A mund kjo ta shpie vendin drejt një konflikti të ri, siç pretendon Mickoski? A ka gjasa ta destabilizojë vendin? Këto janë çështje që do të përcaktohen nga dinamikat politike (e jo vetëm) nga shtatori e tutje.
Shkruan: Xhelal Neziri
Kryeministri i vendit, Hristian Mickoski, ka paralajmëruar se nga vjeshta mund të ketë tentim për destabilizim të vendit na ana e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), parti që drejton Frontin Evropian (FE) në opozitë. Këtë alarm Mickoski e lëshoi të hënën, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Të njëjtën deklaratë e kishte dhënë edhe më herët në javoren në gjuhën maqedonase “Fokus”.
Edhe pse këto informata erdhën nga kryeministri i vendit, presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Dafkova vlerësoi se nuk ka nevojë të thirret mbledhje e Këshillit të Sigurimit, si trup më i lartë për analizimin e situatës së sigurisë. Pas reformave të fundit në sektorin e sigurisë, shërbimi sekret i vendit – Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) është ndarë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe tash është institucion autonom që i raporton vetëm kryeministrit. Pra, deklaratat e Mickoskit duhet të jenë të bazuara në informatat që ai ka marrë nga ASK.
Nga ana tjetër, BDI ka paralajmëruar se ka angazhuar ekspertin amerikan Paul Williams që të hartojë një zgjidhje që do t’i japë përgjigje ligjore mënyrës së formimit të qeverisë sipas parimit “fituesi me fituesin”. Drafti i Williamsit dje ka arritur në Reçicë të Vogël, ku është analizuar në mbledhjen e kryesisë së BDI-së, ndërkohë që asnjëri prej tyre nuk dha ndonjë informatë për përmbajtjen e dokumentit. Wiliams ishte angazhuar edhe në vitin 2001, si ekspert për draftimin e Marrëveshjes së Ohrit. Në mungesë të informatave zyrtare, në opinion tashmë janë lëshuar gjysmë-informacione se çfarë propozon Williamsi, e që implikojnë një ri-rregullim të sistemit politik të Maqedonisë së Veriut sipas modelit të Belgjikës apo Irlandës Veriore. Modeli i parë është federalizim, që bie ndesh me Marrëveshjen e Ohrit e cila e garanton karakterin unitar të shtetit, kurse i dyti – regjionalizim, që e ruan unitetin e shtetit por u bart më shumë kompetenca rajoneve.
A mund kjo ta shpie vendin drejt një konflikti të ri, siç pretendon Mickoski? A ka gjasa ta destabilizojë vendin? Këto janë çështje që do të përcaktohen nga dinamikat politike (e jo vetëm) nga shtatori e tutje.
Duket se burimi i të gjitha këtyre debateve është gara për pushtet, e cila në rrethanat tona nënkupton pandëshkueshmëri. Është një obsesion që Thomas Hobbes-i e konsideronte si një prirje e përgjithshme e njerëzimit, një “dëshirë e përhershme dhe e pandryshueshme për pushtet, që rresht vetëm me vdekjen”. Hobbes-i mendon se dëshira për pushtet nuk ka ndonjë cilësi diabolike, apo qëllim të keq, por ajo është rezultat i arsyeshëm i dëshirës së njeriut për kënaqësi dhe siguri.
Mungesa e funksionimit të shtetit ligjor i ka ngritur funksionarët shtetërorë mbi ligjin. Ai që është në pushtet është i paprekshëm nga ligji. Kjo është siguria që u jep liri pushtetarëve të arrijnë deri te kënaqësia, e cila e ka burimin te pasurimi i shpejtë. Pandëshkueshmëria e karakterizon të gjithë periudhën tridekadëshe të RMV-së së pavarur. Me përjashtime të vogla, në mënyrë kriminale u privatizua i tërë kapitali shoqëror nga viti 1990 e deri në vitin 2005. Askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë, e as nuk pati konfiskim të pasurisë. Mijëra “bomba” të publikuara në vitet 2015-16, ku shfaqej një korrupsion që gllabëroi më shumë se 5 miliardë euro, dhe vetëm një ministër që vuajti dënim minimal me burg e disa ish-zyrtarë tjerë që shëtitshin në “burgjet e hapura”. Disa nga të dyshuarit kanë marrë madje edhe pozita në qeverinë e re. Ndërkohë, nga shtatori paralajmërohet një ofensivë anti-korruptive, e cila do të prekte të gjithë ata që kanë shkelë ligjin në tetë vitet e kaluara. Është mirë që përfundimisht të ndërpritet praktika e pandëshkueshmërisë. Ata që përfituan duke keqpërdorur paranë publike duhet të përgjigjen kurse pasuria e fituar në mënyrë korruptive t’u konfiskohet. Megjithatë, qasja e kësaj qeverie duket se është selektive. Siç ishte e përbërjes së kaluar. Si e tillë, kjo fushatë nuk do të japë asnjë rezultat. Do ta ketë fatin e „numratores“ së Zoran Zaevit, e cila nuk u vendos kurrë në Portën Triumfale të Shkupit. Ajo „numratore“ duhej të tregonte shumën e parave të konfiskuara nga politikanët e korruptuar. As nuk u vendos, e as nuk u kthyen paratë te arka e popullit.
Lufta kundër korrupsionit nuk matet me shfaqje të aksioneve policore, por me sasinë e kapitalit të konfiskuar nga politikanët e korruptuar. Për shkak të mungesës së rezultateve në pjesën e konfiskimit, në RMV politika është bërë rruga më e shkurtër e pasurimit. Andaj, qeveria e re nuk duhet ta përdorë luftën kundër korrupsionit si mjet për të qëruar hesapet me oponentët politikë, por t’i qaset në mënyrë sistemore dhe joselektive. Në atë rast mund të ketë destabilizm, por vetëm të atyre që kanë bërë apo planifikojnë të bëjnë kapital duke keqpërdorur paratë publike, të cilat shteti i mbledh nga xhepat e qytetarëve.