E hënë, 20 Maj, 2024

KOSOVA: JO KUSHTËZIMIT TË ANËTARËSIMIT NË KE ME ASOCIACIONIN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u thotë ambasadorëve të vendeve të Quint-tit në Prishtinë, se nuk duhet ngatërruar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës e cilëson “absurde” kushtëzimin që po i bëhet Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha pas një mbledhjeje të qeverisë, se ai nuk e pranon një kushtëzim të tillë. Këto komente kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri pasi nga zyrtarë të Këshillit të Evropës u bë e ditur se deri tani çështja e anëtarësimit të Kosovës në KE nuk është në axhendën e takimit të javës së ardhshme.

Disa vende evropiane, por më kryesoret Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, para anëtarësimit në Këshill të Evropës. “Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet, të cilat deri tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim”, tha kryeministri Kurti. Sipas tij, “Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bisedohet në Bruksel, e jo në Strasburg”.

Këshilli i Evropës, flamuj të vendeve anëtare
Fotografi: Dwi Anoraganingrum/Panama Pictures/picture alliance

Kosova hiqet nga agjenda e KE javën e ardhshme

Këshilli i Ministrave i Këshillit të Evropës mblidhet javën që vjen dhe në këtë takim pritej që të votonte lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kjo për faktin që muajin e shkuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i dha dritën e gjelbër Kosovës për anëtaësim. “Çështja e Kosovës nuk është në axhendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe në këtë periudhë nuk mund të themi se kur mund të jetë”, citojnë mediet në Prishtinë zëdhënësin e KE-së, Daniel Holtgen. Serbia nga ana e saj që nga vendimi i Asamblesë Parlamentare të KE-së që votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës, po bën fushatë kundër anëtarësimit pikërisht tek shtetet që i kanë kërkuar Kosovës që ta themëlojë Asociacionin para anëtarësimit në KE./DW

Të fundit