E martë, 18 Qershor, 2024

BIDENI PARALAJMËRON BALLKANIN: KUSH PREK DEJTONIN, OHRIN, PRESPËN…CËNON SIGURINË AMERIKANE

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka ritheksuar përkushtimin e tij për paqe në Ballkanin perëndimor nëpërmjet respektimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë e Hercegovinë, Rezolutës 1244 në Kosovë, Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe Marrëveshjes së Prespës, të arritur midis Shkupit dhe Athinës në vitin 2018, raporton KDP. 

Biden, nëpërmjet një kumtese të publikuar në ueb-faqen e Shtëpisë Bardhë, rikujton se “më 26 qershor 2001, me Urdhrin Ekzekutiv 13219, Presidenti amerikan shpalli një emergjencë kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, në përputhje me Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente, për t’u marrë me kërcënimin e pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, e përbërë nga veprimet e personave të përfshirë në, ose që ndihmojnë, sponsorizojnë ose mbështesin dhunën ekstremiste në ish-Republikën e Maqedonisë (ajo që tani është Republika e Maqedonisë së Veriut) dhe gjetkë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ose vepron për pengimin e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje, Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të datës 10 qershor 1999 në Kosovë”.

Shtëpia e Bardhë poashtu rikujton se “Presidenti më pas e ndryshoi atë urdhër në Urdhrin Ekzekutiv 13304 të 28 majit 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me disa veprime që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë (ajo që tani është Republika e Maqedonia e Veriut)”.

“Më 8 qershor 2021, nënshkrova Urdhrin Ekzekutiv 14033, i cili zgjeroi fushën e emergjencës kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, të ndryshuar, duke konstatuar se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thotë Biden në deklaratën e publikuar në ueb-faqen e Shtëpisë së Bardhë.

Sipas tij, veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

“Për këtë arsye, urgjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, sipas të cilit u ndërmorën hapa shtesë në Urdhrin Ekzekutiv 13304 dhe që u zgjerua në urdhrin Ekzekutiv 14033, duhet të vazhdojë të jetë në fuqi pas datës 26 qershor 2024. Prandaj, në përputhje me neni 202(d) të Aktit Kombëtar të Emergjencave (50 U.S.C. 1622(d)), po e vazhdoj për 1 vit urgjencën kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Ky njoftim do të botohet në Regjistrin Federal dhe do t’i transmetohet Kongresit”, thotë Biden.

Ndryshe, sulmi i armatosur në veri të Kosovës (Banjskë) në vitin 2023, paralajmërimi për formimin e kuvendit gjithserb midis Republika Serpskës dhe Serbisë, tendencat për mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të Prespës në Maqedoninë e Veriut dhe të Rezolutës 1244 në Kosovë, vlerësohet se kanë nxitur administratën e Bidenit t’ua rikujtojë liderëve të rajonit se Washingtoni vazhdon të ketë fokusin në këtë pjesë të Evropës dhe çdo veprim kundër paqes është cënim i sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

Të fundit