E shtunë, 27 Prill, 2024

FALSIFIKIMI I SË KALUARËS: KUR XHELATËT AKTROJNË VIKTIMA

Për Vuçiqin dhe udhëheqësit e tjerë nacionalistë, si dhe për ideologët dhe propaganduesit e këtij botëkuptimi çnjerëzor, luftërat e viteve nëntëdhjetë filluan më 24 mars 1999. Sipas politikës zyrtare të kujtesës, nuk pati as shkatërrime të Vukovarit, as granatime të Dubrovnikut, asnjë krim në Ovçarë, as rrethim katërvjeçar të Sarajevës, as spastrim etnik nëpër Podrinje, as kampe të mëdha përqendrimi për joserbët, as shkrepa të Koriqës, as djegie për së gjalli në Vishegrad, as qindra xhami të shkatërruara, as mbi njëqind mijë viktima, as përdhunime masive, as gjenocid në Srebrenicë, as shpërngulje të miliona njerëzve, as të gjitha krimet e tjera të panumërta.

Shkruan: Tomislav Markoviq*

Në Serbi, më 24 mars, u shënua 25 vjetori i fillimit të ndërhyrjes së NATO-s kundër RF të Jugosllavisë. Këtë vit në shënimin e përvjetorit mori pjesë edhe gjenerali Vladimir Lazareviq, të cilin “Politika” shtetformuese dhe tradicionalisht ithtare e së vërtetës e prezanton kështu: “komandant legjendar i Korpusit të Prishtinës dhe të Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë në kohën e konflikteve luftarake në Kosovë dhe Metohi dhe gjatë agresionit të NATO-s kundër RF të Jugosllavisë dhe Serbisë”. Lazareviqi foli në zbulimin e pllakës përkujtimore të Trimave të rinj kosovarë në kriptën e kishës së Shën Vasilit të Ostrogut në Nish. Në fjalën e tij ai theksoi se “25 vjet më parë u bë agresion kundër vendit tonë, qëllimi i të cilit ishte zbatimi monstruoz i doktrinës së blictkrieg-it të Hitlerit”, dhe se qëllimi i paktit të NATO-s “ishte të mos linte gurë pa lëvizur, ta detyrojnë Serbinë të gjunjëzohet dhe të lutet”. Gjenerali foli edhe shumëçka tjetër në një stil të ngjashëm, por nuk ka kuptim të përmenden fjalët e tij. Nuk ka kuptim sepse Lazareviq është një kriminel i dënuar lufte.

Tribunali i Hagës e dënoi atë me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës dhe për vepra të tjera çnjerëzore. Së bashku me të u dënuan edhe Nikola Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Dragolub Ojdaniq dhe Sreten Lukiq. Të gjithë u dënuan për krime të bëra në Kosovë. Ajo që për Gjykatën e Hagës dhe për mbarë botën është krim, për establishmentin serb është krenari, prandaj Lazareviq edhe u përfshi në solemnitet. Jo përkundër krimeve të kryera, por pikërisht për shkak të tyre.

Mbrojtja e vonuar

Përzgjedhja e një gjenerali si orator dëshmon se regjimi i “naprednjakëve” ruan vazhdimësinë me kohën e Milosheviqit, me ideologjinë nacionaliste, me spastrimet etnike dhe krimet kundër civilëve të bëra në Kosovë, me frigoriferët dhe varrezat masive. Me fjalë të tjera, me një zgjedhje të tillë, autoritetet serbe vetëm konfirmojnë se ndërhyrja e NATO-s ka qenë e domosdoshme, në mënyrë që ushtria, policia dhe formacionet paraushtarake të pengohen të kryejnë krime edhe më të mëdha dhe ta spastrojnë plotësisht Kosovën nga shqiptarët dhe popullata tjetër joserbe.

Ajo që thotë Lazareviq është në fakt një mbrojtje e vonuar para gjykatës. Gjithçka që ai kishte për të thënë për luftën kundër gjithë botës perëndimore, ai duhet ta thonte gjatë procesit. Gjenerali nuk është i vetmi që është i prirur të paraqesë argumente të tilla post festum në favor të tij, një vistër e tërë kriminelësh të luftës janë mysafirë të rregullt të mediave, ku shpjegojnë se si në të vërtetë ata nuk kanë bërë asgjë të keqe, se vetëm kanë mbrojtur vendin e tyre.

Ka një arsye të mirë pse të gjithë ata të kthyer nga kazamatet aktrojnë se publiku serb është një lloj porote. Ndryshe nga opinioni publik vendas, i helmuar nga propaganda shumëdhjetëvjeçare, gjyqtarët nuk besojnë lehtë dhe mbështeten vetëm në fakte. I akuzuari ka të drejtën të fantazojë, falsifikojë, gënjejë dhe të bëj konstruksione bizare mendore, por puna e gjykatës nuk është të tundë kokën ndaj atyre fantazive, por të përcaktojë gjendjen faktike. Dhe për kopenë nacionaliste, për të gjithë ideologët e krimit dhe kontraktorët e punës në terren – faktet janë armiq shekullor. Kotnasikot të gjitha gënjeshtrat, e vërteta është e shkruar në aktgjykim.

Copëzimi i shtetit

Në ceremoninë qendrore në Prokuplje foli edhe i pashmangshmi Aleksandar Vuçiq, i cili , të rikujtojmë, në vitin 1999 ishte ministër i Informacionit në Qeverinë e Serbisë, pra pjesë e pushtetit që solli bombardimet mbi ne. Presidenti tha se ata “dëshiruan të na e shkatërrojnë atdheun, ta shkatërrojnë Serbinë, ta copëtojnë atë”. Nuk e donin këtë, por të pengonin spastrimin etnik të Kosovës, i cili ishte në hov të plotë, nën komandën e Slobodan Milosheviqit, ministër i të cilit ishte Vuçiq.

E përfshiu edhe pikën e rregullt të repertorit të tij të njohur me emërtimin bisedor “serbët si galët”: “Ka një komb të vogël në Evropë, në një vend të vogël në një territor të vogël, i cili ende qëndron me krenari dhe dinjitet, i cili nuk pajtohet me pushtimin dhe urdhrat nga jashtë”. Vuçiq nuk duhej të mundohet, ai thjesht mund ta citonte një deklaratë të shefit të tij partiak dhenënkryetarit të Qeverisë, Vojislav Sheshelit.

Vojvoda çetnik në mitingun e Partisë Radikale Serbe më 27 shkurt 1999, deklaroi me kënaqësi: “Nëse ndodhin bombardimet e NATO-s, nëse ndodhë agresioni amerikan, ne serbët do të pësojmë bukur shumë, ama në Kosovë nuk do të ketë shqiptarë”. Dorën në zemër, edhe Shesheli, edhe i gjithë regjimi bënë çmos për të përmbushur premtimin e tyre, ndaj dëbuan mbi 850.000 shqiptarë nga Kosova.

Vuçiq mundi të citojë edhe Vlastimir Gjorgjeviqin, i cili në kohën e bombardimeve ishte kryeshef i Departamentit të Sigurisë Publike të MPB-së së Serbisë. Në gjyqin në Hagë, Gjorgjeviq pranoi se ishte përfshirë në fshehjen e 744 trupave të viktimave civile në varrezën masive në Batajnicë, si dhe se e kishte ditur për hedhjen e kufomave në liqenin Peruçac, ndaj u kërkoi falje viktimave. Ai u dënua me 18 vjet burg për pjesëmarrje në ndërmarrjen e përbashkët kriminale të vrasjeve dhe dëbimit të civilëve shqiptarë nga Kosova në vitin 1999.

Bombardimi nuk ishte i pashmangshëm

Ndryshe nga Gjorgjeviqi, Vuçiq nuk kërkoi kurrë falje për pjesëmarrjen e tij në krahun politik të ndërmarrjes së përbashkët kriminale në luftërat e viteve nëntëdhjetë. Në ndonjë vend tjetër, ai kaherë do të ishte lustruar, ndaj nuk do të dytroheshim t’i dëgjonim gënjeshtrat dhe pallavrat e tij. Rrëfimet për copëtimin e shtetit do të ishin komike nëse nuk do t’i referoheshin tragjedisë së tmerrshme për të cilën nuk ka fjalë përkatëse. Atë vend të mrekullueshëm, Jugosllavinë socialiste, e copëtuan pikërisht bashkëluftëtarët e Vuçiqit, ndërsa edhe vet ai dha për këtë kontributin modest djaloshar, brenda aftësive të tij.
Slobodan Milosheviqi dhe klika e tij shkaktuan katër luftëra, bënë agresion kundër vendeve fqinje, kryen krime të tmerrshme dhe gjenocid, kurse Kosovën e mbajtën në gjendje aparteidi, duke i goditur shqiptarët në çdo mënyrë. I ndaluan të studionin në gjuhën shqipe, si dhe të botojnë gazeta, të shtypnin libra, pushuan nga puna qindra mijëra shqiptarë dhe i ekspozuan ata ndaj represionit mbi bazë kombëtare. Socialistët, radikalët dhe kompania e tyre bënë gjithçka që ishte e mundur për ta dëbuar Kosovën nga Serbia, kurse tani ankohen që ia dolën në pikësynimin e tyre.

Dhe, as bombardimi nuk ishte as i pashmangshëm. Po të mos ishin në pushtet Milosheviqi, Daçiqi, Shesheli, Nikoliqi, Vuçiqi dhe kalorësit e tjerë të apokalipsës, nuk do të ndodhte kurrë ndërhyrja e NATO-s. Për muaj të tërë, komuniteti ndërkombëtar u përpoq të bindte autoritetet serbe për të bërë marrëveshjen e paqes, Richard Holbrooke u takua shumë herë me Milosheviqin, shumë herë erdhi Wesley Clark, por koalicioni kuqe-zi mbeti i paepur. Në fund organizuan negociatat në Rambuje afër Parisit, të cilat zgjatën 17 ditë, por më kot, Milosheviqi dhe klika e tij nuk ranë dakord për asnjë marrëveshje, edhe pse e dinin se kjo çonte në bombardime. Për ta bombardimi i Serbisë ishte interes, kurse për jetën e njerëzve të zakonshëm kurrë nuk e vranë mendjen, për ta njerëzit janë pionë të zakonshëm që mund të sakrifikohen sipas nevojës.

Monedhë për kusuritje

Ka kaluar një çerek shekulli, kurse ata që janë përgjegjës për luftën me aleancën e NATO-s ende sundojnë Serbinë. Ata që i shtynë qytetarët në luftë, mbajnë fjalime patriotike, mallkojnë Perëndimin e zi dhe që aktrojnë viktimat. E, për 25 vjet nuk u kujtuan të bëjnë listën e atyre të cilët humbën jetën gjatë ndërhyrjes së NATO-s. Shteti nuk merakoset për të vdekurit, ata janë të mirë vetëm si lëndë djegëse për të ndezur çmendurinë nacionaliste, si monedhë për kusuritje. Fondi për të Drejtën Humanitare përcaktoi numrin e saktë të të vdekurve dhe bëri regjistrimin emër për emër të viktimave të bombardimeve të NATO-s.
Humbën jetën 756 njerëz – 454 civilë dhe 302 anëtarë të forcave të armatosura. Në mesin e civilëve janë 207 serbë, 219 shqiptarë, 14 civilë romë dhe 14 të nacionaliteteve të tjera. Funksionarët shtetërorë, mediat e regjimit, por edhe shumica e të tjerëve nuk i njohin këto shifra, mbase për ta janë shumë të pakta, mbase. Për 78 ditë, sa zgjati lufta me aleancën e NATO-s, ushtria dhe policia serbe vranë 7000 civilë.

Në këtë faktin e fundit askush ndalet, nuk përputhet me narrativën zyrtare sipas së cilës serbët janë viktima, kurse të gjithë të tjerët kriminelë. Dhe, këto të dhëna i mohojnëpikërisht xhelatët duke u shtirur se janë viktima. Ndërsa për viktimat e vërteta nuk merakosen, as për ato serbe, e lëre më për ato shqiptare. Që është plotësisht në përputhje me ideologjinë dominuese nacionaliste që përçmon jetën njerëzore.

Fshirja e së kaluarës

Për Vuçiqin dhe udhëheqësit e tjerë nacionalistë, si dhe për ideologët dhe propaganduesit e këtij botëkuptimi çnjerëzor, luftërat e viteve nëntëdhjetë filluan më 24 mars 1999. Sipas politikës zyrtare të kujtesës, nuk pati as shkatërrime të Vukovarit, as granatime të Dubrovnikut, asnjë krime në Ovçarë, as rrethim katërvjeçar të Sarajevës, as spastrim etnik nëpër Podrinje, as kampe të mëdha përqendrimi për joserbët, as shkrepa të Koriqës, as djegie për së gjalli në Vishegrad, as qindra xhami të shkatërruara, as mbi njëqind mijë viktima, as përdhunime masive, as gjenocid në Srebrenicë, as shpërngulje të miliona njerëzve, as të gjitha krimet e tjera të panumërta.

Regjimi i Milosheviqit dhe satelitët e tij për vite të tëra bënë kërdi nëpër ish-Jugosllavië, pushkatonin, granatonin, torturonin, dëbonin, grabitnin, përdhunonin, u shkaktonin vuajtje të pamatë njerëzve të pafajshëm, vrisnin gra, fëmijë, pleq, digjnin fshatra dhe shkatërronin qytete. Këëtë të keqe të pakuptueshme, përmasat e së cilës është e pamundur të përvijohen, duhet fshirë me sfungjer dhe vrasësit duhet shpallur për viktima. Në Serbi, janë të zaifta forcat, e pabesueshme, intelektuale, politike, kishtare, mediatike dhe të gjitha të tjerat për të bindur qytetarinë për imazhin e falsifikuar të së kaluarës. Ama as qytetaria nuk çon zë, vetëviktimizimi i pëlqen njeriut, është komod pozicioni i viktimës, sepse të bën absolutisht të papërgjegjshëm për çkado qoftë. Simbioza e të shtypurve dhe e të mashtruarëve vullnetarisht funksionon në mënyrë të përsosur, për kënaqësinë e të dyja palëve.

*Shkrimi është marrë nga portali serb: zurnal.info/Përktheu në shqip: kdp.mk

Të fundit