E premte, 17 Maj, 2024

ANALISTËT PËR VOA: KANDIDATËT E VV-SË PËR DEPUTETË – NJË GABIM I KURTIT

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti hyn në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Partia e tij, si pjesë e opozitës shqiptare “VLEN”, do të përfaqësohet me tre kandidatë për deputetë, raporton Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, përcjell KDP.

Edhe pse ligji nuk i lejon shtetasit e huaj apo parti nga një shtet tjetër të marrin pjesë në zgjedhjet në vend, në këtë rast gjithçka është e ligjshme sepse ata kandidatë janë shtetas të RMV-së, edhe pse janë anëtarë të një partie nga jashtë vend, thotë analisti Xhelal Neziri.

A mund të interpretohet kjo si përpjekje për të ndërhyrë në skenën politike të RMV-së?

“Po, mund të interpretohet”, thotë Neziri. “Ne kemi një parti që u themelua nga këshilltarët e parë të Putinit dhe kishte një emër të ngjashëm me partinë e tij “Rusia e Bashkuar”. Kemi edhe projekte politike nga vende të tjera, të cilat mendojmë se janë miqësore me RMV-në. Megjithatë, unë jam për respektimin e plotë të Parimit Vestfalian që përcakton shtetet moderne dhe nga i cili burojnë të gjitha konventat ndërkombëtare, që kërkojnë mosndërhyrje në punët e një shteti tjetër. Sovraniteti i secilit shtet duhet të respektohet, sepse përndryshe, me apo apo pa vetëdije, ne po punojmë për axhendën e Putinit për të shkatërruar rendin botëror të bazuar në rregulla dhe për të imponuar një rend të ri botëror të bazuar në forcë.”

Sipas Nezirit, kjo praktikë nuk është e mirë as për Kosovën.

“Për arsyet se, – thotë ai, – partia që i ka emëruar është bartëse e pushtetit në Kosovë, dhe ideatori apo ndihmuesi i koalicionit është kryeministri i atij vendi. Qëndrimi i Kurtit nuk është neutral dhe favorizon një bllok politik në mesin e shqiptarëve etnikë, qëndrim i cili shkakton zhgënjim tek kundërshtarët politikë të bllokut tjetër, por edhe tek një numër më i madh i qytetarëve në vend”.

E për analistin, Sefer Selimi, ky hap nuk është i drejtë.

“Kurti, si lider i një vendi të vogël, ka ambicie të mëdha që nuk përputhen me rëndësinë e tij reale. Këto lojëra politike do të dëmtojnë bashkëpunimin rajonal dhe më së shumti pozitën rajonale të shqiptarëve”, thotë Selimi.

Selimi shton se Kurti dhe përfaqësuesit e tij janë të pasinqertë në synimet e tyre.

“Kemi një situatë paradoksale ku kryeministri Kurti deklaron se nuk merr pjesë në zgjedhje në RMV, e në anën tjetër në listën e kandidatëve është edhe këshilltari i tij në Qeverinë e Kosovës. Kjo është një situatë konfuze dhe paradoksale e cila është tregues i pasinqeritetit të Kurtit dhe përfaqësuesve të tij”.

Përveç këshilltarit të Kurtit nga Struga e Maqedonisë së Veriut, Bekim Qoku, i cili do të jetë i dyti në listë në njësinë zgjedhore 6, nga Lëvizja Vetëvendosje në njësinë zgjedhore 1, në vendin numër 6 do të jetë Nafie Selmani, ndërsa në njësinë zgjedhore 2, kandidatja numër 6 është Medina Ukshini.

“Në Maqedoninë e Veriut, Lëvizja Vetëvendosje ka shumë aktivistë dhe mbështetës. Së bashku sot do të punojmë për ndryshimin që e nesërmja vlen për forcimin e popullit tonë shqiptar”, ka shkruar Qoku në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Të fundit