Bullgaria po përgatitet edhe për një palë zgjedhje të përgjithshme – të gjashtat që nga prilli i vitit 2021 – pasi partia populiste “Ka një popull të tillë” (ITN) më 28 mars refuzoi të formojë Qeverinë. Kjo është partia e tretë që refuzon mandatin qeveritar.
Paraprakisht, partia e qendrës së djathtë GERB, dhe ish-partneri i koalicioni, partia properëndimore “Vazhdo Ndryshimin/Bullgaria Demokratike” (CCDB) thanë se nuk mund të formojnë një kabinet qeveritar.
Vendimi i ITN-së i hap rrugën presidentit Rumen Radev, që të caktojë një Qeveri në detyrë dhe të caktojë datën e zgjedhjeve që duhet të mbahen brenda dy muajsh.
Bullgaria do të votojë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian më 9 qershor, dhe dy palë zgjedhjet mund të mbahen brenda një dite. Megjithatë, data e zgjedhjeve varet nga aftësia e Radevit që të caktojë sa më shpejt një Qeveri në detyrë.
Pas zgjedhjeve të mbajtura prillin e vitit të kaluar, Bullgaria kishte një Qeveri të përbashkët të mbështetur nga reformistët e CCDB-së dhe GERB-i. Ata ishin pajtuar për një ekzekutiv 18-mujor dhe që udhëheqja e tij të bëhej përmes rotacionit, përkatësisht fillimisht kryeministër të ishte Nikolay Denkov nga CCDB-ja dhe pas nëntë muajsh, detyrën ta merrte Maria Gabriel nga GERB-i.
Denkov dha dorëheqje më 5 mars, pas nëntë muajsh në postin e kryeministrit, dhe ia la udhëheqjen e Qeverisë GERB-it. Por, Gabriel dështoi të formonte një ekzekutiv të ri dhe më 27 mars Denkov po ashtu refuzoi ftesën e Radevit që të tentonte sërish të formonte Qeverinë.
Bullgaria është shteti më i varfër nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe po përballet me korrupsion të përhapur.
Ky vend në Ballkan është i mbërthyer nga paqëndrueshmëria politika që nga protestat e mëdha kundër korrupsionit që u mbajtën në vitin 2020.
Para zgjedhjeve të prillit të kaluar, shteti ishte udhëhequr nga qeveritë në detyrë, që u caktuan nga Radevi në mungesë të një koalicioni të qëndrueshëm të zgjedhur me votë qytetare.
Radev tha të enjten se më 30 mars do të nisë konsultimet me kryeministrat potencialë që do të mund të merrnin udhëheqjen e një ekzekutivi në detyrë. Pas ndryshimeve kushtetuese, presidenti mund të zgjedhë mes kryetarit të Asamblesë Kombëtare, guvernatorit apo zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore bullgare, kryetarit apo nënkryetarit të Dhomës së Auditimit, Avokatit të Popullit apo zëvendësit të tij./REL/