Qeveria izraelite e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu përbën një rrezik në rritje për hebrenjtë në mbarë botën, paralajmëroi të martën komentatori i njohur Thomas L. Friedman në një kolumnë të publikuar në The New York Times, duke bërë thirrje për një reagim moral urgjent nga diaspora hebraike dhe vetë izraelitët, përcjell KDP.
Friedman shkruan se mënyra se si Izraeli po e udhëheq luftën në Gazë “po krijon bazën për një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si do të shihet Izraeli dhe hebrenjtë në mbarë botën – dhe kjo në një drejtim negativ”. Sipas tij, Izraeli, në vend që të shihet si një strehë kundër antisemitizmit, po shndërrohet në një burim të ri të tij, duke humbur legjitimitetin moral në opinionin ndërkombëtar.
Në kolumnën e tij, Friedman thekson se një numër gjithnjë e më i madh oficerësh izraelitë në pension dhe në shërbim aktiv, përfshirë pilotë rezervistë të Forcave Ajrore, po distancohen publikisht nga ajo që e quajnë “politika nihiliste” e qeverisë në Gazë. Ata kanë shprehur shqetësim për numrin e madh të viktimave civile dhe kanë paralajmëruar se fushata ushtarake po humb çdo legjitimitet strategjik, duke u shndërruar në një luftë politike hakmarrjeje.
Në një letër të publikuar nga gazeta izraelite Haaretz, dy pilotë izraelitë në pension, gjenerali i brigadës Asaf Agmon dhe koloneli Uri Arad, kanë deklaruar se “Forca Ajrore është bërë një mjet për ata që besojnë se në Gazë nuk ka njerëz të pafajshëm”. Ata kanë dënuar përdorimin e forcës joproporcionale dhe kanë paralajmëruar se pilotët një ditë do të përballen me pasojat morale të veprimeve të tyre.
Në kolumnën e tij, Friedman u bën thirrje hebrenjve në të gjithë botën, veçanërisht në SHBA, të mos qëndrojnë të heshtur. “SOS: Shpëtoni anijen tonë,” shkroi ai, duke bërë thirrje për rezistencë kundër, siç e quan ai, “sulmit ndaj demokracisë izraelite” dhe gjithnjë e më shumë izolimit ndërkombëtar të vendit.
Friedman gjithashtu bëri thirrje për formimin e një lëvizjeje të ngjashme midis mbështetësve të shtetit palestinez, që do të dënonte ekstremizmin e Hamasit. “Ky është një moment përballjeje – për Izraelin, për palestinezët dhe për mbështetësit e tyre,” përfundon Friedman.