E premte, 26 Korrik, 2024

PRITJA E GJATË DHE ZHGËNJIMI ULËN MBËSHTETJEN PËR BE-në

Shifrat tregojnë se në Maqedoninë e Veriut është ulur ndjeshëm mbështetja e qytetarëve për anëtarsim në Bashkimin Evropian. Ndërsa në vitin 2014, 80% e qytetarëve ishin “pro” anëtarësimit, në vitin 2024, 68% e qytetarëve do të votonin “për” t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane. Ish ambasadori, Muhamed Halili deklaroi për Eurothink se qytetarët janë të dëshpëuar për shkak të pritjes së gjatë përpara dyerve të BE-së. Ndërsa analisti politik Samet Shabani tha se qytetarët janë të zhgënjyer me qeveritë që gjatë mandateve premtojnë rrugën drejtë BE-së por nuk e realizojnë.

Autore: Anëmsha Shabani

Në Maqedoninë e Veriut mbështetja e fortë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) po zvogëlohet, tregon anketa e fundit e Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI).

Rezultatet e anketës shkurt-mars, të cilën grupi hulumtues me seli në Uashington e zbatoi në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, vijnë në kohën kur rajoni po përballet me tensione të reja etnike, në kushte të ngadalësimit të zgjerimit të BE-së dhe rritjes së ndjenjave proruse.

Megjithatë, shifrat tregojnë se në vitin 2014, 80% e qytetarëve ishin “pro” anëtarësimit, ndërsa në vitin 2024, 68% e qytetarëve do të votonin “për” t’iu bashkuar familjes së madhe evropiane. A kanë ndryshuar mendim qytetarët apo rrethanat politike sollën deri te zhgënjimi?!

Shqiptarët dhe maqedonasit – të ndarë sa i përket dëshirës për në BE

Ish ambasadori, Muhamed Halili deklaroi për Eurothink se qytetarët janë të dëshpëuar për shkak të pritjes së gjatë përpara dyerve të BE-së. “Maqedonasit janë të dëshpëruar me BE-në sepse ajo i gënjeu duke u premtuar anëtarësim në NATO dhe BE. Ndërkaq, anëtarësimi në NATO ndodhi, por për në BE u bë një pritje e gjatë. Maqedonia që nga viti 2005 është vend kandidat për në BE dhe për shkak të pengesave të fqinjëve nuk e realizon këtë ëndërr”, tha Halili.

Ndërsa, sa u takon shqiptarëve, ai mendon se shqiptarët një dekadë u mashtruan nga elita politike e pushtetit shumëvjeçarë.

“Që moti ata e kanë shpallur veten parti tematike kinse për integrim në BE dhe integrimi nuk po vjen. Një dekadë të tërë BDI ka qenë e përfshirë në Qeveri me sektorin e integrimeve evropiane dhe integrimi askund, një dekadë udhëheqin me Ministrinë e  Jashtme dhe asgjë. Krimi dhe korupsioni i udhëheqësve të lartë çdo ditë e më tepër rritet, njerëzit varfërohen dhe shikimin e kanë drejtuar kah Evropa duke ëndërruar për një të ardhme më të mirë” shtoi ai.

Qytetarët, të dëshpëruar apo të trembur me BE-në?!

I pyetur nga Eurothink se a janë të dëshpëruar qytetarët nga BE-ja, analisti politik Samet Shabani tha se qytetarët janë të zhgënjyer nga qeveritë që gjatë mandateve premtojnë rrugën drejtë BE-së.

“Qytetarët nuk janë të dëshpëruar me Bashkimin Evropian, por me qeveritë që gjatë tërë mandateve vetëm premtojnë Bashkim Evropian. Andaj, këtë rënie të përkrahjes për BE-në e vlerësoj më shumë si shprehje revolti ndaj qeverisë se sa ‘ndryshim mendje’ ndaj perspektivës evropiane. Qytetarët mirë e dinë se BE-ja do të thotë sundim i ligjit, shfarosje e krimit dhe korrupsionit si dhe rritja e mirëqenies”, theksoi Shabani.

Ai shtoi se përkrahja do të rikthehet në gjendjen e mëparshme kur qeveritë në këtë shtet thelbësisht do të përkushtohen të krijojnë rend evropian.

“Nëse qeveria që kishte mandat shtatë vjeçar do të vepronte aq sa fliste për BE-në, sigurisht që do kishte zhvillim të ndjeshëm për qytetarin, dhe kjo do reflektonte përkrahjen e natyrshme të lartë edhe në kësisoj anketime. Sigurisht që BE do të shtronte presion ndaj Bullgarisë që të mos ta pengojë kështu rrugëtimin tonë në BE. Qeveria ‘evropiane’ shtatë vjeçare nuk i dha asnjë arsye BE-së për të çuar proceset përpara. Mbase, e kishte më lehtë të fajësonte Bullgarinë se sa vetveten”, përfundoi ai.

Nga ana tjetër, ish diplomati Muhamed Halili vlerëson se qytetarët po tremben nga mosefikasiteti i shtetit të së drejtës.

“Qytetarët  nuk janë të trembur nga tatimet e mëdha që paguhen në BE sepse e dinë se me fondet e ndryshme evropiane ato i kthehen sërish shtetit por tremben nga mosefikasiteti i shtetit të së drejtës. Të ashtuquajturat listat e zeza amerikane nuk e japin efektin e tyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit kurse shteti vetë nuk mund të gjejë mekanizma përkatës” thekson Halili.

Ballkani Perëndimor i ndarë?!

Anketa e IRI-t tregoi se, me përjashtim të Serbisë, një shumicë e madhe në pesë vendet e Ballkanit megjithatë do të votojnë për inkuadrim në BE.

Mbi 90% e qytetarëve në Shqipëri dhe Kosovë duan që vendet e tyre të ndjekin pa mëdyshje rrugën drejt BE-së dhe kursin properëndimor, ndërsa vetëm 10 për qind e të anketuarve në Serbi e kanë dhënë të njëjtën përgjigje.

Sa i përket Serbisë, duket qartë që ka një ndarje nga vendet e tjera të Ballkanit. Shumica e serbëve të anketuar theksuan se duan që Serbia ose të mbajë lidhje me Rusinë ose të ndjekë një politikë të jashtme proruse.

Ndër të tjera, anketa ka treguar se 39 për qind e boshnjakëve dhe 36 për qind e malazezëve mbështesin  pa mëdyshje kurs properëndimor.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Të fundit