E hënë, 20 Maj, 2024

EKSPERTËT AMERIKANË: MICKOSKI TË TREGOJË LIDERSHIP, E JO TË VAZHDOJË TË SILLET SI OPOZITAR

Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua si presidente dhe koalicioni i udhëhequr nga socialdemokratët pësoi një disfatë historike. Se çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e vendit mbetet për t’u parë, por shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar është se vendi mund të rrëshqasë nga rruga në të cilën është nëse nuk i përmbush premtimet, analizon Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, përcjell KDP. 

Philip Ricker, ish-ambasador i SHBA-së në Maqedoninë e Veriut dhe ish-ndihmës sekretar i shtetit amerikan, iu referua përgjegjësisë që vjen me marrjen e pushtetit.

“Fitorja zgjedhore është nder për presidenten e ardhshme Gordana Siljanovska dhe për z. Mickovski dhe ekipin e tij që fitoi zgjedhjet parlamentare. Por këtu vjen një përgjegjësi e madhe. Dhe kjo është të realizojë premtimet e tij, dhe kjo do të thotë t’i jepet përparësi sundimit të ligjit, përballjes me korrupsionin, përmirësimit të ekonomisë dhe vazhdimit të rrugës drejt BE-së”, thotë Ricker.

Ai konsideron se zgjerimi i BE-së nuk ka alternativë dhe kjo është e ardhmja e Maqedonisë.

“Kam vënë re një momentum real për zgjerim, një ton i tillë vjen nga Brukseli, dhe nga kryeqytetet e tjera që janë të rëndësishme për zgjerimin, tani është koha për ta çuar vendin përpara”, komentoi ish-ambasadori.

Eduard P. Joseph, një analist ballkanik në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, beson se qeveria e re në Shkup duhet të tregojë lidership, duke pasur parasysh mbështetjen e madhe që mori në zgjedhje.

“Duhet të shpresojmë që Mickovski ta kuptojë se ka përgjegjësi kur e udhëheq qeverinë, e jo të jetë opozitar apo të jetë në fushatë politike. Marrëdhëniet me Greqinë janë thelbësore, Marrëveshja e Prespës është e vlefshme, e detyrueshme për të dyja palët, megjithëse nuk është shumë e njohur. Ai e ndihmoi vendin, e ruajti identitetin e tij dhe shpresoj që Mickowski ta kuptojë këtë”, thotë Joseph.

Sfidat në marrëdhëniet me Bullgarinë në lidhje me ndryshimet kushtetuese, ai pret të jenë vendimtare për qëndrueshmërinë dhe elasticitetin e qeverisë së re të koalicionit në Maqedoninë e Veriut.

“Do të ketë një partner shqiptar në Qeveri si pjesë e koalicionit. Ndoshta do të jetë opozita e mëparshme, VLEN. Ata do të kenë një sfidë, sepse VLEN është angazhuar të votojë për amendamentet kushtetuese. Çfarë do të ndodhë nëse pas gjashtë muajve të qeverisjes së Qeverisë së VMRO-DPMNE-së nuk votohet për ato ndryshime? Çfarë do të ndodhë në Maqedoninë e Veriut? Kjo është një pyetje e hapur”, tha Joseph

Paul McCarthy, drejtor për Evropë në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI) komentoi për marrëdhëniet e ardhshme midis Maqedonisë së Veriut he Bullgarisë, duke konsideruar se në Shkup vjen një strukturë e re politike.

“Do të nevojiten koka të ftohta për të çuar përpara dy vendet, por edhe shumë diplomaci nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, për të lehtësuar procesin që synimi përfundimtar duhet të jetë që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së”, beson McCarthy.

Ervan Fuere, ish-ambasador i BE-së në Maqedoninë e Veriut, nuk mendon se tani ka mundësi për ndikim më të madh nga Moska, duke pasur parasysh se në pushtet po vjen një parti e orientuar drejt së djathtës.

“Është e qartë se Rusia do të përdorë çdo mundësi për dezinformim dhe taktika që përdor për të përhapur informacione të rreme kudo në Ballkan. Nuk besoj se do të gjejë tokë pjellore në Maqedoni. Një avantazh për qeverinë e re në Shkup është se pas zgjedhjeve evropiane do të ketë qeveri të reja të krahut të djathtë në të gjithë Evropën. Për shkak se VMRO-ja është një parti e orientuar nga e djathta, ata mund të gjejnë më shumë mbështetje për argumentet e tyre kundër kërkesave bullgare në rrugën drejt BE-së”, thotë ky ish-diplomat i parë i BE-së në Shkup.

“Të gjitha vendet në rajon po përballen me ndërhyrje të huaja nga vendet autoritare, si Rusia dhe Kina. Por ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Maqedonia nuk ka një ndikim të tillë”, komentoi McCarthy nga IRI.

Nadja Muzikina, zëvendësdrejtoreshë për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Kombëtar, iu referua domosdoshmërisë së respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, pavarësisht se kush është në pushtet.

“Ne nuk besojmë se ka kërcënime pas Marrëveshjes së Prespës tani që Maqedonia e Veriut ka një qeveri të re dhe presim që VMRO-DPMNE dhe presidenti i ri të qëndrojnë në rrugën drejt BE-së”, tha përfaqësuesja e artë nga NDI.

Sipas saj, rajoni po kalon nëpër turbulenca dhe ajo theksoi domosdoshmërinë e fokusimit më të madh të bashkësisë ndërkombëtare në Ballkan.

Të fundit