E shtunë, 27 Korrik, 2024

SPANJË: MIRATOHET LIGJ PËR AMNISTIMIN E KATALANËVE

Parlamenti i Spanjës i ka dhënë të enjten miratimin përfundimtar një ligji të diskutueshëm amnistie për qindra separatistë katalanas të përfshirë në përpjekjen e paligjshme dhe të pasuksesshme të shkëputjes në vitin 2017.  Legjislacioni u mbështet në dhomën e ulët nga qeveria e koalicionit të krahut të majtë të Spanjës, dy parti separatiste katalanase dhe parti të tjera më të vogla, – përcjell kdp.mk njoftimet e agjencive të lajmeve. Ligji kaloi pavarësisht se Partia Popullore konservatore dhe e djathta ekstreme Vox votuan kundër. Nga amnistia duhet të përfitojë ish-presidenti rajonal katalanas, Carles Puigdemont dhe qindra të tjerë.

Bëhet e ditur se me 177 vota “pro” dhe 172 “kundër”, Parlamenti spanjoll miratoi ligjin për amnisti me të cilin do të ndërpriten përndjekjet gjyqësore të katalanasve të cilët më 2017-ën organizuan referendumin e ndaluar për pavarësinë.

Qeveria e majtë spanjolle e prirë nga kryeministri Pedro Sánchez paralajmëroi që para gjashtë muajsh nxjerrjen e ligjit me të cilin do të përfshiheshin rreth 370 katalanas, por ai juridikisht u kundërshtua dhe në parlament u kontestua nga e djathta, prandaj vetëm tani u bë votimi përfundimtar.

Sanchez tha më parë se ky ligj do të çonte në pajtim dhe bashkëjetesë në provincën autonome prej 7.5 milionë banorësh. Partitë e krahut të djathtë organizuan të dielën në Madrid një protestë ku, sipas vlerësimeve të tyre, u mblodhën 80.000 demonstrues, ndërsa sipas qeverisë Sanchez, 20.000. Partia Popullore e qendrës së djathtë dhe e djathta Vox akuzuan Sanchezin për “tradhti”.

“Sot është një ditë historike. U fitua beteja në konfliktin prej shekujsh midis kombit katalan dhe spanjoll”, – deklaroi ithtarja katalanase e pavarësisë Miriam Nogueras gjatë debatit parlamentar.

Partitë që angazhohen për pavarësinë e Katalonjës, një nga pjesët më të pasura të Spanjës, dështuan në zgjedhjet rajonale të mbajtura para dy javësh. Socialistët e Sanchezit fituan më shumë vota, por jo aq sa për të formuar vetë qeverinë. Aktualisht po zhvillohen diskutime për formimin e qeverisë.

Gjatë 14 viteve të fundit Katalania ka pasur një qeveri e cila angazhohej për shkëputje nga Spanja.

Ish-kryeministri i Katalanisë, Carles Puigdemont, i cili ndodhet në mërgim në Belgjikë, më 2017-ën shpalli republikën e pavarur të Katalanisë, por kjo shpallje nuk u zbatua.

Qeveria pakicë e Sanchezit në Spanjë varet në parlament nga mbështetja e partive pro-pavarësisë, përfshirë partinë “Bashkë për Katalaninë”, së cilës i përkasin Puigdemont dhe Nogueras.

Të fundit