Ministria e Jashtme greke i është përgjigjur përdorimit të emrit “Maqedoni” nga presidentja e sapobetuar e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, përcjell KDP.
Në një deklaratë, ajo thekson se shmangia e qëllimshme e emrit kushtetues të vendit nga presidenti i ri është një “shkelje e rëndë” e marrëveshjes së Prespës të vitit 2018 dhe paralajmëron për pasoja në marrëdhëniet dypalëshe dhe për perspektivat e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Gjatë betimit të saj në Kuvend, sot, dhe përkundër faktit se në tekstin zyrtar të betimit, vendi përmendet si “Maqedonia e Veriut”, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zonja Siljanovska-Davkova, zgjodhi të thërrasë vendin e saj. “Maqedoni”.
Ky akt shkel në mënyrë të rëndë Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën e vendit fqinj, e cila është ndryshuar për të [përmbushur] detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet që kishte shprehur [për] marrëveshjen, e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar mbi çdo dispozitë tjetër ligjore.
Greqia, në këtë kontekst, thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe kursi evropian i kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe, në veçanti, përdorimi i emrit kushtetues të vendit“, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.