A ka “marrëveshje xhentëlmenësh mes VLEN-it dhe BDI-së”, – sikurse tha kandidati presidencial Arben Taravari në përballjen e parë televizive me rivalin e tij Bujar Osmani nga Fronti Europian. Burime të KDP-së thonë se kjo pjesërisht është e vërtetë: Ka një dokument të emërtuar jo si “marrëveshje”, por si Deklaratë dhe e njëjta është firmosur gati-gati nga të gjitha partitë shqiptare, por veç e veç. Po ashtu, burimet tona flasin se me përmbajtjen e saj janë të njohura edhe disa nga përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shkup. Çështja është sesa do të respektohet ajo – pas epilogut të zgjedhjeve!
Shkruan: Seladin Xhezairi
Arben Taravari, kandidat presidencial i frontit opozitar shqiptar VLEN pohoi këto ditë të ketë një “marrëveshje xhentëlmenësh”, sikurse u shpre ai, se kushdo që fiton në bllokun shqiptar nuk do të bëhet pjesë e qeverisë që nuk miraton ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që rivali i tij nga “Fronti Europian”, Bujar Osmani ka qenë edhe më decid duke nënvizuar se ndryshimet kushtetuese duhet t’i paraprijnë krijimit të ekzekutivit të ri.
Osmani:”Menjëherë pas zgjedhjeve, kusht i jonë për të qenë pjesë e Qeverisë është ndryshimet kushtetuese dhe ne nuk do pranojmë koalicion me parti të cilat shkelin mbi katër parime: Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë dhe vetingu me bord ndërkombëtar”.
Taravari: “Me siguri zotëri Ahmeti ju ka treguar. Ne kemi një marrëveshje xhentëlmenësh. VLEN-i dhe BDI-ja nuk hyjnë me një Qeveri që nuk i bën ndryshimet kushtetuese”!
Kështë kanë deklaruar në përballjen e parë televizive në TV21 dy kandidatët shqiptarë për postin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, duket se vazhdimi i fushatës, pas duelit, mbase për shkak të mesazheve të VMRO-DPMNE-së në adresë të VLEN-it, po edhe të Frontit Evropian, këto mesazhe edhe të zbuten:
“Mesazh për opozitën shqiptare – duam të bëjmë koalicion me ju, por edhe të respektohemi si miq, si bashkëqytetarë, edhe maqedonasit, edhe shqiptarët. Një mesazh për BDI-në: edhe opozita është e mirë për zhvillimin e një partie për të bërë vlerësim për vete për gabimet e bëra” – ka thënë lideri i opozitës maqedonase, Mickoski.
“Nëse fitoj në zgjedhje, puna e parë që do të bëja do të shkoja në Bruksel dhe do të kërkoja nga politikanët evropianë që të na japin garanci se nuk do të ketë kushte të tjera për Maqedoninë për të vazhduar rrugën evropiane”,- ka thënë Taravari në një intervistë për seksionin maqedonas të Radios Evropa e Lirë.
“Nuk mund të jep premtim Bashkimi Evropian për kushte, se kushtet i japin vet vendet anëtare”- i ishte kundërpërgjigjur më herët Osmani në duelin e sipërpërmendur.
Përtej këtyre dallimeve evidente, një gjë mbetet e paqartë: A ka “marrëveshje xhentëlmenësh mes VLEN-it dhe BDI-së”, – sikurse tha Taravari publikisht.
Burime të KDP-së thonë se kjo pjesërisht është e vërtetë: Ka një dokument të emërtuar jo si “marrëveshje”, por si Deklaratë dhe e njëjta është firmosur gati-gati nga të gjitha partitë shqiptare, por veç e veç. Po ashtu, burimet tona flasin se me përmbajtjen e saj janë të njohura edhe disa nga përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shkup. Çështja është se sa do të respektohet ajo – pas epilogut të zgjedhjeve! Për të qenë më skeptik, nuk është se qysh tash nuk vërehen tone disonante!