E shtunë, 27 Prill, 2024

25 VJET NGA BOMBARDIMI I SERBISË NGA NATO

“Një çerekshekull më parë mendoja se gjendja do të jetë shumë më kritike, me shumë atentate dhe dhunë, si dikur në Irlandën e Veriut, apo edhe aktualisht në konfliktin izraelito-palestinez. Fatmirësisht, nuk ndodhi kjo. Ka pas shumë momente kritike, por KFOR-i ishte në terren, diplomacia ishte e shpejtë dhe nuk pati përshkallëzime të mëdha. Ne pamë gjithashtu se përpjekja e fundit, në shtator 2023 në Banjska, për të provokuar një kryengritje të armatosur ose, ndoshta, një lloj inskenimi spektakolar terrorist, u shtyp që në fillim,”- kështu ka deklaruar për të përditshmen e pavarur serbe “Danas” filozofi dhe publicisti i njohur Shkëelzen Maliqi. Në këtë intervistë ai ka folur edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe gjasat për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. ”Nuk kam frikë nga konfliktet lokale, por nga ato kataklizmike, nga kërcënimet e Putinit për të përdorur bombën atomike, nga zgjerimi i vatrave aktuale të luftës në një konflikt botëror. Madje, të gjithë duhet ta kemi këtë frikë,” – përcjell kdp.mk fjalët e Maliqit.

DANAS: Kanë kaluar 25 vjet nga bombardimi i RFJ-së. A mund të na tregoni kujtimet, mendimet dhe shqetësimet tuaja gjatë atyre 78 ditëve, sa zgjatën bombardimet. Ku keni qene…

Shkëlzen Maliqi: Një javë para bombardimit, sindikatat zvicerane na patën ftuar Mahmut Bakallin dhe mua që t’ua shpjegojmë marrëveshjen e Rambujesë mërgatës kosovare. Kishte polarizime publike rreth marrëveshjes. Komandantët radikalë të UÇK-së dhe Adem Demaçi, e dënuan marrëveshjen sepse me te parashikohej vetëm rikthimi i autonomisë së Kosovës. Hashim Thaçi kishte marrë kërcënime më ekstreme “nëse e nënshkruan tradhtinë”. Kur delegacioni i Kosovës nënshkroi marrëveshjen kurse delegacioni serb jo, Millosheviqi e kishte një afat të shkurtër për të ndryshuar mendjen për marrëveshjen. Holbrooke priste në Budapest që Millosheviqi ta telefononte se e pranon marrëveshjen, por ai e bëri veshin shurdh. Masa ndëshkuese pasoi sepse në atë kohë po përgatitej festimi i 50-vjetorit të Paktit të NATO-s, liderët perëndimorë nuk donin që aleanca ushtarake të poshtërohej dhe humbte besueshmërinë.

Më 24 mars 1999, në orën 8 të mbrëmjes, isha në Lozanë, sapo po i përshëndesja gurbetqarët në një sallë të mbushur plot me njerëz, kur dikush bërtiti “Në Serbi po bien bombat e NATO-s!” Salla u entuziazmia! Unë ndjeva lehtësim, por edhe frikë sepse mendoja për familjen. Alisa dhe fëmijët ishin larguar një ditë më parë në Tetovë, miku im Arben Xhaferi i kishte ftuar që të strehoheshin për një javë, sepse pritja e përgjithshme ishte që rezistenca e Serbisë të mos zgjaste shumë. Por nëna, vëllai dhe motrat ime ishin në Prishtinë dhe prisja një hakmarrje të madhe kundër popullatës civile. M’u kujtua se, në pranverën e vitit 1990, sigurimi shtetëror serb na patë ftuar të gjithë liderët e partive të sapothemeluara të Kosovës në një “dëgjesë” gjysmë ore, për të na kërcënuar të mos kemi iluzione për atë që bënim: “Nëse përpiqeni të rebeloheni dhe të shkëputeni, ne do ta kthejmë Kosovën në varreza dhe tokë të djegur”.

Atë javë, derisa unë dhe Bakalli po flisnim për Rambujenë në takime të ndara, situata në Kosovë ishte e tensionuar. Një patrullë e policisë serbe ishte sulmua në rrugën Nazim Gafurri në Prishtinë ku banonte familja ime, dhe menjëherë patën pasuan veprimet hakmarrëse, të shtëna dhe vrasje në kafenetë ku mblidheshin të rinjtë shqiptarë.

  1. Ku është Serbia, e ku Kosova sot, 25 vjet më vonë?

– Shumëçka ka ndryshuar, Kosova e mori shumë shpejt mbështetjen e Perëndimit për të shpallur pavarësinë, manovra e Serbisë me ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pësoi një fiasko (vendimi: shpallja e pavarësisë nuk shkeli ligjin ndërkombëtar), më pas Vetoja e Rusisë e bëri të pamundur universalizimin e pavarësisë në Këshillin e Sigurimit. Prandaj Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e delegoi çështjen e Kosovës te Bashkimi Evropian, sepse nga më herët, në vitin 2003. në samitin e Selanikut,  BE kishte miratuar rezolutën që të gjitha vendet e Ballkanit do të pranohen për anëtarësim në union, gjë që ishte një lloj konfirmimi se i takojmë gjeografikisht, por edhe si sferë e interesit, Evropës. Në vitin 2010, BE-ja mori përsipër organizimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nën tutelën e saj, proces ky i cili me ulje-ngritjet e tij po vazhdon deri sot. Në vitet e para është bërë përparim i dukshëm.  Janë nënshkruar rreth 40 marrëveshje jetike deri në vitin 2014, por më pas ka pasur një periudhë të pengimit të zbatimit të marrëveshjeve, veçanërisht atyre që kanë domethënie më të madhe reale dhe simbolike edhe për përkufizimin e statusit final si kulm i normalizimit dhe rregullimit të marrëdhënieve mes dy vendeve si mes dy shteteve. E vetmja çështje e mbetur e hapur, e cila është aktuale edhe sot, është nëse Serbia do ta njoh realitetin (pavarësinë) vetëm de facto (pa njohjen formale), apo të përligjur, ose de jure.

Që nga viti 2015 dialogu zvarritet apo sillet në rreth, herë-herë dukej i ngrirë, në një moment u kthye edhe drejt projektit të shkëmbimit të territorit, por pas kësaj edhe u bllokua. Kur Donald Trump u bë president i SHBA-së, u provua ideja për të stimuluar projekte të mëdha të përbashkëta ekonomike, u arrit Marrëveshja e Uashingtonit, por ajo u fundos shpejt.

Më në fund, dy vjet më parë, BE-ja doli me propozimin franko-gjerman që trajtonte më qartë çështjen e njohjes faktike të Kosovës nga Serbia, e cila u pranua verbalisht në Ohër, vitin e kaluar, pavarësisht rezistencës reciproke, e më pas u dakordua edhe plani i zbatimit, si dakord në parim, pa nëshkrime. Mirëpo, këta hapa pozitiv shoqëroheshin vazhdimisht me shkaktimin e krizave të sigurisë në veri të Kosovës, përmes të cilave, si autoritetet kosovare, ashtu edhe ato serbe, krijonin hapësirë bllokuese manovrimi, duke kërcënuar me kriza sigurie pothuajse të paraluftës, me çka e vononin aktin përfundimtar të normalizimit!

Është paradoksale që sot në parim zgjidhja është shumë pranë, pas një qoshku si pengesë e fundit, për më tepër, nën presionin e diplomatëve janë bërë lëshime të mëdha nga të dyja palët, por e gjithë kjo bëhet copë-copë, sepse të nesërmen pas zhvillimeve pozitive, hapen çështje të reja që rrezikojnë sigurinë çka ndërmjetësuesve Lajçak, Borelj dhe Escabar u kushton shumë nerva. Procesi ka një ritëm konstant, një hap përpara, një hap prapa, sepse talljet e Vuçiqit dhe Kurtit, të cilët pretendojnë se nuk e durohen fare mes veti, janë sikur të dizajnuara në mënyrë perfekte populiste që të përfitojnë popullaritet te audiencat vendase, si dhe të përfitojnë në kohë, kështu që nga këto mosdurimet mes tyre, Borellit i dhemb koka, ndërkaq Eskobari sikur sheh zgjidhjen dhe që njësitë e KFOR-it duhet të merren me situatën. Por, edhe këtyre lojërave populiste pa kufij, sigurisht që u mbaron koha, dhe unë objektivisht mendoj se nuk jemi shumë larg fundit të lojës, qoftë për të mirë, ose edhe për të keq.

  1. A keni mundur të supozoni se situata si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë, do të jetë e tillë një çerek shekulli pas bombardimeve?

– Një çerekshekull më parë mendoja se gjendja do të jetë shumë më kritike, me shumë atentate dhe dhunë, si dikur në Irlandën e Veriut, apo edhe aktualisht në konfliktin izraelito-palestinez. Fatmirësisht, nuk ndodhi kjo. Ka pas shumë momente kritike, por KFOR-i ishte në terren, diplomacia ishte e shpejtë dhe nuk pati përshkallëzime të mëdha. Ne pamë gjithashtu se përpjekja e fundit, në shtator 2023 në Banjska, për të provokuar një kryengritje të armatosur ose, ndoshta, një lloj inskenimi spektakolar terrorist, u shtyp që në fillim.

  1. 4. Si i keni kuptuar arsyet e sulmit të NATO-s në vitin 1999 dhe a i konsideroni sot ato të justifikuara?

– Ndërhyrja ishte absolutisht e nevojshme. Diplomacia dhe presioni nuk mund ta ndalonin Milosheviqin. Një arsye më e thellë ishte rrezikimi i interesave gjeostrategjike të Perëndimit. Në vitin 1992, Presidenti amerikan Georg Bush, seniori,  në të ashtuquajturën Deklaratë e Krishtlindjes, pat thënë me vendosmëri: “Nëse Serbia provokon një konflikt në Kosovë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin forcat e armatosura kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi”. Doktrina perëndimore e konsideronte Kosovën dhe Maqedoninë si vijë të kuqe për frenimin e ambicieve pushtuese të Serbisë, sepse kjo rrezikonte sigurinë e rajonit dhe të Evropës. Henry Kissinger kishte theksuar me cinizëm dallimin mes Bosnjës dhe Kosovës. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në Bosnje, dmth erdhi shumë vonë, sepse atje lufta ishte lokale, nuk u derdh nga “tenxherja boshnjake” në rajon dhe më gjerë.

Por lufta e Kosovës megjithatë kishte të bënte me Bosnjën, sepse agresioni serb kundër Bosnjës e pat turpëruar Evropën. 1500 ditë rrethimi i Sarajevës, shkatërrimet e madha, gati 100.000 të vdekur, gjenocidi i Srebrenicës, 200 mijë të plagosur, kampet e përqendrimit, përdhunimet masive të grave, mbi 2 milionë të shpërngulur, ishin një kosto e tmerrshme dhe kolaps moral për Evropën, e cila pas Luftës së Dytë Botërore kishte ndërtuar një model të lakmueshëm paqeje, mirëqenieje dhe përparimi, e nuk arriti të parandalonte katastrofën në Bosnje.

Ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer na pat shpjeguar sesi ai personalisht ishte tronditur dhe turpëruar me atë çka kishte ndodhur në Bosnje, kur e patëm takuar në Bon gjatë javës së dytë të bombardimeve. Isha pjesë e një delegacioni gazetarësh të Kosovës të ftuar për të dëshmuar në Bon dhe në Londër për dëbimin e gati një milion shqiptarëve dhe pse ishte i domosdoshëm bombardimi i Serbisë. Fischer, si një pacifist i bindur dhe kundërshtar i ndërhyrjeve ushtarake, na tha atëherë (po parafrazoj): “Lufta në Bosnje më bëri të vetëdijshëm, kur kuptova çfarë krimesh ishin krzer atje, të padëgjuara që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk mund ta lejonim Milosheviqin të bënte në Kosovë atë që, për turpin tonë, e bëri në Bosnje! Në Partinë time të Gjelbër më shanin e më gjuanin me vezë e domate, por ngulmova dhe e binda mazhorancën se bota ka nevojë për ndërhyrje ushtarake për të ndëshkuar krimet kundër njerëzimit! Vetëm forca i ndal banditë e çmendur!”

  1. Megjithatë, shumë pretendojnë se NATO-ja dhe amerikanët nuk ishin aspak të shqetësuar për të drejtat dhe vuajtjet e njeriut, por interesi i tyre ekskluziv gjeostrategjik është dominimi i botës. Si ndiheni për një përfundim të tillë?

– Mund të argumentohet se sigurisht ka elementë dominimi, por jo të tipit pushtues, që Amerika të zgjerohet, që synimi i saj është të pushtojë vende të tjera. Ajo eksporton demokracinë dhe tregun e lirë, ndërton institucione të reja në vendet ku ndërhyn. Politika e Amerikës mund të shpjegohet më së miri kur thuhet se ajo luan rolin e policit botëror, pasi bota nuk ka një instrument të tillë që në mënyrë legjitime ndëshkon, disciplinon dhe ua mbush mendjen vendeve agresive, pushtuese. As Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk është një qeveri botërore, megjithëse i dënon agresionet, nuk e ka fuqinë e plotë për ndërhyrje. Mund të shihet qartë kjo në shembullin e Ukrainës, se Amerika dhe Perëndimi demokratik po e ndihmojnë Ukrainën të mbrohet dhe të mbijetojë si një vend i pavarur, kurse Rusia e ka për qëllim pushtimin e Ukrainës, do që ta kthejë në pjesë të Rusisë.

Kosova si një vend i vogël dhe i ri falënderon Amerikën dhe shumicën e shteteve perëndimore për ekzistencën dhe mbijetesën e saj, nuk e ndjejmë se jemi të pushtuar për shkak të kampit në Bondstil, përkundrazi ai na mbron. Shtetet e Bashkuara, në fakt, po e ndihmojnë Bashkimin Evropian që Kosova, si dhe Serbia dhe i gjithë Ballkani Perëndimor, të bëhen pjesë e Unionit. Ne nuk e kemi luksin të kritikojmë Amerikën, apo të kemi frikë prej saj. Epo, as Serbia nuk duhet të ketë frikë nga Amerika! Nacional-shovinistët dritëshkurtër në Serbi thonë se Amerika punon në interes të shqiptarëve, ndërsa ata në Kosovë, përfshirë kryeministrin tonë, thonë se Amerika po i favorizon serbët. Është e qartë, megjithatë, se interesat e Amerikës maten nga aspekti më i gjerë i shqetësimit për stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të rajonit.

  1. Ata që kanë qenë zëdhënësit e Milosheviqit dhe të Sheshelit, nxitësit e bombardimeve, sot janë në pushtet në Serbi. Sipas pretendimeve të zyrtarëve të lartë amerikanë, ata organizuan sulmin terrorist në Banjkë. Si e komentoni këtë?

– Ende nuk kemi një raport zyrtar për Banjskën, duke detajuar motivet dhe objektivat e përpjekjes së dështuar për të provokuar një rebelim të armatosur. Unë ende dyshoj se shërbimet e inteligjencës u përpoqën të organizonin një vrasje masive, ndoshta të atyre pelegrinëve fatkeq që ndodheshin në Manastir, në mënyrë që shqiptarët të akuzoheshin për krimin. Ne kemi pasur masakra të tilla në të kaluarën, të cilat janë kryer nga sigurimi i shtetit serb. Vetë Aleksandar Vuçiq, nuk mendoj se ka qenë i dehur, para disa vitesh ka pranuar publikisht se shëbimi sekret serb i ka vrarë të rinjtë serbë që u qëlluan me armë zjarri në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998. Ata u vranë për të akuzuar UÇK-në si organizatë terroriste. Çfarë do të ndodhte nëse një skenar i tillë do të realizohej në Banjskë? Kanë shpresuar se do kishin më shumë motiv dhe mbështetje që veriu i Kosovës të shkëputet dhe t’i bashkohet Serbisë? Fatmirësisht, kjo tentativë dështoi, sepse në terren punojnë edhe shërbimet tjera sekrete, që e kanë pamundësuar realizimin e skenarit të supozuar, sepse supozimi është ende vetëm hipotezë, jo fakt. Por nëse është e vërtetë, siç pretendojnë disa, se qeveria serbe ishte në dijeni të skenarit dhe ndoshta edhe e sponsorizoi atë, duhet pritur të shohim se çfarë do të thotë hetimi, atëherë kjo nuk do të jetë lajmë i mirë për ish-zëdhënësit e Milosheviqit.

  1. Në anën tjetër, jo vetëm përfaqësuesit e regjimit në Serbi, por edhe sektori civil dhe mendimtarët e pavarur, vëzhgues të situatës, flasin për ashpërsinë e qeverisë së Albin Kurtit dhe lëvizjet që praktikisht i detyrojnë serbët në Kosovë të largohen nga shtëpitë e tyre.

– Albin Kurti është një rast i veçantë i populistit që erdhi në pushtet falë demagogjisë për duart dhe qëllimet gjoja të pastra, por edhe sepse qeveria e mëparshme ishte e harxhuar dhe gjithnjë e më e papëlqyeshme nga shumica. Ai është një majtist i modës së vjetër, por me karakteristikat e tribunit popullor, i cili investoi shumë në edukimin e të rinjve aktivistë në luftën kundër neoimperialistëve që përdorën ndërhyrjen e vitit 1999 për të krijuar modelin e një shteti të varur në Kosovë, nën kontrollin e kompanive multinacionale. Që kur themeloi Lëvizjen Vetëvendosje, Kurti besonte se populli i Kosovës e kishte të drejtën burimore për vetëvendosje dhe sovranitet, duke ngatërruar modelet teorike me proceset reale se si në të vëtetë krijohet një shtet i pavarur dhe sovran. Motoja e tij ishte pavarësia tani dhe menjëherë, por edhe më parë si platformë kryesore, nënkuptonte mbarë popullin shqiptar, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, prandaj edhe sot po përpiqet të zgjerojë lëvizjen e tij në Shqipëri, ku nuk ia doli, e dhe në Maqedoni dhe kudo ku jetojnë shqiptarë. Kurti ka një mosbesim të thellë ndaj SHBA-së, edhe pse ndonjëherë në mënyrë retorike pranon se Kosova është e varur nga Amerika dhe nga pakti i NATO-s, por gjithmonë përpiqet të paraqitet si përfaqësues i vullnetit sovran të popullit të tij, i cili nuk e ul shpinën as para presioneve të Amerikës dhe vasalëve të saj evropianë. Imazhi që bën vazhdimisht është të prezantohet si një politikan ndryshe dhe shumë më i madh sesa ishte Hashim Thaçi, sepse që nga Rambuje e këtej Thaçi gjithmonë i nënshtrohej presioneve të Perëndimit, firmoste atë që i thoshin, privatizoi dhe mundësoi plaçkitjen e Kosovës, të pronave shtetërore, andaj zotohej se do ta kthejë mbrapsh privatizimin përmes nacionalizimeve, posa ta marrë pushtetin etj.

Tani, në përpjekje të vazhdueshme për ta paraqitur dialogun me Serbinë si një dialog mes të pabarabartëve, ai gjithmonë gjen mënyra për të penguar procesin, qoftë duke shmangur propozimet e BE-së dhe Amerikës, qoftë duke marrë masa sovrane në terren, mbi të gjitha ndaj serbët e Kosovës, duke u thirrur në marrëveshjet e nënshkruara gjatë dialogut nga Hashim Thaçi apo Isa Mustafa, kryeministrat para tij, si p.sh. marrëveshjet për targat, dokumente personale, tani edhe për qarkullimin e dinarit serb, ose  të ngjashme, duke anashkalur konsultimet me partnerët strategjikë të Kosovës, të cilët po përpiqen që pala tjetër të mos lëndohet dhe detyrohet të protestojë. Duke u bërë presion serbëve të Kosovës, të cilët gjatë gjithë kohës mashtroheshin nga autoritetet e Beogradit se të paktën Veriu, në mos e gjithë Kosova, është dhe do të mbetet pjesë e Serbisë, Kurti e vë në siklet Beogradin dhe Vuçiqin personalisht, për t‘u “dëshmuar” amerikanëve dhe të tjerëve se cili është Vuçiq, dhe çfarë përfaqëson ai, dmth se është një satelit i Putinit etj., sikur Perëndimi nuk e di këtë. Kurti në këtë kajde e pat akuzuar publikisht edhe Sekretarin e Shtetit Blinken se është politikan naiv, sepse nuk po kuptoeka se kush është çun i mirë e kush çun i keq në Ballkan. Kurti po i bezdis tmerrësisht të gjithë diplomatët perëndimorë, sepse i mëson në mënyrë retorike për demokracinë. Diplomatët amerikanë tani po deklarojnë se nuk llogarisinë më fare me Kurtin, ndonëse besojnë në popullin e Kosovës. Është përsëritur kohëve të fundit edhe deklarata e mëparshme se asociacioni i komunave me shumcë serbe, nëse Kurti vazhdon ta pengojë, do të krijohet edhe pa te.

  1. A keni ju frikë nga konfliktet e reja?

– Nuk kam frikë nga konfliktet lokale, por nga ato kataklizmike, nga kërcënimet e Putinit për të përdorur bombën atomike, nga zgjerimi i vatrave aktuale të luftës në një konflikt botëror. Madje, të gjithë duhet ta kemi këtë frikë./Danas.rs/

 

Të fundit