E shtunë, 20 Korrik, 2024

ARRIHET MARRËVESHJE PËR ZGJEDHJEN E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KËSHILLIT RAJONAL PËR BASHKËPUNIM

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se është arritur marrëveshje për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), gjegjësisht kandidati Amer Kapetanoviq nga Bosnja e Hercegovina është propozuar unanimisht nga 13 vendet pjesëmarrëse, transmeton KDP.MK

Jam i kënaqur që arritëm konsensus dhe e nominuam Amer Kapetanoviq për Sekretar të ri të Përgjithshëm të RCC. Si kryesues me Procesin jemi krenarë për këtë arritje. Me këtë veprim, ne  – pjesëmarrësit në Proces, dëshmuam se jemi të aftë ta ruajmë kredibilitetin  e pronësisë dhe lidershipit rajonal, të cilat i kemi ndërtuar në vitet që lam pas përmes kësaj iniciative të rëndësishme rajonale”, theksoi Osmani.

Ai shpjegoi se në këtë proces kishte pesë kandidatë dhe qëndrime të kundërta nga vendet pjesëmarrëse, duke shtuar se ky është një sukses i madh edhe për RCC-në, pasi ka pasur një ushtrues detyre të Sekretarit të Përgjithshëm në tre vitet e fundit. Sipas Osmanit, bashkëpunimi rajonal ishte dhe do të mbetet lartë në agjendën e politikës së jashtme si para ashtu edhe pas Kryesimit me PBEJL.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut po përfundon një tjetër presidencë të suksesshme të një iniciative ndërkombëtare, e cila filloi në korrik 2023 nën moton “Tejkalimi i përçarjeve, ndërtimi i besimit”.

Osmani përfundoi se bashkëpunimi në kuadër të PBEJL dhe RCC i pasuron marrëdhëniet dhe I promovon vlerat europiane ndërmjet pjesëmarrësve.

Shkupi e mbështet punën e RCC të cilën e konsideron si platformë unike për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe inkurajimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore“, përfundoi Osmani.

Të fundit