E enjte, 20 Qershor, 2024

REFORMAT NË ADMINISTRATË FILLOJNË NGA DREJTORËT

Në reformat që planifikon Mickoski dhe partnerët e tij qeverisës ka një dilemë: a dëshiron vërtetë ta reformojë administratën, apo dëshiron të heqë “të tjerët” e t’i zëvendësojë me “të vetët”?

Shkruan: Xhelal Neziri

Kryeministri në ardhje i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, paralajmëroi një reformë themelore të strukturës së qeverisë, duke bartur e lëvizur kompetenca nga njëra në tjetrën apo duke mbyllur një e hapur një tjetër dikaster. Një hap i pritshëm dhe legjitim i një politikani që ka marrë mbështetjen për të drejtuar vendin në katër vitet e ardhshme dhe për të sjellë rezultatet që i ka premtuar në zgjedhje.

Çka do të refromohet?

Në këtë pako reformash pritet të rishikohet edhe i ashtuquajturi “balancuesi”, një formulë që llogarit punësimet e reja në përputhje me obligimin nga Marrëveshja e Ohrit për përfaqësim të drejtë të etnive në administratën publike. Para zgjedhjeve Mickoski madje paralajmëronte se do të kushtëzojë çdo koalicion me cilëndo parti shqiptare me heqjen e “balancuesit” për shkak se mundëson punësim në baza etnike, me ç’rast nuk merret parasysh kualiteti. Ky antagonizëm sikur dërgon porosi në opinionin publik se çdo punësim i bërë nëpërmjet “balancuesit”, apo si obligim i Marrëveshjes së Ohrit, nuk është kualitativ dhe se paraqet problem për funksionimin efektiv dhe efikas të administratës. Ka një pjesë të vërtetës këtu për shkak se nëpërmjet këtij mekanizmi, që nga 2002 janë punësuar ushtarë partiak e jo ata apo ato që kanë qenë më meritorë. Por ka edhe një fakt tjetër – se edhe punësimet jashtë Marrëveshjes së Ohrit kanë kaluar nëpërmjet zyrave të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Selitë partiake ka kohë që janë shndërruar në ente punësimi, ndërkohë që ideologjia e tyre është vetëm sa për të qenë.

Në reformat që planifikon Mickoski dhe partnerët e tij qeverisës ka një dilemë: a dëshiron vërtetë ta reformojë administratën, apo dëshiron të heqë “të tjerët” e t’i zëvendësojë me “të vetët”?

Administrata shtetërore është thjesht aparat që kryen shërbime në interes dhe nevojë të qytetarëve. Si deputet në Parlament mund të zgjidhet një bujk, një person pa arsim adekuat, një sportist apo poet, profile që nuk kanë lidhje me sistemin politik. Ato zgjidhen për të zbatuar idetë e promovuara, që kanë marrë mbështetje nga votuesit. Pra, t’i përfaqësojnë ato. Për t’u zgjedhë deputet nuk ka kushte në kuptimin e kualitatit apo shkollimit. Mjafton t’i bindish votuesit të të përkrahin, apo në rastin tonë – ta bindish liderin të të vë në listën e kandidatëve, edhe atë sa më lartë. Në pjesën e zbatimit të ideve dhe programeve janë ministrat, të cilat duhet të jenë ekspertë në dikasteret e tyre, por më e rëndësishme në këtë hark është administrata profesionale. Nëse administrata nuk është profesionale, atëherë nuk funksionon i tërë sistemi. Njëjtë sikur të keni blerë një makinë të bukur për t’u shërbyer të lëvizni nga pika A në atë B, por pjesët e saj nuk kryejnë si duhet funksionin e tyre dhe, si rrjedhojë, e tërë makina nuk funksionon.

Në këtë kontekst, Marrëveshja e Ohrit më shumë ka të bëjë me përdorimin e gjuhës nga ana e “aparatit shtetëror” sesa aspektin social – punësimin e një personi nga një etni e caktuar. Me fjalë tjera, nevojiten administratorë që janë në funksion të qytetarit, u kryejnë punë atyre, flasin në gjuhën e tyre dhe ua kuptojnë kontekstin lokal. Njëjtë si në mjekësi: kur shkojmë në spital nuk kërkojmë doktorin maqedonas, shqiptar, turk apo ndonjë nga etnitë tjera në vend, por kërkojmë më të mirin.

Ndryshimi fillon nga koka

Që kjo reformë në administratë të realizohet, Mickoski dhe partnerët e tij në qeveri duhet të nisin nga koka. Pa asnjë vonesë duhet të miratojë Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili me ndihmën e ndërkombëtarëve është hartuar që nga viti 2018. Bëhet fjalë për ligj, me të cilin drejtorët në kuadër të administratës nuk do të caktohen nga partitë, por do të zgjidheshin me konkurs. Juria që do të vlerësonte se cili aplikues meriton të drejtojë një institucion të caktuar, do të duhej të përbëhej nga njerëz me integritet personal e profesional, të cilët do të zgjidheshin nga Parlamenti, do të delegoheshin nga universitetet, institutet, e pse jo edhe nga shoqëria civile. Në kontekst të Marrëveshjes së Ohrit, do të duhej që të njohë gjuhën maqedonase, si gjuhë e parë zyrtare, dhe atë shqipe – si gjuhë e dytë zyrtare. Këto drejtorë nuk do të zgjidheshin me mandat, por do të angazhoheshin si të përhershëm, ndërkohë që lëvizja e tyre në hierarki do të varej nga rezultatet që do të tregonin.

Ky ligj nuk është përmendur në fushatë nga gati asnjëra parti politike. E kuptueshme për shkak se brenda çdo partie ka “bukëngrënës”, që presin në radhë për të marrë pozitën “e merituar”.

Nëse agjenda e integrimit evropian është vërtetë prioritet i qeverisë Mickoski, atëherë nuk do të mund t’i ikë edhe këtij ligji. Ashtu siç do të lëvizë drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE), do të bëhet e paevitueshme nevoja që Maqedonia e Veriut të ketë një administratë të aftë për të zbatuar ligjet dhe politikat të lidhura me Unionin. Kjo mund të shihet nga anëtaret më të reja të BE-së, të cilat u detyruan të bëjnë këtë reformë të vështirë me qëllim që të sigurojnë se të gjitha ligjet e harmonizuara do të zbatohen me efikasitet dhe do të japin rezultatet e pritura.

Modeli kroat

Si veproi Kroacia, anëtari i fundit i BE-së që përmbylli procesin e negociatave në vitin 2013? Fillimisht hartoi një ligj të ri të administratës, i cili kishte për qëllim departizimin e shërbimit civil dhe sigurimin e një transparence më të madhe në përzgjedhjen e të punësuarve, në përshkrimin e vendit të punës dhe në zhvillimin dhe menaxhimin e karrierave. Administrata e Kroacisë ka kaluar nëpër tri faza të reformave: e para është ngritja e saj në periudhën 1990-1993, e dyta përfshin konsolidimin në periudhën 1993-2001 dhe e treta – evropianizimin që përfundoi me anëtarësimin e vendit në BE. Periudha e evropianizimit u zhvillua rrënjësisht në vitin 2008, kur edhe u miratua strategjia e reformimit të administratës në përputhje me kriteret e BE-së. Administrata e institucioneve qendrore kroate në atë 60.500 shërbyes civilë, me 15 ministri, 9 organizata shtetërore dhe 4 zyra nacionale. Në nivel lokal, administrata e komunave ka numëruar 11.000 shërbyes civilë, të angazhuar në 429 komuna, 126 qytete dhe 20 qarqe. Në total, Kroacia ka filluar reformat me 71.500 administratorë, edhe pse është vend më i madh se Maqedonia e Veriut, e cila duhet ta nisë këtë proces me plot 110.000 administratorë. Në nivel lokal Maqedonia e Veriut ka diku 7 mijë administratorë, ndërkohë që të tjerët janë në nivel qendror. Pra, administrata e vendit është diku për 40 mijë më e madhe sesa e Kroacisë në vitin 2008.

Ka edhe një dallim midis Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut: nëse e para ka zbatuar me përpikëri strategjinë e administratës, vendi nuk mund të lavdërohet me një gjë të tillë. Evaluimi i Strategjisë 2018-2022 dëshmon për një “lodhje nga reformat” te institucionet bartëse të zbatimit të tyre. Propozimet për ndryshimet e ligjeve që rregullojnë administratën dhe propozimi për sjelljen e Ligjit për shërbim të lartë udhëheqës vazhdojnë të ngelin të pamiratuara, ndërkohë që zbatimi i ligjeve aktuale ose është formal ose nuk jep rezultatet e pritura.

Brukseli do të matë nivelin e zbatimit në tre dimensione: atë të harmonizimit me ligjin evropian, të zbatimit të ligjeve të harmonizuara dhe rezultatet nga ato ligje. Pikërisht zbatimi dhe rezultati varen në masë të madhe nga kualiteti, profesionaliteti dhe efikasiteti i administratës.

Nëse qeveria Mickoski ka për qëllim vërtetë të reformojë administratën, atëherë qëllimet e strategjisë së re duhet të definohen qartë dhe duhet të jenë në përputhje me kriteret evropiane të shërbimit civil. Së këndejmi, ky dokument duhet të ketë për qëllim rritjen e efikasitetit të administratës, rritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e ndjeshmërisë së administratës ndaj nevojave të qytetarëve, rritjen e nivelit etik dhe reduktimin e korrupsionit, digjitalizimin e shërbimeve, shtetin ligjor dhe institucionet demokratike.

Mbi të gjitha, Maqedonia e Veriut mund të ndjekë modelin kroat të reformave në administratë, i cili ka disa shembuj të mirë si: bashkëpunimi midis botës akademike dhe institucioneve shtetërore, angazhimi i ekspertëve të njohur në fusha specifike nga shoqëria civile, liderë të fuqishëm reformues dhe parti të dedikuara për reformat.

Të fundit