E shtunë, 27 Korrik, 2024

BDI: VULLNETI I POPULLIT SHQIPTAR DHE I KOMUNITETEVE NUK ËSHTË LODËR QË I PËRKET VMRO-së

Është skandaloze narrativa ofendues e VMRO DPMNE-së që konfirmon shkeljen flagrante të vullnetit të shprehur zgjedhor të  popullit shqiptar dhe komuniteteve tjera etnike, bashkimi i të cilëve në Frontin Europian rezultoi të jetë forca e dytë politike në vend, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), transmeton KDP.MK

Bashkimi Demokratik për Integrim është i skandalizuar nga narrativi ofendues i VMRO DPMNE-së që konfirmon shkeljen flagrante të vullnetit të shprehur zgjedhor të  popullit shqiptar dhe komuniteteve tjera etnike, bashkimi i të cilëve në Frontin Europian rezultoi të jetë forca e dytë politike në vend ”.

Sipas tyre, “narativa antishqiptar e VMRO-DPMNE-së, e krijuar në këtë shtatë vjeçarin e fundit, ka krijuar pasqyrë të shtrembëruar, të pasaktë, dhe të rrezikshme për vendin tonë”.

Sa i përket shprehjes skandaloze “Ahmeti të ndalojë të sillet si fëmijë i lazdruar që qan pas lodrës që nuk është e tij”, VMRO DPMNE duhet ta ketë të qartë se Qeveria nuk është lodër në duart e tyre dhe askujt tjetër dhe shkelja e vullnetit të sovranit është antidemokratik dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit.

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet konsistent në qëndrimet për respektimin e votës së popullit shqiptar dhe komuniteteve tjera etnike, pasi kjo është garanca e vetme e stabilitetit dhe vazhdimësisë progresive të vendit.

Ky shtet është i përbashkët dhe të gjithë duhet të japin kontribut për marrëdhënie të shëndosha ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thonë nga BDI.

Ndryshe, dje pas konferencës për shtypit të Ali Ahmetit, nga partia e Mickoskit thanë se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së ndaj BDI-së nuk ka lidhje me qëndrimin ndaj shqiptarëve.

Nga VMRO-DPMNE thonë se nëse dalja e BDI-së në opozitë është shkelje e Marrëveshjes Kornizë, atëherë edhe Ali Ahmeti e ka shkelur atë kur vendosi ta lërë VMRO-DPMNE-në jashtë qeverisë dhe nuk respektoi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.

Nuk ka as majorizim, as shovinizëm, as nuk ka rëndësi që Ahmeti është ndjerë i ofenduar, e rëndësishme është që vullneti i shumicës është që BDI të shkojë në opozitë dhe të përballet me përgjegjësi. Respektimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk ka të bëjë me faktin nëse BDI është pushtet apo opozitë. Ahmeti duhet të mos sillet si një fëmijë lazdran që qan për një lodër që nuk është e tij, sepse VMRO-DPMNE nuk është LSD dhe as largimi BDI-së nuk ka lidhje me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve. Sepse BDI nuk janë vetëm shqiptarët në Maqedoni, BDI është segmenti që ka vjedhur si nga shqiptarët ashtu edhe nga maqedonasit”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se këto përplasje vijnë në kontekst të publikimit të marrëveshjes për formimin e qeverisë së re mes VMRO-DPMNE-së, dhe koalicionit “VLEN”, ndërsa ka mundësi që edhe Lëvizja Znam të bëhet pjesë e shumicës.

Presidentja e re e vendit Gordana Siljanovska-Davkova deri më 7 qershor pritet t’ia besojë mandatin për formimin e Qeverisë kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit. Ai, në afat prej 20 ditëve duhet t’i paraqesë Kuvendit programin për përbërjen e Qeverisë, pra më së voni deri më 27 qershor dhe më pas Kuvendi ta votojë.

Këtë procedurë e përcakton neni 90 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet edhe para këtyre afateve, konkretisht deri më 20 qershor.

Në anën tjetër, ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, të ejten deklaroi se Bashkimi Evropian (BE) pret formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re e cila duhet t’i përvesh mangët dhe t’i zbatoj reformat të cilat do ta shpijnë vendin drejt BE-së.

Nuk dua të komentoj, nuk është puna ime të komentoj zhvillimet politike, deklaratat e liderëve politik në vend. Ajo që mund të them është se kishte një mision të madh ndërkombëtarë për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vlerësimi i tyre preliminar është se zgjedhjet ishin demokratike, të qeta dhe u organizuan në mënyrë demokratike. Me padurim presim publikimin e raportit final të misionit vëzhgues ku do të ketë sugjerime dhe rekomandime, të cilat është e rëndësishme që të zbatohen. Ajo që mund të them është se presim formimin e një qeverie stabile e cila duhet sa më shpejtë të formohet. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë, ajo qeveri ti përvesh mangët dhe ti zbatoj reformat që kërkohen dhe shpijnë vendin tuaj drejtë BE-së”, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir.

 

 

Të fundit