E shtunë, 20 Korrik, 2024

SHBA-JA KUNDËRSHTON DEKLARATAT E IZRAELIT SE REZOLUTA E OKB-SË I PENGOI BISEDIMET PËR PENGJET

Netanyahu akuzoi SHBA-në se u “tërhoq” nga qëndrimi i saj “parimor” duke lejuar miratimin e rezolutës së OKB-së për armëpushim në Gazë.

Deklarata e Izraelit se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, i ka penguar bisedimet për lirimin e pengjeve, është e pasaktë dhe e padrejtë, tha të martën zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Miller tha për gazetarë se deklaratat e zyrtarëve izraelitë se Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit në bisedimet për lirimin e pengjeve për shkak të rezolutës së OKB-së “ishin të pasakta në pothuajse çdo aspekt dhe të padrejta ndaj pengjeve dhe familjarëve të tyre”.

Ai tha se grupi radikal palestinez e përgatiti përgjigjen ndaj propozimit të Izraelit për lirimin e pengjeve para se të votohej rezoluta e Këshillit të Sigurimit të hënën, dhe jo pas saj.

Miller shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë në përpjekje për ta mundësuar lirimin e pengjeve.

Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Netanyahu akuzoi SHBA-në se u “tërhoq” nga qëndrimi i saj “parimor” duke lejuar miratimin e rezolutës pa kërkuar që armëpushimi të jetë i lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gazë.

Në shenjë proteste ndaj rezolutës, Netanyahu e anuloi vizitën e planifikuar në Uashington të një delegacioni izraelit të nivelit të lartë.

Një ditë më vonë, të martën, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha për Army Radio se rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gazë, e nxiti Hamasin ta refuzojë propozimin e Izraelit.

Rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit kryen një sulm befasues në jug të Izraelit, duke e nxitur këtë luftë.

Besohet se Hamasi ende po i mban rreth 100 pengje izraelite.

Më shumë se 32.000 njerëz janë vrarë në territorin e rrethuar palestinezë dhe mbi 74.000 te tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur i numëron viktimat. Sipas saj, dy e treta e të vrarëve janë gra dhe fëmijë./Radio Evropa e Lirë

Të fundit