E premte, 3 Maj, 2024

TURQI: PRESIDENTI ERDOGAN PRANON HUMBJEN NË ZGJEDHJET LOKALE

Turqit dënuan presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe partinë e tij të dielën në zgjedhjet lokale mbarëkombëtare, të cilat rikonfirmuan opozitën si forcë politike dhe forcuan pozicionin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu si rivalin kryesor të presidentit në të ardhmen. Presidenti Erdogan e pranoi humbjen e partisë së tij, AKP që duket se doli me rezultatin më të dobët në dy dekladat e fundit. Fituese në pesë metropole është partia opozitare e qendrës së majtë, CHP, përcjell kdp.mk njoftimet e medias ndërkombëtare.

Entuziazëm tek partia socialdemokrate opozitare, CHP. Pas publikimit të rezultateve të përkohshme zgjedhore në Turqi, kreu i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu ka mbrojtur mandatin e tij në Stamboll. Partia CHP kryeson para partisë së presidentit, Erdogan, AKP me kandidatin e saj, Murat Kurum. Erdogan u angazhua fort në fushatë në mbështetje të Kurumit. Kreu i CHP, Özgür Üzel tha se kjo humbje është edhe një mesazh i zgjedhëseve dhe zgjedhësve për Erdoagnin. “Tek këto zgjedhje qytetarët tanë nuk ka votuar vetëm për kryetarët e bashkive, por edhe për atë se si duhet qeverisur ky vend. Populli ynë i ka dhënë një mesazh të fortë atij që ka reduktuar të ardhurat tona, ka shkelur me këmbë demokracinë dhe ka shkatërruar shtetin ligjor: Ne duam që vendit tonë t’i rikthehet shteti ligjor.”
Partia opozitare e qendrës së majtë, CHP ka fituar ndërkohë edhe në pesë qytete të tjera të mëdha në vend, mes tyre edhe Bursën. Edhe zona e prekur fort ga tërmeti, Adyiaman ka kaluar nga partia e Erdoganit, AKP tek CHP. Por fituesi më i madh tek kjo parti është kreu i bashkisë së Stambollit, Imamoglu. Ai tha me vetëbesim të dielën në mbrëmje. “I kemi fituar zgjedhjet.”
Pas numërimit të më shumë se 98% të votave partia, AKP ka marrë rezultatin më të dobët në zgjedhjet lokale prej dy dekadash, sipas mediave. Partia e qendrës së majtë, CHP fitoi në shkallë vendi 37,6 të votave raportoi agjencia e lajmeve, Anadolu. Kurse AKP ka arritur 35,7 të votave, sipas rezultateve të deritanishme.
Analistët thanë se presidenti Erdogan dhe partia e tij AK (AKP), që kanë sunduar Turqinë për më shumë se dy dekada, dolën më keq se sa parashikonin anketat, për shkak të rritjes së inflacionit, votuesve të pakënaqur islamikë dhe në Stamboll, shtrirjes së ndikimit të zotit Imamoglu përtej bazës laike të CHP-së.
“Besimi që qytetarët tanë kanë ndaj nesh, u vërtetua”, tha zoti Imamoglu, 53 vjeç, një ish afarist që hyri në politikë në vitin 2008 dhe tani shihet nga analistët si një sfidues i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Në Ankara, kryeqytetin turk, mijëra mbështetës u mblodhën gjatë natës duke valëvitur flamujt e CHP-së për të ndjekur një fjalim të kryetarit të bashkisë Mansur Yavas, i cili mundi kundërshtarin e tij të AKP-së, në një tjetër goditje për presidentin Erdogan.
Presidenti bëri fushatë të fortë përpara zgjedhjeve komunale, të cilat analistët i përshkruan si një matës si për mbështetjen e tij, ashtu edhe për qëndrueshmërinë e opozitës. Ai pranoi humbjen në një fjalim natën e së dielës. Erdogan foli për 85 milionë njerëz në Turqi dhe për demokracinë si fituese. “Për fat të keq nuk e arritëm në këto zgjedhje lokale rezultatin e dëshiruar. Në instancat e partisë sonë ne do ta analizojmë këtë drejt dhe do të ushtrojmë me guxim vetëkritikë. Ne do të analizojmë arsyet e këtij hapi mbrapa dhe do të marrim masa.” Do ta respektoj vendimin e kombit, tha Erdogan.
“Ne do të analizojmë me zemër të hapur rezultatet e zgjedhjeve të 31 marsit brenda partisë sonë dhe do të bëjmë autokritikën tonë me guxim”, u tha presidenti Erdogan mbështetësve të tij, duke theksuar se “rezultatet e zgjedhjeve na tregojnë se po përjetojmë një humbje të terrenit në administratat vendore në të gjithë vendin”.
Anketat kishin parashikuar një garë të ngushtë në Stamboll dhe humbje të mundshme të CHP-së në të gjithë vendin. Por, rezultatet e pjesshme zyrtare të raportuara nga agjencia shtetërore Anadolu, treguan se AKP dhe aleati i saj kryesor humbën në garën për kryetarë bashkishë në 10 qytete të mëdha, duke përfshirë qytetet Bursa dhe Balikesir në veriperëndimin e industrializuar.
Mert Arslanalp, asistent profesor i shkencave politike në Universitetin Bogaziçi të Stambollit, tha se kjo është “humbja më e rëndë zgjedhore” e presidentit Erdogan që kur mori pushtetin në shkallë vendi në vitin 2002.
Megjithëse këto kanë qenë zgjedhje lokale, rezultati mund ta ndryshojë Turqinë, është shprehur politologu turk, Suat Özcelebi në bisedë me televizionin gjerman, ARD në Stamboll. Imamoglu pas fitores ka edhe një rol tjetër. “Populli turk i ka thënë qeverisë ‘stop’. Këto rezultate do të çojnë aty, që politika të ristrukturohet, të ketë liderë të rinj në politikë. Veçanërisht emrin e Imamoglu ne do ta dëgjojmë që tani gjithnjë e më shpesh në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.”/VOA&DW/

Të fundit