E premte, 19 Korrik, 2024

FATI I MARRËVESHJES SË PRESPËS – GJASHTË VITE MË PAS

Shkruan: Xhelal Neziri

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Dafkova, u ul në karrigen e saj në Samitin e Paqes në Gjenevë të Zvicrës, duke mbajtur para vetes emrin e shtetit që përfaqëson, e ku shkruante “Republic of North Macedonia”. Pas më shumë se një muaji nga inaugurimi i saj në Parlament, ku shqiptoi emrin e vjetër të shtetit gjatë dhënies së betimit, Siljanovska-Dafkova duket se po “ateron” në realizmin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ku e drejta përcaktohet më shumë nga fuqia e një shteti, e më pak nga argumenti që ka.

Nga ana tjetër, edhe në Greqi po ulet toni i debatit rreth përdorimit të emrit të vjetër të shtetit nga ana e presidentes Siljanovska-Dafkova dhe mandatarit për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski. Duket se kundërshtimi i kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis ka qenë vetëm për nevoja të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (PE). Edhe Mitsotakis e ka të qartë se RMV-në nuk mund ta përjashtojë nga NATO, por edhe Mickoski e Siljanovska-Dafkova e kanë të qartë se nuk mund të ikin nga zbatimi i këtij dokumenti të rëndësishëm.

Marrëveshja e Prespës, që u arrit më 17 qershor të vitit 2018, solli anëtarësimin e vendit në NATO dhe zhbllokoi rrugën euro-integruese pasi hoqi veton greke në të dyja proceset. Nea Demokratia e Mitsotakisit njëjtë si VMRO-DPMNE-ja e Mickovski, në atë kohë, ishin opozitë e sot janë pushtet. “Opozita është poezi, kurse pushteti prozë”, do të thoshte kryeministri shqiptar Edi Rama. E kjo prozë e rëndë në marrëdhëniet ndërkombëtare quhet realizëm.

Realizmi ka karakterizuar marrëdhëniet ndërkombëtare në 150 vitet e fundit. Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe Lufta e Ftohtë, nuk arritën të krijonin një mjedis në të cilin institucionet ndërkombëtare do të luanin një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe shtetet do të udhëhiqen nga i ashtuquajturi moral ndërkombëtar. I forti vazhdoi të dominojë në kurriz të më të dobëtit. I forti definohet jo vetëm sipas numrit të popullsisë, por më shumë në bazë të ekonomisë dhe ushtrisë që ka. Në Greqinë e lashtë, historiani dhe gjenerali Tukididi besonte se marrëdhëniet mes shteteve dominohen nga më të fortit. Të fortët, sipas tij, bëjnë atë që duhet bërë, ndërsa të dobëtit e pranojnë atë që duhet pranuar.

Problemi i Maqedonisë së Veriut me Greqinë, por edhe me Bullgarinë, rrjedh nga qasja klasike realiste e vendeve fqinje, të cilat përdorin pozicionin e tyre më të fortë për të imponuar zgjidhje që janë brenda interesit të tyre të përcaktuar kombëtar. Maqedonia e Veriut po përballet me një marrëdhënie asimetrike me të gjitha këto vende, ku Greqia dhe Bullgaria përdorin pozicionin e anëtarësimit në NATO dhe BE për të imponuar zgjidhje ku më së shumti respektohen interesat e tyre shtetërore. Marrëveshjet me këto vende, sado të disfavorshme të duken, janë rezultat i përfshirjes së Uashingtonit dhe Brukselit në ato procese. Nëse do të ishte lënë e vetme, RMV do të përfshihej në dy skenarë: i pari – izolim total dhe regres, dhe i dyti – marrëveshje larg më të pafavorshme për vendin.

Këtë realitet me kohë, nga pozicioni i prozës së pushtetit, do ta lexojnë si Mickoski, ashtu edhe Siljanovska-Dafkova. Marrëveshja e Prespës meriton respekt edhe në Shkup edhe në Athinë. Është dokument që përmbylli një problem të hershëm, disadekadësh, zgjidhja e të cilit erdhi si rezultat i një impenjimi të madh ndërkombëtar.

Të fundit