E mërkurë, 16 Korrik, 2025

MICKOSKI: SË SHPEJTI DO TA KEMI EDHE SHUMICËN E BADENTERIT

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se qeveria është pranë zgjidhjes së bllokadës funksionale të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, institucion që është paralizuar prej më shumë se gjashtë muajsh për shkak të mospërputhjes ligjore dhe mungesës së shumicës së Badenterit.

Në një intervistë për televizionin Alsat, Mickoski tha se punonjësit e këtij institucioni, të cilët nuk kanë marrë paga për muaj të tërë, mund të kthehen së shpejti në punë, pasi qeveria është afër sigurimit të përkrahjes nga deputetët e komuniteteve më të vogla etnike.

“S’mungojnë gjashtë deputetë, por shumë më pak,” tha Mickoski, pa përmendur emra konkretë. I pyetur nëse marrëveshja është më afër me Bejxhan Iljaz, Menduh Thaçin apo Ali Ahmetin, ai u përgjigj: “Nuk do të përmendja emra, por nëse Ali Ahmeti e votoi Ligjin për Administratën, pse të mos e votojë edhe këtë ligj?”

Kryeministri shmangu komentet mbi spekulimet se deputetë nga blloku shqiptar në pushtet mund t’i bashkohen shumicës parlamentare. “Nuk flas për atë që quhet ‘tregti e gjelbër’ me deputetë. Unë qëndroj te sistemi i vlerave. Kush e pranon këtë sistem, është i mirëpritur në Qeveri,” tha ai.

Sa i përket thirrjeve të opozitës shqiptare që zgjedhjet parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale në vjeshtë, Mickoski tha se nuk sheh arsye për zgjedhje të dyfishta.

“Zgjedhjet e tetorit do të tregojnë se në çfarë shteti duan të jetojnë qytetarët,” tha ai, duke shprehur bindjen se koalicioni opozitar shqiptar VLEN do të dalë fitues ndaj partneritetit mes BDI-së dhe Arben Taravarit.

“Pres që VLEN të fitojë dhe të ketë të paktën një kryetar komune më shumë se fronti i ri mes BDI-së dhe pjesës së mbetur nga partia e z. Taravari,” tha Mickoski.

 

 

Të fundit