E shtunë, 29 Qershor, 2024

MICKOSKI PËR REFORMAT NË GJYQËSOR: LLOGA I KËRKOI KUADROT NË LOKACION TË GABUAR NË “GOOGLE MAPS”

Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe mandatar për përbërjen e qeverisë së re, Hristijan Mickoski, tha sot në Shkup se ministri në largim i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka pasur shans të mirë të reformojë gjyqësorin, por se kuadrot i ka kërkuar në lokacion të gabuar në Google Maps.

Kjo, sipas tij, ka rrënuar besimin në sistemin gjyqësor dhe se reformat rrënjësore tashmë janë të paevitueshme.

“Tani në vend të tij do të vijë dikush tjetër, i cili shpresoj se do të jetë në gjendje ta bëjë besimin në gjyqësor të paktën dyshifrorë dhe shumë dyshifrorë. Fatkeqësisht, në vend që të punonte për qytetarët, ai vendosi që Zajazi të jetë terreni pjellor, nga i cili do të angazhohet personeli në prokurori dhe drejtësi. Unë mendoj se ai gjeti një lokacion të keq në Google Maps”, tha Mickoski.

Loga ndërkaq, në një intervistë për “360 gradë” të transmetuar të hënën (10 qershor), ka shpjeguar arsyet e dërgimit të letrës drejtuar Brukselit dhe Uashingtonit, për të shprehur shqetësimin nga planet e qeverisë së re për ta marrë kontrollin mbi gjyqësorin. Ai ka thënë se ka frikë se partia e re në pushtet mund të shpërndajë Këshillin Gjyqësor.

Lidhur me faktin se vitin e kaluar ai personalisht ka iniciuar ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Lloga ende thotë se për këtë është biseduar edhe me VMRO-DPMNE-në, por propozimi më pas është refuzuar nga ana e tyre. Sipas tij, shtrohet pyetja – pse atëherë partia e Hristijan Mickoskit ishte kundër, e tani është “për” këtë propozim në një formë tjetër.

Nga ana tjetër, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para fillimit të seancës së Kuvendit të Përgjithshëm të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), në të cilën ishte ftuar të marrë pjesë si mysafir, nga Mickoski u kërkua të komentojë deklaratën e Llogës se është kundër njoftimeve të VMRO-DPMNE-së për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.

“Sa i përket mendimeve të ekspertëve, ato janë gjithmonë të mirëseardhura tek ne, sigurisht që nuk do të hyjmë në këtë proces pa dëgjuar mendimet e ekspertëve. Në fund të fundit, si profesor universiteti, e konsideroj veten një ekspert të caktuar në një fushë të caktuar. Por në të njëjtën kohë, si ekspert, kur deklaroj një problem, ofroj edhe një zgjidhje, sepse nëse ju deklaroni vetëm një problem dhe nuk ofroni një zgjidhje, atëherë ai në thelb është një fakt dhe do të duhet ta pranoni si një fakt. Ky nuk është problem, është fakt. Kështu që pres që në atë debat me ekspertët të dëgjojmë edhe zgjidhjet e problemeve që ata mund të vënë në dukje”, ka thënë Mickoski.

Lloga i përgjigjet Mickoskit

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Llogës.

 

“I nderuar mandatar,

 

Fati i juaj që të bëheni kryeministër që nga viti 2020 ishte midis Zajasit dhe Reçicës së Vogël, ndonjëherë edhe selia juaj ishte aty, prinë e ngrirë para gjykatës. Ndoshta edhe kishit të drejtë, por atëherë fati, sipas njerëzve tuaj, varej në ato koordinata.

I nderuar z. Mickoski,

Unë jam përgjegjës për Ministrinë e Drejtësisë që nga data 01.03.2023 dhe përgjegjësia ime është e kufizuar për shkak të faktit që të gjithë ata kuadro me të cilët ju po spininoni, janë të punësuar si pjesë e qeverisjes tuaj nga viti 2006 deri më 2017, disa nga “tefterçja” e Gordes, disa nga gjyqësori “svarovski” të cilin ju e ndërtuat për më shumë se një dekadë. Dhe në fund, sistemi gjyqësor ende nuk mund të ngrihet në këmbë për shkak të njeriut për të cilin ju shërbyet si Sekretar i përgjithshëm, respektivisht njeriut që ju zgjodhi të bëheni kryetar i VMRO-DPMNE. Edhe 1 miliard euro nga ai do t’ju vijë, dhe vizita e parë zyrtare do të jetë nga ana e kujdestarit të tij”, ka shkruar Lloga në Facebook.

 

Të fundit