E martë, 18 Qershor, 2024

MAQEDONI: QEVERISË SË RE I DUHET NJËQINDITËSHI, POR…

Natyrisht se koha ka për të dëshmuar marrëveshjen më të re VMRO-DPMNE&VLEN. Qeverisë dhe pushtetit të ri i duhet dhënë atë njëqinditëshin e famshëm, ama riorganizimi i pushtetit, çfarë e ka paralajmëruar Kryeministri i ardhshëm, dhe kursi që po duket në raport me fqinjët, sikur do t’i nxjerrë punë opozitës së re, sidomos asaj shqiptare, për shkak se nuk ka dyshim se veprimet e pritshme në të dyja planet, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, do të jenë të kapshme dhe të matshme. Pushteti matet me atë që bën e jo atë që thotë se – ka për ta bërë!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Këtë të martë të 28 majit 2024, kur konstituohet legjislatura e 11-të e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me fitoren absolute, të dyfishtë të VMRO-DPMNE-së (në Presidencialet dhe Parlamentaret), dhe me një polarizim të imponuar (nga partia e z. Mickoski) ndërshqiptar e pse jo edhe maqedono-shqiptar, shtrohet çështja e filozofisë së strategjisë së veprimit politik, edhe atë në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Jam ndër ata që mendojnë se “fituesit i përkasin të gjitha”, por ma thotë mendja se mënyra se si u shënua kjo fitore e së djathtës maqedonase dhe hapat e pare drejt (ri)organizimit të pushtetit doemos që do të prodhojnë diçka më shumë se “stuhi në gotë”. Në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Për shkak se duket ashiqare se po instalohet (në pushtet) një grupim interesxhinjsh, relativizuesish dhe balansuesish që nuk është se janë për t’ua pasur lakminë. Për shkak se në polikë nuk vlen ajo nga jeta fetare “bëj si thotë hoxha e jo ç’bën hoxha”!

Politikologu maqedonas Ivon Veliçkovski, në një shkrim në rrjetet sociale, jo më larg se dje të thuash shumë esëll skicon sfidat dhe problemet që e presin Maqedoninë e Veriut nga fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së dhe kursi i paralajmëruar. Ai shkruan:

“Rreziku nga majorizimi është real. Me këtë rast, majorizimi mbi shqiptarët është “vetëm” mjet për legjitimimin e sundimit të “sistemit” financiaro-partiako-klerikal mbi shumicën, pra maqedonasit. Dhe nuk ka lidhje me parti.

Sido që të quhej shteti në hapësirën e Republikës së sotme të Maqedonisë së Veriut, në vazhdimësi që nga periudha pas Luftërave Ballkanike.

Konkretisht, pranimi i modelit të majorizimit, edhe para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, maqedonasve iu imponohet si pikë referimi për të dëshmuar besnikërinë dhe përkatësinë ndaj sistemit. Paralelisht, kjo do të thotë se të pranojnë se vetëqenia maqedonase varet ekskluzivisht nga mbrojtja pansllaviste nga Moska në kuadrin evropian dhe nga Beogradi në kuadrin ballkanik.

Mbi këtë bazë, në periudhën 1945-1991, maqedonasve iu ofrohet një përshtypje e epërsisë ndaj të gjithë të tjerëve në republikë dhe rreth saj, me përjashtim të popujve konstituivë të Federatës.

Gjithësesi, përshtypja e epërsisë është me çmimin e detyrimit të nënshtrimit ndaj maqedonasve sistemorë. Kjo  ilustron shkurtimisht jugo-maqedonizmin që u largua në mënyrë të pakthyeshme me IRJM-në.

Marrëveshja Kornizë (e Ohrit), e Prespës dhe e Sofjes, edhe në shtëpi, edhe ndërkombëtarisht shënuan fundin e supremacisë sistematike financiaro-institucionale, e cila edhe pse e imagjinuar mbi jomaqedonasit, në fakt i shtypi, varfëroi dhe i shpërnguli maqedonasit. Me pasaporta bullgare. Njëqind mijë e kusur para një dekade, sot ndoshta edhe më shumë?!

Prandaj, këto tri marrëveshje, të cilat Maqedoninë e Veriut nga orientale e kthyen në përkatësi evropiane dhe euroatlantike, do të mbeten “halë në sytë” e elitës së ardhshme qeverisëse, përkatësisht të partnerëve të saj sipas “vijës së zjarrit” të kumtuar nga J. Kerry para një dekade.

Dhe atyre do t’ju kundërvehet duke minuar instrumentet e tyre, që nga “Balancieri” deri te zbatimi i emrit kushtetues. Duke u munduar që në të ta tërheqë edhe opozitën.

Kjo së pari u bë e qartë me narrativën e “partive maqedonase” të cilat së bashku me median detyrimisht u desh t’i ndiqnin udhëzimet e bosëve të tyre manjatë jugo-sovjetikë dhe më 2024 prodhuan rezultate zgjedhore për të përsëritur rrethanat e viteve 1998-99.

Dhe, trendi u konfirmua nga përçarja në KOM-OA për hapat e nevojshëm për marrjen e Tomosit për autoqefalësinë nga Patriarkana Ekumenike.

Prapambetja si zgjedhje mes njohjes së supremacisë mes të barabartëve si kishë kombëtare (në Maqedoninë e Veriut) apo vetëm kishës etnike sipas kutit etnofilist (majorizues dhe supremacist) të Moskës të garantuar nga “Tomosi” prej Beogradi.

Dhe kështu në vitin e 34-të të pavarësisë:

– Pushteti duhet të përgjigjet nëse vërtet duan një Maqedoni të Veriut unitare, evropiane dhe euroatlantike,

– Sinodi duhet të përgjigjet cila është më e vjetër: Kryedioqeza e Ohrit apo Patriarkana e Pejës?”- ka shkruar I. Veliçkovski në dritaren e tij në Facebook.

Do të thoja një vlerësim katërcipërisht i qëndrueshëm. Kuptohet për ata që kuptojnë dhe duan të kuptojnë. Pa kurrfarë hatërmbetje!

Natyrisht se koha ka për të dëshmuar marrëveshjen më të re VMRO-DPMNE&VLEN. Qeverisë dhe pushtetit të ri i duhet dhënë atë njëqinditëshin e famshëm, ama riorganizimi i pushtetit, çfarë e ka paralajmëruar Kryeministri i ardhshëm, dhe kursi që po duket në raport me fqinjët, sikur do t’i nxjerrë punë opozitës së re, sidomos asaj shqiptare, për shkak se nuk ka dyshim se veprimet e pritshme në të dyja planet, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme, do të jenë të kapshme  dhe të matshme. Pushteti matet me atë që bën e jo atë që thotë se – ka për ta bërë!

 

Të fundit