E shtunë, 20 Korrik, 2024

KUSH ËSHTË ZEQIRIJA IBRAHIMI – LIDERI I RI I ALTERNATIVËS?

Pas veprimit politik nga prapavija për gati një dekadë, 47-vjeçari Zeqirja Ibrahimi është zgjedhur të jetë në ballë të projektit politik Alternativa, parti të cilën vetë e ideoi. 

“Nëse vitet e ’91-2001 kishim luftë për barazi, nëse në vitet 2002-2008 kishim luftë për dinjitet institucional, nëse pas vitit 2011-të degraduam në korrupsion, varfëri, shpërngulje masive, në arsim të rrënuar dhe në jetë sociale kurrfare, në vitin 2024 ne po hapim një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Tashmë patriotizëm nuk është llafologjia, por ekonomia. Tashmë patriotizëm nuk janë ceremonitë e diplomimit, por janë listat e testimeve PISA dhe listat e rangimit të universiteteve.”, tha Ibrahimi pasi mori votat për ta drejtuar partinë në 4 vitet e ardhshme.

Kongresi i mbajtur në Kumanovë erdhi pasi kryetari paraprak, Afrim Gashi, u zgjodh për kryetar Parlamenti. Pasi Kushtetuta e RMV-së ndalon që kryeparlamentari të jetë njëkohësisht edhe kryetar partie, Gashi u tërhoq duke i lënë timonin e partisë bashkëpunëtorit të ngushtë – Ibrahimit.

Ibrahimi njihet si një nga hartuesit e platformës së partisë BESA, e themeluar në vitin 2015,  dhe i Alternativës së themeluar në vitin 2018, pas përplasjes me krahun e Bilall Kasamit. Para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të këtij viti, dy partitë sërish u bashkuan nën obrellën e koalicionit VLEN. Ky koalicion tashmë është pjesë e qeverisë së drejtuar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Në vitin 2017 ishte kandidat i BESËS për kryetar komune në Çair, por e humbi garën nga Visar Ganiu, ish-funksionar i BDI kurse tash poashtu pjesë e koalicionit VLEN nëpërmjet Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit.

Ibrahimi nuk ka marrë ndonjë pozicion në ekzekutiv, ndërkohë që nga viti 2016 ka qenë deputet në Parlamentin e RMV-së.

“Dikujt mund t’i duket utopike, por detyra ime – konform programit të Alternativës – është që ta ndihmojmë biznesin shqiptar, shqiptarët t’i bëjmë sa më të pasur, sepse ashtu imponohet cilësi e përgjithshme e jetës. Një shoqëri me bollëk ekonomik imponon edhe arsim cilësor, edhe shëndetësi cilësore, edhe jetë sportive të pasur, edhe kulturë të begatshme. Andaj, nëse duhet ta cilësojmë se çfarë do të jetë Altrnativa në vitet që vijnë, ajo do të jetë parti e arsimit dhe ekonomisë.”, tha Ibrahimi gjatë fjalimit të parë si kryetar partie. “Më në fund duhet ta kuptojmë se nuk bëhemi komb pa arsim dhe pa ekonomi. Zaten, kombi politik ndërtohet me kapital dhe me arsim, siç edhe shkatërrohet me varfëri dhe injorancë.”

Ibrahimi është doktor i shkencave filologjike dhe autor i disa publikimeve nga sfera e gjuhësisë. Ai është i angazhuar në Institutin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në Shkup dhe autor i disa punimeve shkencore.

Të fundit