E premte, 19 Korrik, 2024

STAVREVSKI GATI PËR BANKËN POPULLORE: A PO RIKTHEHET GARDA E GRUEVSKIT?

Ish-ministri i Financave, Zoran Stavrevski, pritet të jetë guvernator i ardhshëm i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut. Ai ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili nga 2018 ka ikur në Hungari për të mos vuajtur dënime me burg për vepra të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin, raporton KDP.

Stavrevski prej vitesh nuk dilte në publik dhe thuajse u largua nga jeta publike. Megjithatë, para një viti ai filloi të shkojë në selinë e VMRO-DPMNE-së, në kohën kur sondazhet paralajmëronin fitore të sigurt.

Nga partia thonë se Mickovski e ka ngarkuar që t’i bëjë buxhetet e komunave që kanë 2 vite me kryetarë nga VMRO DPMNE dhe të kontrollojë se si i shpenzojnë paratë e qytetarëve. Stavrevski çdo ditë vinte në punë në selinë e partisë, kishte në dispozicion një shofer dhe një automjet nga partia, dhe shkonte çdo mëngjes në Pallatin e Bardhë.

Ai dyshohet se është në krye të negociatave për miliardin e premtuar nga Mickovski, i cili i tha se nuk është kredi bankare, por kredi nga një qeveri e huaj me kamatë shumë të favorshme. E derisa Stavrevski bënte një projeksion se si do të shpenzohej kredia miliardëshe, për të cilën Mickovski ende nuk i tregon shtetit dhe për përqindjen e së cilës premton një normë shumë të favorshme të interesit, sipas burimeve në qarqet bankare, Mickovski gjoja ishte duke e përgatitur atë për guvernator të ri.

Edhe pse ishte ministër i financave në periudhën e keqpërdorimeve më të mëdha në kabinetin e Gruevskit, megjithatë Stavrevski kaloi pa asnjë ballafaqim në gjyq me drejtësinë.

Të fundit