Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta zhvilloi këtë të enjte mbledhjen e tij të parë, i përqendruar totalisht në aspektet procedurale. Sipas rregullores së Kuvendit dhe ligjit për komisionet hetimore, Presidenti i Republikës është i detyruar të paraqitet në një seancë kur të thirret nga Kuvendi.
Sipas të gjitha gjasave, Meta do të thirret në shtator për të mbrojtur qëndrimin e tij, e nëse ai nuk pranon të marrë pjesë, atëherë mund të thirret me forcë.
Në mbledhje u caktuan se relatorët do të jetën Halit Valteri dhe Alket Hyseni, ndërsa Klotilda Bushka do të jetë sekretarja e komisionit.
Raportin me gjetjet për shkarkimin e Presidentit pritet që të mbërrijë kështu në Kuvend në vjeshtë dhe brenda pesë ditës nga votimi, për të cilin socialistët duket deri tani se i kanë votat, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet për verdiktin përfundimtar.
Maxhoranca socialiste listoi të hënën në mbrëmje një sërë shkejesh që Meta ka bërë ndaj Kushtetutës. Sipas deputetëve socialistë ai ka cënuar parimin e ushtrimit të sovranitetit nga populli, është sjellë në mënyrë arbitrare me pushtetin si President i Republikës ,ka cënuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur duke anulluar me dekret zhvillimin e tyre në 30 qershor.
Kryeministri Rama e cilësoi qëndrimin e Metës një „ofensivë destruktive kundër zgjedhjeve dhe drejtësisë”.” Presidenti Meta është armik i hapur i Kushtetutës, armik i vetëdeklaruar i Parlamentit, politikani i frikësuar nga reforma në drejtësi. Ai është burim destabiliteti politik, institucional. Shkarkimi i tij është detyrë e ҫdo deputeti”, tha Rama.
Në një deklaratë para fillimit të seancës plenare në mbrëmjen e të hënes, Presidenti Meta theksoi qëndrimin e tij të njohur tanimë se dekreti i tij për anullimin e 30 qershorit si datë e zhvillimit të Lokaleve 2019 është në mbështetje të plotë të Kushtetutës dhe parimeve themelore që ajo mbron”. Meta përsëriti alternativën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale më 13 tetor, pasi “zgjedhjet Lokale, që u zhvilluan më 30 qershor nuk ekzistojnë ligjërisht”.
Miratimi i ngritjes së komisionit të posaҫëm hetimor u bë me 101 vota pro dhe 6 kundër. Shkarkimi i Presidentit bëhet me shumicë të cilësuar votash që do të thotë 94 vota në parlamentin prej 140 deputetësh. Votimi pritet të bëhet pas 3 muajve, kur 9 anëtarët e Komisionit të sapongritur hetimor do të paraqesin në Parlament raportin e tyre. Por verdiktin përfundimtar për shkarkimin ose jo të Presidentit Meta do ta japë Gjykata Kushtetuese, që në Shqipëri nuk është funksionale. Anëtarët e saj, kanë dalë jashtë sistemit nga vetting-u para më shumë se një viti dhe ende nuk ka kandidatura gjykatësish që të kenë kaluar sitën e vettingut për t’i zëvendësuar ata.