E diel, 8 Shtator, 2024

INCIDENTI ME PRESIDENTEN OSMANI: REAGON DEPARTAMENTI I SHTETIT

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka parë raportet por nuk do t’i komentojë për shkak të hetimeve që po zhvillohen. Ky qëndrim u shpreh si përgjigje ndaj pyetjes nëse kryeparlamentari Afrim Gashi duhet të mbajë përgjegjësi për incidentin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton KDP.MK.

“I kemi parë raportet dhe nuk do t’i komentojmë për hetimin që po ndodh”, deklaruan nga Departamenti Amerikan për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase.

Incidenti në Aeroportin e Shkupit ka ngjallur një mori çështjesh dhe diskutimesh

Më 6 gusht 2024, partia E Majta (Levica) paraqiti një interpelancë kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, e nxitur nga incidenti me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit.

Nga atje thanë se interpelanca pritet të jetë në rend dite në seancë pas pushimeve verore, gjegjësisht në fillim të shtatorit, ndërsa interpelanca bazohet në shtatë pika të cilat janë të shpjeguara në dhjetë faqe.

“Dy pikat e para i referohen shkeljes së laicitetit të shtetit me lutjen në grup në Kuvend nga Gashi dhe shkeljes së rregullave diplomatike për sigurimin e VIP-ave me incidentin në Aeroportin e Shkupit pesë ditë më parë ku ishte përfshirë shefi i sigurimit të Gashit”, tha Apasiev.

Në anënt tjetër, LSDM-ja ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Gashit.

“Ky rast nuk mund të konsiderohet i mbyllur derisa të gjithë të përfshirët të mos mbahen përgjegjës. Institucionet janë të detyruara të nisin procedurat menjëherë. I propozojmë Mickoskit që në vend që të ofrohet të jetë përcjellës i VIP-ave në aeroportin e Shkupit, të sigurojë respektimin e të drejtës që po e nxjerr nga goja. Gashi le të përgjigjet për rastin”,thanë nga LSDM.

Për grupin parlamentar të VMRO–DPMNE-së, nuk është i nevojshëm zëvendësimi i kryetarit të Kuvendit. Nga atje thonë se përgjegjësia është e lokalizuar dhe se institucionet asnjëherë më parë nuk kanë marrë masa kaq urgjente.

“Përpjekjet e LSDM-së-së, BDI-së dhe të Majtës për të fituar pikë politike në këtë temë nuk na befasojnë dhe presim përpjekje të tilla e të ngjashme për sjellje devijante nga ana e tyre në të ardhmen. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka dhënë një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin. VMRO-DPMNE dënon dhe do të dënojë çdo veprim jashtë ligjit dhe që prish rendin, të gjithë do të jenë të bindur se ligjet do të vlejnë njësoj për të gjithë”, thuhet në reagimin egrupit parlamentar të VMRO-së.

Koalicioni VLEN, interpelancën kundër kryetarit të Kuvendit të RMV-së, e ka quajtur si përpjekje për të shkaktuar “tërmet politik” dhe një eksperiment kundër NATO-s.

“Kërkohet një motiv, siç ishte incidenti në aeroport. Më pas, krijohet në mënyrë të koordinuar një histeri në publik, e më vonë në mënyrë pompëzuesë kërkohet përgjegjësi politike. Ndërtohet një konstrukt rreth sigurisë së Kryetarit të Kuvendit”, thanë nga VLEN.

Ndryshe, incidenti që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku ishte e përfshirë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte poashtu temë e takimit që ndodhi më 5 gusht në Shkup ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurtit dhe Hristijan Mickoskit. Kurti tha tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen, ndërsa Mickoski u shpreh se nuk dëshiron që incidente të tilla të përsëriten, teksa shtoi se herën tjetër kur Osmani të përdorë Aeroportin e Shkupit për udhëtime, ai personalisht do ta shoqërojë “deri në momentin kur të largohet”.

LEXO EDHE KËTË: 

MICKOSKI SHPREH KEQARDHJE PËR INCIDENTIN NË AEROPORTIN E SHKUPIT, KURTI PRET RAPORTIN ZYRTAR

Presidenca e Kosovës tha se është “për keqardhje” mënyra se si u trajtua incidenti i 1 gushtit, gjatë konferencës për media më 5 gusht të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, në Shkup.

LEXO EDHE KËTË: 

PRESIDENCA E KOSOVËS REAGON NDAJ KONFERENCËS SË DJESHME TË SHTYPIT NË SHKUP

Për këtë rast , Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Republikën e Kosovës përmes një note proteste ka reaguar ndaj incidentit.

Autoritetet Në rmv kanë thënë se kushdo që ka bërë shkelje në rastin e incidentit në Shkup, do të përballet me përgjegjësi penale.

Incidenti ku u përfshi Osmani ka shkaktuar reagime të shumta të përfaqësuesve të opozitës dhe partive shqiptare që janë në koalicionin qeverisës në Maqedoninë e Veriut, që kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Pavarësisht kësaj ngjarjeje, Kurti dhe Mickoski thanë se raportet mes shteteve janë të mira.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.

Të fundit