E shtunë, 4 Maj, 2024

“FRONTI EVROPIAN” DHE “VLEN”: ÇFARË DO TË SJELLË KJO DIKOTOMI?  

Në këto zgjedhje duhet ta kalojnë provimin të gjithë – si partitë ashtu edhe votuesit. Politikën dhe funksionin duhet ta kuptojnë si shërbim ndaj qytetarëve, e jo si aktivitet komercial. Koalicionet duhet të mbahen të lidhura fortë nga parimet, vlerat dhe vizionet e përbashkëta, e jo të shpërbëhen nga një ofertë për pushtet – pa pushtet.   

Shkruan: Xhelal Neziri

Dy koalicionet e mëdha – Fronti Evropian dhe VLEN – janë gjëja më e mirë që i ka ndodhur kampit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësia. Kjo dikotomi e bën garën zgjedhore më kualitative, ndërkohë që votuesi shqiptar është më i motivuar të dalë në zgjedhje. Një përplasje e këtillë e madhe politike pritet të sjellë një përfaqësim edhe më cilësor të qytetarëve në Parlament dhe Qeveri pasi një garë e fortë imponon edhe figura më të përgatitura në skenë.

Përveç kësaj, do të maksimizohet edhe vota e shqiptarëve etnik në Maqedoninë e Veriut. Nëse do të ishte reflektuar si duhet përqindja e shqiptarëve etnik edhe në Parlament, atëherë 30 për qind – apo 40 nga 120 deputetë – do të ishin pikërisht shqiptarë.

Deri më tash partitë shqiptare nuk kanë fituar më shumë se 30 deputetë, që është një e katërta e Parlamentit. Përçarjet dhe fragmentarizimi konstant i skenës politike ka humbur peshën e votës që kanë marrë. Maqedonia e Veriut ka sistem proporcional me gjashtë njësi zgjedhore, që nxjerrin nga 20 deputet secila, e që llogariten nga formula e D’Hontit. Kjo formulë favorizon koalicionet e mëdha dhe demotivon partitë të garojnë të vetme. Kjo është pragma politike, që në të kaluarën nuk është marrë parasysh aq shumë.

Në historinë e tyre politike janë shënuar vetëm tre raste të koalicioneve parazgjedhore: i pari në vitin 1998, i lidhur nga PPD-ja dhe PDSH-ja; i dyti në vitin 2008, i lidhur midis BDI-së dhe PPD-së kurse i treti në vitin 2020, i lidhur midis ASH-së dhe Alternativës. Gjatë gjithë kësaj kohe në gati tri dekadat e fundit, spektri politik shqiptar asnjëherë nuk arriti të grumbullohet në dy koalicione kryesore ideologjike – i majtë dhe i djathtë – siç është rasti te spektri politik i maqedonasve etnik, ku gjithherë dominojnë koalicionet e prira nga VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Sa afatgjate do të jenë këto koalicione? Praktika e deritashme tregon se partitë tona janë bashkuar për t’u përçarë, që më pastaj të përçahen për t’u bashkuar. Mund të gjeni plot funksionarë, të lartë e të ulët, që kanë dalë nga një parti dhe janë kthyer sërish te ajo në kuadër të koalicionit. Nuk ka asgjë të keqe këtu përderisa njerëzit braktisin partitë për shkak të parimeve, e jo parimet për shkak të partisë.

Megjithatë, kur flasim për ndërtim-rrënimet e aleancave duhet të kihet parasysh edhe domethënia e fjalës koalicion. Sipas fjalorit Kembrixhit, koalicion do të thotë bashkimi i partive ose grupeve të ndryshme politike për një qëllim të përbashkët me interes të përgjithshëm, zakonisht për një kohë të kufizuar, ose për një qeveri që ka një seri të veçantë të problemeve. Pra, mund të lidhen edhe ndërmjet oponentëve të dikurshëm nëse në momentin e dhënë i bashkon një interes konkret, më i madh sesa interesat që i kanë ndarë në të kaluarën.

Praktika e demokracive të zhvilluara është lidhja e koalicioneve afatgjata. Për shembull, koalicioni gjerman CDU (Christian Democratic Union) / CSU (Christian Social Union) është formuar në vitin 1949, pra para 75 vitesh, dhe ende funksionon. Tash është në opozitë dhe kjo nuk do të thotë se është i cenueshëm pasi njëri nga partnerët mund të “tradhëtojë” dhe të futet në qeveri. Është afatgjatë pasi në themelet e këtij koalicioni janë parimet, vlerat dhe interesat e përbashkët që gjithnjë lidhen me zhvillimin e Gjermanisë.

Mendoj se ka disa arsye pse koalicionet midis partive shqiptare mesatarisht zgjasin 1-2 vite.

E para është kuptimi i politikës vetëm si rrugë drejt pushtetit për interesa individuale e grupore, duke mos dhënë asnjë llogari për premtimet e bëra dhe programet apo platformat partiake.

Arsyeja e dytë është futja në pushtet si ortak në biznes, e jo si parti me një vullnet dhe legjitimitet politik të marrë nga votuesi, të cilit edhe duhet shërbyer.

E treta është mungesa e një oferte reale politike për qytetarin shqiptar, ku në fokus do të ishin zgjidhjet e problemeve të përditshme – standard më të mirë jetësor, tatime më të ulëta, zhvillim më të madh ekonomik, shtet të së drejtës, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit…

Dhe arsyeja e katërt është prizmi klientelist i kuptimit të demokracisë nga një pjesë e konsiderueshme të trupit votues, i cili zgjedhjet i sheh si mundësi përfitimi shumë konkret individual.

Në këto zgjedhje duhet ta kalojnë provimin të gjithë – si partitë ashtu edhe votuesit. Politikën dhe funksionin duhet ta kuptojnë si shërbim ndaj qytetarëve, e jo si aktivitet komercial. Koalicionet duhet të mbahen të lidhura fortë nga parimet, vlerat dhe vizionet e përbashkëta, e jo të shpërbëhen nga një ofertë për pushtet – pa pushtet.

Të fundit