E diel, 8 Shtator, 2024

AUSTRIA KËRKON INFORMATA SHTESË PËR 19-VJEÇARIN NGA RMV QË PLANIFIKOI SULM TERRORIST

Të dy të dyshuarit për përgatitje të sulmit në koncertin e Taylor Swift në Vjenë dukej se ishin frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik dhe al-Kaida, thanë autoritetet austriake të enjten, përcjell KDP.

Hetuesit gjetën materiale për prodhimin e bombave në një nga shtëpitë e tyre. Zyrtarët thanë se njëri nga të dy rrëfeu se kishte planifikuar të “vriste sa më shumë njerëz që të ishte e mundur jashtë vendit të koncertit”.

Tre koncertet e planifikuara u anuluan, duke prishur planet e mijëra njerëzve që kishin udhëtuar në Austri për të ndjekur shfaqjet Eras Tour në Stadiumi Ernst Happel.

Sulmi i dështuar ishte planifikuar për të enjten ose të premten, sipas ministrit të brendshëm të Austrisë, Gerhard Karner.

Kush është 19 vjeçari nga Maqedonia e Veriut?

Zyrtarët u thanë gazetarëve se i dyshuari austriak 19-vjeçar, me rrënjë nga Maqedonia e Veriut, filloi të punonte për planet e tij të sulmit në korrik dhe vetëm disa javë më parë ngarkoi në internet një betim për besnikëri ndaj udhëheqësit aktual të milicisë së grupit Shteti Islamik. Ai planifikoi të përdorte thika ose eksplozivë të bërë vetë për të kryer sulmin jashtë stadiumit.

Ai ishte “qartësisht i radikalizuar në drejtim të Shtetit Islamik dhe mendon se është e drejtë të vriten të pafe”, tha Omar Haijawi-Pirchner, kreu i Drejtorisë së Sigurisë Shtetërore dhe Inteligjencës.

Gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij në Ternitz, në jug të Vjenës, hetuesit gjetën substanca kimike dhe pajisje teknike që tregonin “akte konkrete përgatitore”, tha Franz Ruf, Drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Ministrinë e Brendshme.

Autoritetet gjetën gjithashtu materiale të grupit të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës në shtëpinë e të dyshuarit të dytë, një austriak 17-vjeçar. Ai u punësua pak ditë më parë në një kompani që ofronte shërbime në ambientet e koncerteve dhe u arrestua nga forcat speciale të policisë pranë stadiumit.

Emrat e të dyshuarve nuk u publikuan në përputhje me rregullat austriake të privatësisë.

Asnjë i dyshuar tjetër nuk po kërkohet, tha Karner, ministri i brendshëm. Megjithatë, një 15-vjeçar, i cili kishte qenë në kontakt me të dy të dyshuarit, është marrë gjithashtu në pyetje nga policia.

“Situata ishte e rëndë. Por mund të themi se u parandalua një tragjedi”, tha ai.

Organizatorët e koncerteve, Barracuda Music, thanë në një postim në Instagram të mërkurën vonë se “nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tre shfaqjet e planifikuara për sigurinë e të gjithëve”.

Kancelari austriak Karl Nehammer postoi në X se “anulimi i koncerteve të Taylor Swift nga organizatorët është një zhgënjim i hidhur për të gjithë fansat në Austri”.

“Situata rreth sulmit terrorist të planifikuar në dukje në Vjenë ishte shumë serioze,” shkroi ai. Por ai shtoi se, falë bashkëpunimit intensiv midis policisë dhe inteligjencës austriake dhe të huaj, “kërcënimi mund të njihej herët, të trajtohej dhe të parandalohej një tragjedi”.

Kërkohet ndihmë nga MPB-ja e Shkupit

I dyshuari kryesor për përgatitjen e sulmit terrorist në një nga tre koncertet e Taylor Swift të planifikuar për sot, nesër dhe të shtunën në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, është me origjinë nga Maqedonia e Veriut, tha policia austriake në konferencën e sotme për media.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë konfirmon për Radion Evropa e Lirë se autoritetet austriake kanë marrë një kërkesë për të kontrolluar një person me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe i cili dyshohet për një sulm të planifikuar terrorist në Vjenë.

“Po veprojmë sipas kërkesës së paraqitur”, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga MPB. Ata nuk zbulojnë asnjë detaj se për kë bëhet fjalë, as nga cili vend në Maqedoninë e Veriut vjen familja e tij.

Kjo nuk është hera e parë që një i dyshuar për një sulm terrorist dhe simpatizant i Shtetit Islamik është me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Njëri nga sulmuesit, në sulmin terrorist në qendër të Vjenës, katër vjet më parë posedonte pasaportë austriake dhe maqedonase veriore. Ai u vra nga policia austriake, por në sulmin e mëparshëm 4 persona vdiqën dhe 17 u plagosën.

Profesor Zllate Dimovski nga Fakulteti i Sigurisë shpjegon se organizatat terroriste pothuajse gjithmonë kërkojnë të rinj, sepse ata lehtë manipulohen dhe rekrutohen përmes imponimit të një ideologjie të caktuar.

“Personi konkret me origjinë nga Maqedonia e Veriut, edhe pse kjo nuk do të thotë asgjë në rastin, ai ka jetuar dhe punuar në Austri, padyshim është rekrutuar mbi disa baza, ndaj tij është bërë një lloj ideologjizimi. Ai është duke u përgatitur, mendoj se të dhënat do të dalin më vonë, ai duhet të ketë qenë në një nga kampet, ai është trajnuar për të punuar me njerëz, si të përcaktojë vendet ku do të operojë, si të përdorë armët dhe eksplozivët, si të sigurohet një vend i fshehur. Që do të thotë se organizata terroriste kujdeset për anëtarët e saj dhe u thotë se ata janë pas tyre dhe i mbështesin gjatë, para dhe pas ekzekutimit të aktit”, thotë Dimovski.

Profesori shton se të gjithë ata që hyjnë në atë sistem rekrutimi dhe radikalizimi e kanë të vështirë të largohen, jo vetëm për shkak të ideologjisë, por edhe për shkak të përfitimeve materiale.

“Dhe përmes atyre kampeve të tyre që organizojnë nëpërmjet veprimit të personave të caktuar që janë shumë të aftë në bindje dhe duke ofruar mbështetje të mirë materiale, personat e synuar anojnë drejt tyre dhe janë gjithmonë besnikë ndaj kauzës që do t’u imponojnë”, thotë Dimovski.

Të fundit