E martë, 18 Qershor, 2024

PUSHTETI SI LIRI E OPOZITA SI BURG

Shkruan: Xhelal Neziri 

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut ka kohë që votojnë me entuziazëm të madh për ndryshime, edhe pse e kanë të qartë se ato nuk do të ndodhin. Në dhjetor të vitit 2016 votuan për konceptin qytetar të LSDM-së dhe për të dërguar në burg funksionarët e korruptuar të VMRO-DPMNE-së. Sloganet si “s’ka drejtësi, s’ka paqe (нема правда,  нема мир)”, apo “do të vuani (ќе си лежите)” ngelën vetëm si grafite të bukura në muret e institucioneve të rrënuara nga keqmenaxhimi. As drejtësia erdhi, as reformat u zbatuan e as korrupsioni u luftua.

Pas gati tetë vite në pushtet, qytetarët votuan VMRO-DPMNE-në sepse dëshirojnë ndryshime, edhe pse e kanë të qartë se nuk do të ndodhin. Paramendoni, reforma e parë e qeverisë në ardhje është rritja e numrit të ministrive nga 20 në 24. Kjo është anti-reformë për shkak se rrit numrin e funksioneve edhe ashtu të tepërta, duke e bërë Maqedoninë e Veriut rekordere në rajon për numrin e ministrave në kabinetin qeveritar. Edhe pse numëron vetëm 1.7 milionë banorë, vendi ka më shumë ministra se Serbia tetëmilionëshe,  që ka 21 ministra, apo edhe nga Shqipëria tremilionëshe me vetëm 15 ministra. Ka kohë që te ne nuk ia gjejnë njeriun funksionit, por funksionin njeriut.

Te kampusi politik shqiptar duket se është devalvuar gati gjithçka. Programet, premtimet, zotimet dhe rrahagjokset parazgjedhore harrohen paturpësisht në momentin që kuptohen rezultatet. Në zgjedhjet e fundit as që u shpërndanë ato programe në forma të shkruara e as nuk u dërguan në postat elektronike të qytetarëve. E dinë se qytetarët nuk u besojnë në atë që shkruajnë, andaj mirë bënë që nuk harxhuan letrën kot. Por çështja mbetet se për çfarë angazhohen? Për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por si? Sa për jetën e tyre të luksit, e dinë të gjithë.

Kryetema e këtyre zgjedhjeve ishte legjitimiteti shqiptar. E ka Fronti Evropian me 18 deputetë, nga të cilat 15 janë shqiptarë, apo VLEN me 14 deputetë. U thanë fjalë të mëdha, madje u polarizua edhe shoqëria shqiptare. Ky debat vazhdon me fokusin se KUSH duhet t’i përfaqësojë shqiptarët në pushtet, e jo SI duhet t’i përfaqësojë. VLEN që kërkojnë rotacion pushteti, apo ndryshim, e kupton atë si “dil ti, të futem unë”, kurse Fronti Evropian e kupton opozitën si burg, e jo si mundësi të një politikbërje pak më kreative dhe më aktive. Madje, lideri joformal i VLEN, Arben Taravari, me ose pa vetëdije (mbase nënvetëdija e Frojdit në të foli), në emisionin Click Plus në TV21 tha se “opozita për burra është”. Pra pushteti do të thotë LIRI, kurse opozita BURG.

Andaj nuk është për t’u habitur votimi i gjashtë deputetëve të Frontit Evropian në opozitë për Ligjin e organizimit të administratës shtetërore, me të cilin barten administratorë e kompetenca andej-këndej, që në fund të rritet numri i funksioneve, pagave të rritura ministrore, veturave zyrtare, reprezentacioneve… Në momentin kur debati i legjitimitetit ishte në kulmin e tij, VMRO-DPMNE-së iu sigurua një shumicë prej 88 deputetësh, 8 më shumë sesa i nevojiteshin për të kaluar ligjin sistemor. Opinioni as që kërkon dikush të tregojë se çfarë ndodhi me Frontin Evropian opozitar, a ka “deal” për votat e dhëna, nëse po – çfarë përmban ai që duket të jetë më i rëndësishëm se legjitimiteti i shumëpërfolur…

Në tërë këtë gjurulldi, mandatari Hristijan Mickoski duket se është njeriu më i lumtur. Përveç se mori pushtetin lokal dhe presidencën, ai gëzon përkrahjen nga gati të gjitha partitë: VLEN dhe ZNAM i ka në koalicion, LSDM e ka aleat në “planet afatgjata”, kurse Frontin Evropian e ka kundërshtar për ndeshje miqësore. Ai të martën do të paraqesë programin dhe emrat e ministrave. Nëse mendon se njerëzit presin ndryshime pozitive, gabon shumë. Njerëzit e votuan pasi nuk mundën të duronin dezorganizimin e qeverisë Kovaçevski, nga tollovia me ndërrimin e dokumenteve personale e deri te korrupsioni i metastazuar të çdo segment të sistemit shtetëror. Një pjesë e hejterave, pra e atyre që urrejtjen në baza etnike e kanë profesion, kishin për motiv që BDI-në ta dërgojnë në opozitë. Por e përbashkëta e të gjithë shtetasve, pa dallim nëse dhe kë votuan, është se nuk presin asgjë spektakolare nga qeveria e re VMRO-VLEN-ZNAM.

 

Të fundit