E premte, 13 Dhjetor, 2024

A DO TË JETË TETORI MUAJI I NEGOCIATAVE ME BE-NË?

Presidenti Stevo Pendarovski, ka kërkuar më tëpër angazhim nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, për të bindur faktorin ndërkombëtar për fillim të negociatave. Ai ka theksuar se në parim është për zgjerim me të gjitha vendet e Ballkanit. Tetori mbetet muaji që do të përcaktojë nëse bisedimet do të hapen këtë vit ose jo.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Qershori ishte muaj dramatik për hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut. Përkundër shumë paralajmërimeve, data për hapjen e negociatava me BE-në është zhvendosur për në tetor. Një mos përputhje konceptuale mes vendeve anëtare të BE-së ka lënë në pritje për disa muaj Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në aspiratën e tyre për të çelur negociatat.

Por, me gjasë edhe muaji tetor mbetet me shumë të panjohura. Hapja e negociatave do të varet nga perceptimi i zhvillimeve brenda kohës në të dy vendet, ndërkohë që Komisioni Europian me kohë kishte rekomanduar për fillim të negociatave. Faktorët politik në vend, tashmë nëpërmjet deklaratave po i japin shtytjen e fundit senzibilizimit për hapjen e negociatave.

Presidenti Stevo Pendarovski ka theksuar se edhe Maqedonia e Veriut, por edhe Shqipëria, duhet punuar me përkushtim për të bindur faktori ndërkombëtar për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendeve në BE. Sa i përket çështjes së bisedimeve Kosovë-Serbi, ai ka theksuar se jo çdo zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës do të jetë e përshtatshme edhe për rajonin.

“Jo çdo zgjidhje midis Beogradit dhe Prishtinës, sidomos ajo që nënkupton ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është e mirë edhe për rajonin. D.m.th të gjithë ne duhet ta mbështesim tezën, pikën e parë, për çfarëdo zgjidhje të merren vesh dhe e dyta kjo zgjidhje duhet të kontribuojë në sigurinë rajonale, dhe jo ta lëkundë sigurinë dhe stabiltetin rajonal”, ka theksuar Pendarovski.

Lidhur me anëtarësimin e vendit në NATO, presidenti Pendarovski ka theksuar se , thuajse 100 përqind nga Maqedonia e Veriut është në NATO dhe se pritet vetëm formimi i qeverisë në Spanjë që punët të përfundojnë në dhjetorë.

Presidenti Pendarovski duke folur për fillimin e negociatave me BE ka theksuar se detyra e përbashkët e të dy vendeve Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është që ta bindim faktorin ndërkombëtarë se duhet të marrim datë për negociata. “Në pjesën e marrjes së datës mendoj se është e rëndësishme të përmend një gjë, kjo çështje është përsëritur, debatuar dhe analizuar shumë shpesh, rreth veçimit të mundshëm të Maqedonisë së Veriut, detyra juaj nuk është të agjitoni për ndarjen, detyra jonë gjithashtu nuk është t’u tregojmë evropianëve se duhet të na ndajnë. Në parim duhet të jemi për zgjerim me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Unë në disa takime muajt e fundit insistoj që edhe Bosnja e Hercegovina të mos harrohet sepse është shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor edhe pse neve nuk na duket kështu”, tha theksuar Pendarovski.

Pavarësisht nga deklarimet shpehherë të mospërputhshme, krerët e politikës në Maqedoninë e Veriut mbeten të përcaktuar për hapje të përbashkët të negociatave të dy vendeve me BE-në. Në këtë drejtim ka qenë edhe prononcimi i ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, i cili jo tërësisht është pajtuar me një deklaratë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Dimitrov duke komentuar një deklaratë të kryeministrit Rama javë më parë theksoi se qendrimi i tij nuk përputhet plotësisht me vizionin e rajonit ku suksesi i njërit u ndihmon të gjithëve. Ai theksoi se të gjitha vendet duhet të angazhohen për të pasur dinamikë pozitive. “Mendoj se duhet të përpiqemi, mendoj se është e qartë, kjo na përshtatet politikisht, vizioni ynë për rajonin është të ecim të gjithë përpara, skenari më i mirë është dy nga dy, megjithatë presim mirëkuptim dhe mbështetje nga vendet fqinje, sepse nënkuptohet që dy është më mirë se një, dhe një është më mirë se zero”, ka theksuar, Dimitrov.

Nga ana tjetër, në opinion janë shfaqur mendime se çështja e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE shumë do të varet edhe nga dinamikat e brendshme. Skandali “ Zhvatja” vlerësohet se mund t’i komplikojë punët për fillimin e bisedimeve. Pikërisht me këtë skandal ndërlidhet edhe fati i Prokurorisë Speciale Publike që mendohet si një ndër kushtet që duhet të përmbushet para tetorit. Fati i kësaj prorukrorie do të varet nga vullneti për të miratuar ligjin në parlament edhe pse akoma nuk dihet se çfarë statusi do të ketë tashmë PSP.

Brenda kohës ka pasur përplasje politike mbi ligjin për Prokurorinë Publike. Nuk dihet akoma nëse partitë politike do ta tejkalojnë vetveten që t’I japin një zgjidhje ligjore PSP-së, e cila si institucion ka për mision luftën kundër krimit dhe korrupsionit, tashmë jo vetëm të funksionarëve të imlikuar nga pushteti i mëhershëm por edhe të funksionarëve të pushtetit aktual.

Të fundit