E hënë, 8 Korrik, 2024

EDHE ME HUNGARINË NË KRYE TË BE-SË, PËR RMV-NË MBETET “BARRIKADA” BULLGARE

Pavarësisht se zgjerimi i Unionit mbetet ndër prioritetet kryesore të presidencës hungareze, kushti për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me RMV-në mbetet në fuqi, vendi duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në aktin më të lartë juridik. Ekspertët dhe njohësit e çështjeve evropiane nuk presin dinamizimin dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE edhe për faktin e rritjes së krahut të djathtë ekstrem në Evropë.

Autor: Zenel Miftari

Maqedonia e Veriut nuk duhet t’i lidh shpresat te presidenca hungareze, e cila në gjashtë muajt e ardhshëm do të udhëheqë me Bashkimin Evropian, për zhbllokimin e rrugës evropiane të vendit. Pavarësisht se zgjerimi i Unionit mbetet ndër prioritetet kryesore të presidencës hungareze, kushti për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me RMV-në mbetet në fuqi, vendi duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në aktin më të lartë juridik.

“Bashkimi Evropian prej kohësh është angazhuar në sigurimin e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, pasi Komuniteti nuk mund të jetë i plotë pa aderimin e këtij rajoni. Nga integrimi i Ballkanit Perëndimor përfiton BE-ja në aspektin ekonomik, të sigurisë dhe gjeopolitik. Për të zgjeruar dhe thelluar më tej bashkëpunimin tonë, ne do t’i ftojmë partnerët tanë në konsultime si në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor ashtu edhe në kuadër të Komunitetit Politik Evropian”, thuhet në programin e presidencës hungareze të BE-së.

Në mars të vitit 2020, Këshilli Evropian miratoi vendimin për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa në dhjetor të vitit 2023, vendi përfundoi procesin e skriningut.

ZGJEDHJET NË BE (NUK)PREMTOJNË ZGJERIMIN

Në zgjedhjet evropiane të qershorit për Parlamentin Evropian megjithëse zgjerimi i Unionit nuk ishte në fokus, partitë fituese mbështesin anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane.

Por, ekspertët dhe njohësit e çështjeve evropiane nuk presin dinamizimin dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE edhe për faktin e rritjes së krahut të djathtë ekstrem në Evropë.

“Gjatë viteve të fundit, rritja e populizmit në Bashkimin Evropian mund t’i atribuohet një sërë faktorësh. Pasiguritë ekonomike të nxitura nga globalizimi dhe krizat financiare, kanë qenë ndër faktorët kryesore, duke lënë shumicën e popullsisë të ndihen të lënë pas dore. Çështjet që lidhen me emigracionin dhe identitetin kombëtar janë bërë të spikatura, dhe u kanë dhënë mundësi liderëve populistë të kapitalizojnë mbi shqetësimet rreth integrimit kulturor dhe sovranitetit kombëtar”, vlerëson Ivica Bocevski, ish diplomat.

Ai thotë se zgjedhjet evropiane treguan se BE-ja u kthye fort djathtas. “Është e vërtetë që partitë e qendrës dhe veçanërisht Partia Popullore Evropiane, fituan zgjedhjet, por përfundimi kryesor është se të gjitha ngjyrat euroskeptike të spektrit politik evropian hyjnë në Parlamentin Evropian të forcuar”, thekson Bocevski.

“Kjo nuk premton shumë për të ardhmen e zgjerimit të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, duket se BE-ja vonon të kuptojë se është e nevojshme të përfundojë zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor për arsye gjeopolitike dhe të parandalojë çdo lojë të fuqive joevropiane në zemër të Evropës. Zgjerimi mbetet politika e jashtme më e mirë evropiane dhe lufta në Ukrainë tregoi se sa dritëshkurtër ishte vendimi për të vonuar, madje edhe për të ndaluar, zgjerimin pas anëtarësimit të Kroacisë në Union”, thekson ai.

“TË VAZHDOJË MBËSHTETJA EKONOMIKE PËR BALLKANIN”

Nga ana tjetër, edhe ish-diplomati Muhamed Halili, deklaroi se edhe pse pritej që në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të triumfojnë partitë e ekstremit të djathtë përveç triumfit të këtyre partive në Francë në tërësi fitues doli grupi i partive popullore. Sipas tij, kjo fitore e krijon mundësinë që BE ta vazhdojë edhe më tej politikën e deritashme të zhvillimit ekonomik dhe zgjerimit të mëtejmë të BE-së posaçërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Përparësia qëndron në faktin se Ursula fon der Lajen ka gjasa maksimale ta vazhdojë edhe më tej rrugën e nisur si presidente e Komisionit Evropian. Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se nuk do të ndryshojë politika e zhvillimit ekonomik dhe plani i zhvillimit do të realizohet pikë për pike. Evropianët në tërësi nuk janë të kënaqur me atë çka ndodh në Maqedoni pas zgjedhjeve dhe koalicionit qeveritar i dërgojnë porosi për respektimin e Marrëveshjeve të Prespës dhe atë me Bullgarinë”, nënvizoi Halili.

Ai shtoi në fund se kryeministri Mickoski ende mban qëndrimin e tij mos t’u nënshtrohet diktateve bullgare derisa Bullgaria dhe Greqia i dërgojnë porosi kërcënuese vendit duke sinjalizuar se sërish vendi mund të gjendet para bllokadave të reja greko-bullgare.

Ekspertët shtojnë se procesi i zgjerimit mund të mbetet nën hije edhe për shkak të kalendarit politik. Respektivisht, një pjesë e mirë e presidencës hungareze do të kalojë derisa të emërohet Komisioni Evropian, që përbën krahun ekzekutiv të Unionit.

Ky proces përfshin seanca dëgjimore në Parlamentin Evropian për miratimin e komisionarëve të rinj, një nga secili shtet anëtar. Procesi pritet të zgjasë pothuajse gjithë vjeshtën.

Ndryshe, Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian, një prej organeve kryesore vendimmarrëse në BE, e cila përbëhet prej ministrave të qeverive të shteteve anëtare, e mban me rotacion secili prej vendeve anëtare për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Pas Hungarisë, kryesuese e radhës e BE-së nga 1 janari 2025 do të jetë Polonia.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

 

 

Të fundit