E shtunë, 4 Maj, 2024

MICKOSKI MESAZH TARAVARIT: DUAM KOALICION ME JU, POR…

Kandidati për kryetar i koalicionit opozitar “VLEN”, Arben Taravari, ka shpalosur kushtet për pjesëmarrjen e tyre të mundshme në formimin e qeverisë së re, raporton DW, përcjell KDP.

Nëse bëhet president, udhëtimi i tij i parë të jetë në Bruksel, nga ku do të kërkojë nga përfaqësuesit e lartë të BE-së se për Maqedoninë e Veriut nuk ka kushte të tjera, përveç ndryshimeve kushtetuese.

“Me këtë të kthehemi në Maqedoni dhe nga mandatari që i jepet mandati për të formuar qeveri duhet kërkuar dinamikë me afate për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. Nuk po them për një muaj, dy apo tre, por nuk duhet të kalojë më shumë se gjashtë muaj, që kjo të përfundojë dhe Maqedonia të vazhdojë negociatat me BE-në”, tha Taravari në debatin me kundërkandidatin e BDI-së, Bujar Osmani, në TV21.

Nëse hapet Kushtetuta, një kusht i domosdoshëm që do të negociojë “VLEN” është ndryshimi i formulimit “20%” që vlen për gjuhën shqipe. Për dallim nga kjo, ideja për zgjedhjen e kryetarit të shtetit në Kuvend nuk është kusht i domosdoshëm, por kishte vullnet për të hapur debat për këtë çështje.

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mbrëmë i ka dërguar mesazh koalicionit “VLEN” nga tubimi në Shkup në fillim të fushatës së kandidates për presidente Gordana Siljanovska.

“Një mesazh për opozitën shqiptare – duam të bëjmë koalicion me ju, por edhe të respektojmë njëri-tjetrin si miq dhe bashkëqytetarë. Maqedonasit dhe shqiptarët dhe të gjithë të tjerët kanë të njëjtat probleme dhe sfida. Edhe djemtë edhe vajzat e tua po shpërngulen si ne. Të punojmë së bashku për një shtet me sistem në të cilin të gjithë do të kenë privilegje të barabarta, por edhe përgjegjësi”, tha Mickoski.

Ai në fjalën e tij iu referua propozimit francez për të cilin tha se autoritetet e kanë paraqitur si një sukses të madh, por në fakt është laku në qafën e Maqedonisë, por nuk ka shpjeguar se si do ta zgjidhin çështjen e ndryshimeve kushtetuese.

“Ata po godasin themelet dhe Bullgaria po përfiton nga dobësia e qeverisë maqedonase. Ata krijuan mosmarrëveshje dhe grindje. Ata i mundësuan Bullgarisë – Maqedoninë dhe VMRO-në historike ta shohin atë si pjesë të historisë së tyre, por ky është elementi kryesor i historisë sonë maqedonase që në vetvete tregon se ne kemi një histori tjetër. Do t’u japim fund dorëheqjeve dhe humbjeve. Maqedonia nuk duhet të humbasë më”, tha Mickoski.

Mesazh për integrimet evropiane ka ardhur edhe nga Prilepi, ku mbrëmë tubim ka mbajtur kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski.

“Duhet të bëjmë gjithçka pas këtyre zgjedhjeve për të zhbllokuar procesin integrues, sepse nuk po ecim mirë”, tha ai, duke paralajmëruar se pa anëtarësimin në BE, emigracioni i të rinjve do të vazhdojë.

“Me qasje në fondet evropiane jam i bindur se për tre deri në katër vjet mund të dyfishojmë standardin e çdo qytetari të Maqedonisë, sepse këtë e tregojnë shembujt e të gjitha vendeve që kanë hyrë në BE”, shpjegoi ai.

Ai tha se nuk do t’i quante këto zgjedhje “historike”, por paralajmëroi rrezikun e ofrimit të kthimit nga partia kryesore opozitare.

“Atyre asnjë kontratë nuk u kushton. A mund ta besoni se 23 vjet pas Marrëveshjes Kornizë që pengoi luftën, do të donin ta ndryshonin edhe atë. A mund ta besoni se edhe ata duan ta kthejnë Prespën, sepse i shqetëson emri Maqedonia e Veriut. Dhe nuk i pengojnë rrogat zyrtare që marrin si deputetë dhe kryetarë komunash me “Severna”. Atëherë pse nuk i kthejnë mandatet? “Severna” nuk i shqetëson, ata duan të vijnë në pushtet”, tha Pendarovski.

“Amendamentet kushtetuese mbeten kërkesë kyçe e BDI-së dhe nuk do të pranojnë asnjë koalicion me partitë që kontestojnë marrëveshjet e arritura”, tha mbrëmë kandidati për president i BDI-së, Bujar Osmani. Ai ritheksoi qëndrimin se për vendin nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian, si motori i vetëm që e çon vendin përpara drejt një shteti të drejtë dhe për të është krijuar një momentum gjeopolitik.

“Menjëherë pas zgjedhjeve kushti ynë për të qenë pjesë e qeverisë do të jenë ndryshimet kushtetuese dhe nuk do të pranojmë asnjë koalicion me partitë që shkelin katër parime: Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë (me Bullgarinë) dhe vetting nga një bord ndërkombëtar”, shpjegoi Osmani.

Ndërkohë, Mickoski nga tubimi i mbrëmshëm i ka dërguar një porosi edhe BDI-së: “Një mesazh për BDI-në – edhe kalimi në opozitë është gjë e mirë për zhvillimin e një partie dhe për të vlerësuar gabimet e veta. Largojeni krimin, çlirojeni shtetin nga zyrtarët tuaj të korruptuar dhe ne do ta vlerësojmë si kontribut tuajin për bashkëjetesën dhe sistemin e shtetit”.

Ai paraprakisht theksoi se qëllimi i tyre është “kthimi i Maqedonisë në duart e popullit” dhe marrja e saj nga “duart e rreth 100 zyrtarëve të BDI-së dhe vazalëve të tyre nga LSDM-ja”.

Të fundit