E diel, 28 Prill, 2024

HOVENIER FLET PËR NDËRHYRJEN E NATO-S: KISHIN SHTERUAR TË GJITHA ALTERNATIVAT PËR TË NDALUR GJAKDERDHJEN

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se NATO veproi me bombardime, pikërisht për shkak të veprimeve gjenocidale, të tmerrshme siç tha ai, si masakra e Krushës së Madhe.

Ai u shpreh në ngjarjen përkujtimore të viktimave të kësaj masakre, se si aleancë u bënë bashkë me NATO-n për të intervenuar, meqë kishin shteruar të gjitha alternativat për të ndaluar gjakderdhjen, transmeton Klankosova.tv.

”Vetëm një ditë pasi NATO-ja filloi fushatën e saj për t’i dhënë fund fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik, forcat e Millosheviqit hynë në këtë fshat dhe vranë mbi 250 civilë të pafajshëm. NATO veproi pikërisht për shkak të veprimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu”, tha Hovenier.

”Me të vërtetë, si aleancë, ne u bëmë bashkë për të vepruar, për të reaguar, vetëm pasi i kishim shteruar të gjitha alternativat për ta ndalur gjakderdhjen”.

Me këtë rast, ambasadori amerikan, përmendi edhe fjalët e atëhershme të sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ditën kur ndodhte masakra.

”Të njëjtën ditë, sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright tha: E kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djegë fshatërat në Kosovë. Aksionet e NATO-s kanë qëllim ta mbështesin paqen dhe sigurinë në Europë dhe t’u japin fund mizorive dhe krizës humanitare”, tha Hovenier.

Tutje ambasadori Hovenier u shpreh i nderuar të jetë në mesin e të pranishmëve për të përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën 25 vjet më parë nga gjenocidi serb.

”Shumë prej më të dashurve tuaj janë ende të pagjetur”.

Hovenier madje deklaroi se gjenden sot aty për të qenë dëshmitar i asaj se ç’farë kishte ngjarë.

Të fundit