E mërkurë, 3 Korrik, 2024

QEVERIA E RE MË 18 QERSHOR NË KUVEND, OSMANI RIKUJTON LEGJITIMITETIN SHQIPTARË

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Hristijan Mickoski ka njoftuar se struktura e qeverisë së tij do të dëryohet në Kuvend të martën e ardhshme, ndërsa të dielën, Komiteti Qendror dhe Ekzekutivi i VMRO-DPMNE-së do të konfirmojë emrat e ministrave të rinj. Gjatë një konference për shtyp, Mickoski deklaroi se partitë që do të përbëjnë qeverinë e re janë VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, ndërsa LSDM, BDI dhe E Majta do të jenë në opozitë.

Unë nuk do të flisja në emër të partive të tjera politike dhe në emër të partnerëve tanë të koalicionit, ata do ta thonë vetë atë që duhet të thonë. Sa i përket koalicionit “Maqedonia juaj” dhe VMRO-DPMNE, ne kemi strukturë organizative, vertikale, që funksionon në bazë të statutit dhe normalisht, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën. Këtë fundjavë, të dielën do të mbahet seanca e Komitetit Ekzekutiv dhe Qendror, vendimet e personelit do të prezantohen nga unë si mandatar, me biografinë e tyre. Pres që KQ dhe KE të prononcohen, dhe nëse prononcimi është pozitiv dhe i suksesshëm, të bëhet i ditur publikut. Lista zyrtare e Qeverisë së ardhshme, së bashku me programin e punës, do të dorëzohet në Kuvend më 18 qershor, e martë”, tha Mickoski.

Në anën tjetër, ministri aktual i Jashtëm Bujar Osmani, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve rreth zhvillimeve të fundit politike, ndër të cilat legjitimiteti i dhënë në zgjedhjet e 8 majit  është kryefjalë, tha se i njëjti është zemra e Marrëveshjes së Ohrit, pikë e rëndësishme e kësaj marrëveshje që ka për qëllim parandalimin e majorizimit.

Për cilëndo cështje që kërkohet dakordësim i popullit shqiptarë, diçka e tillë duhet bërë përmes përfaqësuesit legjitim. Andaj mund të prisni edhe në të ardhmen, cilatdo bisedime për të ardhmen e shtetit që kërkojnë pajtim edhe nga bashkësia e dytë etnike më e madhe në vend, kjo duhet bërë përmes përfaqësuesit legjitim. Ju mund të keni shok apo të preferuar në Qeveri, në koalicionin tuaj, por në emër të shqiptarëve mund të flasin vetëm ata që kanë marrë shumicën e votave.  Zemra e Marrëveshjes së Ohrit është respektimi i legjitimitetit, pra i vullnetit të bashkësive”, tha Osmani.

Osmani këshilloj Qeverinë e re që për sa kohë nuk i ndryshojnë dot marrëveshjet ndërkombëtare, të respektojnë realitetin dhe të dispozitat e marrëveshjeve në fjalë. Ai tha se në bazë të Marrëveshjes së Prespës, “Maqedonisë” mund të përdoret vetëm në aspektin etnik dhe jo shtetëror.

Mendoj se nuk ka hapësirë për interpretime të ndryshme të Marrëveshjes së Prespës.” Sjellja korrekte është të thuhet se “ ne ndoshta kemi pasur apo kemi dallime, por ky është realiteti.” Nëse kanë mënyrë se si të ndryshojnë realitetin, le të urdhërojnë, ky është process demokratik. Megjithatë, për sa kohë që nuk e ndryshojnë dot realitetin, i njëjti duhet respektuar”, tha Osmani.

Kujtojmë se sot Mickoski, përsëriti qëndrimin e partisë së tij, se nuk pranojnë diktate dhe ultimatume. Megjithatë, ai shtoj se marrëveshjet ndërkombëtare duhet respektuar, ngase të njëjtat nuk mund të kërkohet nga qytetarët të respektohen, poqë se të njëjtave nuk u përmbahen vetë ato.“Marrëveshjen e Prespës”, thotë se do ta respektojë, njashtu pret nga fqinji jugor, Greqia, ta bëj të njëjtën.

Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë,  diktate dhe ultimatume nuk pranojmë. Gabimin që bëri Qeveria aktuale, për fat të keq ka dëmtuar pozicionet e negociatave. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen dhe këtu nuk ka dilemë, mirëpo kjo është një rrugë me dy kahe. Marrëveshja është një akt mes dy palëve, mund të jetë edhe me më shumë palë, ndaj duhet palët ta respektojnë.  Poqë se  mendoni konkretisht për “Marrëveshjen e Prespës” edhe ne si Qeveri e ardhshme e respektojmë në detaje, gjithçka që ka të bëj me legjislativen dhe Kushtetutën, respektohet në detaje. Ju nuk mund të kërkoni nga qytetarët të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën, poqë se ju vetë i thyeni të njëjtat. Ne, po ashtu presim nga fqinji jonë jugor ta respektoj”, përfundoi Micskoski.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate për anëtarësimin në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Marrëveshja për ndryshimin e emrit u arrit në vitin 2017 dhe u zbatua në vitin 2019. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.

 

Të fundit