me ngritjen në hierarki, faktorë përcaktues për vazhdimin e karrierës, bëhen profili etik, aftësitë dhe rezultatet e arritura në menaxhimin e gjësë publike. Eksperimentimi mes nivelit lokal dhe nivelit qendror (shtylla e dytë) u mundëson funksionarëve lokalë dhe të ndërmjetëm si dhe autoriteteve qeverisëse, që të verifikojnë se cilat politika inovative të zbatuara në mënyrë eksperimentale në disa zona të vendit, mund të përshtaten në nivel kombëtar. Procesi i reformimit që nisi në fundin e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, bazohet mbi këtë parim, i cili ka rezultuar të jetë faktori vendimtar i politikës së ndryshimit dhe modernizimit të sistemit politik, social dhe produktiv.
Realizimi i një modeli të tillë, në dukje i paqortueshëm, në realitet nuk ka qenë pa denoncime abuzimesh, përhapje korrupsioni dhe afirmim të një qeverie gjithnjë e më autoritare dhe shtypëse.
Kalimi nga teoria në praktikë, ka qenë më problematik se sa parashikohej, edhe më shumë se sa zbatimi në demokracitë liberale, i sistemit të bazuar në konceptin “një person, një votë”, që në fakt mbart zhvlerësimin e aftësisë dhe meritës (shpesh të konsideruar si armiq që duhen luftuar), dhe që duhet të përballet me shfaqjen e prirjes së natyrshme të njerëzve në majat e pushtetit, që ta ushtrojnë atë në mënyrë personale. Janë faktorë që përcaktojnë shfaqjen e formacioneve politike të papërgatitur dhe të papërshtatshëm që, me të ardhur në pushtet, kanë prirjen të promovojnë interesat e tyre në dëm të së mirës së përbashkët, dhe që e bazojnë arsyen e vetë ekzistencës së tyre, mbi mbrojtjen dhe ruajtjen me çdo kusht të pozicionit dhe privilegjeve që gëzojnë.
Bota e sotme ka nevojë për forma të reja të qeverisjes, në gjendje të përballojnë ndryshimet epokale që po ndodhin; debati sapo ka nisur, do të kërkojë kohë dhe mbi të gjitha aftësi e burra shteti, që në këtë fazë historike po vonojnë të shfaqen.
La Lettura – Bota.al