E shtunë, 5 Tetor, 2024

Tre interpretime për datën e re të Metës

Shkruan: Andi BUSHATI

 

Shpallja e një dekreti tjetër presidencial për 13 tetorin, si data e re e zgjedhjeve lokale, megjithëse faktikisht do të injorohet nga shumica parlamentare, ka më tepër një vlerë politike. Në kushtet e një krize të thellë institucionale dhe shoqërore ai është nxjerrë për tre arsye kryesore.

Ilir Meta doli sot përpara publikut për të shpëtuar nga përgjegjësia që kanë përpara militantëve të tyre liderët e tredhur të opozitës. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, që i nxitën pasuesit e tyre të hedhin molotovë, të djegin KZAZ, të përleshen me policinë dhe të bëjnë burg në emër të rrëzimit me ç’do kusht të Edi Ramës, të shantazhuar nga dosjet e tyre të së shkuarës, kanë bërë një prapaktheu të frikshme. Ata kanë zbutur fjalorin, kanë rrumbullakosur qëndrimet dhe janë shndërruar, nga kandidatë për huliganë, në lypsa të paqes, në 30 qershor.

Por, këto pirueta mashtruese rrezikojnë ta shkërmoqin edhe atë pak besim që ata gëzonin mes mbështetësve të opozitës. Ata që kanë mbajtur mbi kyçe prangat e policisë politike të Sandër Lleshit, ata që dogjën mandatet duke besuar te kauza, kryebashkiakët që nuk pranuan të kandidonin sërish, janë më të hidhëruar se kurrë nga kjo tradhëti e liderëve. Ata nuk e dinin që Luli me Monikën donin të bënin rrevolucion me lejen e amerikanëve. Ata nuk e kishin imagjinuar se kryengritja duhet të kishte liçencë ndërkombëtare.

Në këtë kuptim dekreti i ri i Metës është një ndihmë për ti hedhur edhe një herë hi syve atyre. Për ti thënë se të dielën nuk ka nevojë për dhunë, pasi zgjedhjet e vërteta do të bëhen në tetor.

Një interpretimi i dytë i këtij dekreti do të qe edhe mbulesa ligjore për ata që nuk i binden braktisjes së udhëheqësve dhe do të vazhdojnë ti qëndrojnë skenarit radikal të 30 qershorit. Kushdo që do të tentojë të bëjë një akt të dhunshëm, kushdo që do të djegë një kuti votimi apo të pengojë dikë të shkojë drejt qendrës së vet, e ka një alibi me vete. Ai së paku mund të pretendojë se nuk ka kryer një krim zgjedhor, pasi sipas dekretit presidencial, votimet nuk janë këtë të dielë, por tre muaj e gjysëm më pas.

Në këtë kuptim dekreti i Metës përpiqet të mbrojë jo vetëm liderët që e tradhëtuan “revolucionin” e panisur, por edhe ata që nuk pranuan ti binden atyre.

E së treti, Ilir Meta ka menduar të fortifikojë edhe veten. I gjithë orteku i akuzave ndaj tij deri më tani ka qenë se ai nuk ka të drejtë të anullojë një datë, pa shpallur një tjetër, se ç’dekretimi ishte një praktikë e padëgjuar, antikushtetuese, për të cilën ai meritonte shkarkimin. Sot, që ka caktuar një datë të re për zgjedhjet, ai e ka zhbërë këtë zulmë propagandistike. Publikisht ai mund të justifikohet duke thënë se i dha palëve kohë në reflektim dhe së fundi nuk bëri gjë tjetër veçse zbatoi precedentin e pararadhësve të tij Moisiu e Nishani, që kanë ndryshuar më parë ditën e zgjedhjeve. /Lapsi.al

Të fundit