E shtunë, 27 Prill, 2024

MBI 25-VJETORIN E FUSHATËS AJORE TË NATO-S MBI ISH REPUBLIKËN FEDERALE TË JUGOSLLAVISË

E konceptuar me faza dhe e planifikuar për të arritur objektivin politik të NATO-s me sa më pak forca, fushata ajrore shënjestroi aftësitë ushtarake serbe në aspektet strategjike dhe taktike. E menduar fillimisht si një fushatë e kufizuar në kohë dhe në objektiva, ajo u intensifikua gradualisht dhe kur përfundoi më 11 qershor, pasi Millosheviçi pranoi kërkesat e NATO-s dhe filloi tërheqja e forcave serbe nga Kosova, rezultoi të ishte operacioni ushtarak më intensiv dhe më i zgjatur në Evropë që prej fundit tëLuftës së Dytë Botërore si dhe operacioni i parë i madh luftarak i ndërmarrë për objektiva humanitare kundër një vendi që po kryente mizori brenda kufijve të tij, të njohur ndërkombëtarisht.

Shkruan: Plator Kalakula

Njëzet e pesë vite më parë, si pjesë e Misionit të vogël të Shqipërisë pranë NATO-s, isha dëshmitar i privilegjuar i shtjellimit të 78 ditëve të fushatës ajrore të Aleancës Atlantike mbi Republikë Federale të Jugosllavisë. Në një shkrim të pesëviteve më parë kam përshkruar procesin e gjatë dhe të ndërlikuar politiko-diplomatik i cili solli ndërhyrjen e NATO-s për Kosovën por këtu vlen të theksohet se kur Aleanca Atlantike ndërmorri sulmet ajrore shqiptarët e Kosovës po përjetonin njëfushatë të parapërgatitur, të mirëorganizuar dhe tepër brutale dhune nga ana e forcave të regjimit serb, ndërkohë që ky i fundit refuzonte me kokëfortësi një zgjidhje politike duke mos i lënëPërëndimit alternativë tjetër vec ndërhyrjes. E quajtur Allied Force, fushatë ajrore e NATO filloi më 24 mars 1999, me synimin politik që ta detyronte Millosheviçin të ndalonte mizoritë kundër shqiptarëve të Kosovës. Allied Force filloi pak minuta pas njoftimit publik të Presidentit Clinton i cili nënvizoi se operacioni i NATO-s synonte të demonstronte seriozitetin e kundërshtimit të NATO-s ndaj agresionit, të pengonte Millosheviçin nga vijimi dhe përshkallëzimi i sulmeve të tij ndaj civilëve të pafajshëm dhe të dëmtonte kapacitetin e Serbisë për të vijuar luftën kundër Kosovës duke i zvogëluar seriozisht kapacitetet e saj ushtarake.

Gjatë këtyre njëzet e pesë viteve është nënvizuar shpesh që NATO i filloi sulmet ajrore në kundërshtim me një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik ndërkombëtar dhe pa një mandat specifik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kritikat më të forta ishin se ndërhyrja ishte e paligjshme, sipas së Drejtës ndërkombëtare, se cënonte rëndë sistemin e rregulluar nga OKB për autorizimin e përdorimit të forcës, dhe se krijonte njëprecedent të rrezikshëm në lëmin e politikës ndërkombëtare.

Vecanërisht të ashpra ishin kundërshtitë e Rusisë e cila pak kohëmë parë kishte pranuar me pahir zgjerimin e parë të Aleancës nëLindje. Për Moskën fushata ajrore e Aleancës Atlantike pa një mandat të Këshillit të Sigurimit, përforcoi më tej ndërgjegjësimim se në pak vite ajo kishte humbur shumë nga pesha strategjike e Luftës së Ftohtë duke i nxitur qarqet politiko-ushtarake ruse drejt një rishikimi strategjik i cili shtroi rrugën për qëndrimin e ashpër konfrontues anti-perëndimor të dekadës së fundit, shembulli më shprehës i së cilit është  agresioni tashmë dy vjecar ndaj Ukrainës.

Kundër argumenti kryesor i Perëndimit ishte se aleatët transatlantikë kishin shterruar ndërkohë çdo mjet diplomatik për të frenuar një konflikt, zgjerimi i të cilit u gjykua i patolerueshëm për vlerat morale dhe rendin demokratik nëEuropë, ndërkohë që përgjegjësia e Milloshevicit për dhunën e ushtruar nga forcat serbe ishte e drejtpërdrejtë dhe e pamohueshme.

Duhet theksuar se edhe pa reagimin e ashpër të Rusisë, brenda 19 vendeve anëtare të NATO-s së atëhershme kishte mosmarrëveshje të theksuara rreth veprimit pa një mandat të OKB-së, pavarësisht se këto mosmarrëveshje nuk arritën tëzhbëjnë konsensusin për fushatën ajrore. Për shkak të përvojës së mëparshme të hidhur në Bosnjë, në SHBA, Francë dhe veçanërisht në Britaninë e Madhe kishte një mbështetje të fortë për ndërhyrjen në Kosovë. Pikëpamja amerikane, e mbështetur  edhe nga britanikët, ishte se legjitimiteti nuk duhej kushtëzuar me mandatin formal të Këshillit të Sigurimit të OKB, thellëisht i përcarë, ndërkohë që mbrojtja e civilëve kosovarë nga dhuna serbe ishte në thelb legjitime, dhe e bazuar në parimet morale dhe në  drejtën humanitare. Franca mbajti qëndrimin se ndërsa në parim nevoitej një mandat i OKB-së, urgjenca e situatës e justifikonte anshkalimin e këtij rregulli. Gjermania dhe Italia, si vende që kuptueshëm kishin kufizime të ndjeshme kulturore dhe kushtetuese reth përdorimit të forcës, ishin më të shqetësuara nga precedenti i krijuar. Por, pavarësisht këtyre kufizimeve dhe vetëm pak kohë pas një debati të ashpër kushtetues nëse gjermanët duhet të luftonin për ndonjë arsye tjetër veç mbrojtjes territoriale, pilotët gjermanë dhe ata italianë kryen misione luftarake mbi Kosovë.

Fillimi i fushatës solli dhe një shtim eksponencial të ndërveprimit tonë me zyrtarët e politikë dhe ushtarakë të NATO-s dhe diplomatët e vendeve kryesore të Aleancës dhe kjo lidhej kryesisht me pozicionin gjeografik të vendit, ku ndërkohë po vërshonin cdo ditë mijëra refugjatë kosovarë, dhe me qëndrimim e vendosur të autoriteteve shqiptare të cilët i kishin vënë NATO-s në dispozicion të gjithë territorin e vendit duke u sjellur si vend de-facto aleat.

E konceptuar me faza dhe e planifikuar për të arritur objektivin politik të NATO-s me sa më pak forca, fushata ajrore shënjestroi aftësitë ushtarake serbe në aspektet strategjike dhe taktike. E menduar fillimisht si një fushatë e kufizuar në kohë dhe në objektiva, ajo u intensifikua gradualisht dhe kur përfundoi më 11 qershor, pasi Millosheviçi pranoi kërkesat e NATO-s dhe filloi tërheqja e forcave serbe nga Kosova, rezultoi të ishte operacioni ushtarak më intensiv dhe më i zgjatur në Evropë që prej fundit tëLuftës së Dytë Botërore si dhe operacioni i parë i madh luftarak i ndërmarrë për objektiva humanitare kundër një vendi që po kryente mizori brenda kufijve të tij ndërkombëtarisht të njohura.

Avionët aleatë operuan nga bazat e Italisë, Spanjës, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe SHBA-ve si dhe nga aeroplanmbajtëset amerikane, angleze e Franceze të poziconuara në detin Adriatik. Objektivi kryesor në fillim te sulmeve ishte shkatërrimi i sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore. Fushata u përqendrua gjithashtu në goditjen e forcave serbe brenda dhe përreth Kosovës me synim pengimin e vazhdimit të sulmeve tëtyre ndaj popullsisë kosovare. Aleanca i përzgjodhi me kujdes objektivat duke vlerësuar kontributin e tyre efektiv në sulmetserbe në Kosovë. Ndërsa përzgjedhja e objektivave ishte thuajse ekskluzivisht amerikane, miratimi i tyre ishte një proces shumëpalësh i cili përfshinte në atë kohë 15 vende anëtare dhe ku Franca kishte të drejtën e vetos selektive. Ishte pra njëprocesi i ndërlikuar dhe i lodhshëm i cili këkonte në cdo rast arritjen e konsensusit.

Fushata ajrore u ndërmor gjithashtu me rregulla unike të rrepta angazhimi të cilat kufizuan efektivitetin e shumë misioneve luftarake. Shqetësimi i madh për shmangien e viktimava civile dhe dëmtimin e strukturave joushtarake ishte faktori kryesor kufizues për NATO-n gjatë gjithë konfliktit. Në përgjithësi, fushata ajore ishte jashstëzakonisht e saktë, por fatkeqësisht pati dhe një sërë incidentesh në të cilat civilët humbën jetën dhe çdo incident i tillë e tendosi ndjeshëm konsensusin mes vendeve aleate.

Faza fillestare e bombardimeve u pengua nga moti i keq, vendosmëria skrupuloze për të shmangur viktimat civile dhe nga shqetësimi i madh për të shmangur humbje të pilotëve të NATO-s, cka solli që misionet lufarake të avionëve aleatë të kryeheshin mbi 4500 metra. NATO zbuloi shpejt se kishte të bënte me një kundërshtar të mirëstërvitur e tepër të aftë për t’u maskuar.Vecanërisht i vështirë u paraqit shkatërrimi i sistemit tëintegruar të mbrojtjes ajrore, i zhvilluar në shkallën superiore,dhe i cili përfshinte shumë elemente lëvizës. Serbët mbajtën shumicën e raketave të tyre kundërajrore në gjendje gatishmërie me radarët e tyre shpesh të fikur për të mos u diktuar cka i sugjeroi ushtarakëve aleatë se serbët po përpiqeshin ti tërhiqnin avionët e NATO-s në lartësi më të ulëta ku mund ti qëllonin më lehtë. Është fakt që NATO nuk ia doli të neutralizonte plotësisht kërcënimin kundërajror serb, sic dëshmoi dhe rrëzimi i avionit stealth F-117, dhe se fushata kundër mbrojtes ajore serbe u kthye në një lloj gare mes goditjeve të aleatëve dhe rindërtimit eriparimit serb.

Pas dhjetë ditëve të para të fushatës u kuptua se NATO nuk ishte e përgatitur për një ndërhyrje afatgjatë. Vendet anëtare kishin arritur konsensus me shpresë se kërcënimi me sulme ajrore, dhe në rast nevoje vënia në jetë e këtij kërcnimi me bombardime disa ditore, do ta bëntë Millosheviçin të dorëzohej duke e bindur atë mbi vendosmërinë e Aleancës. Por, mizoritë e raportuara në shkallë të gjerë nga ana e forcave serbe në Kosovë nuk i lanëNATO-s alternativë tjetër moralisht të pranueshme veç vijimit të sulmeve ajrore.

Por edhe sulmet ndaj forcave serbe në Kosovë nuk po arrinin objektivin e synuar pasi forcat ushtarake dhe ato paramilitare serbe përdornin shtëpitë dhe ndërtesat civile për të fshehur mjetet e blinduara si dhe civilët si mburoja njerëzore, duke vijuar ndërkohë fushatën e tyre të spastrimit etnik. Për më tepër, për shkak të terrenit malor të Kosovës, avionët radarë të NATO-s nuk mund të zbulonin shumë objektiva dhe u desh përdorimi i avionëve amerikanë U-2 për ta kompensuar këtë mangësi. Ndikoi gjithashtu negativisht fakti që për arsye të kuptueshme NATO nuk kishte shënjestrues të objektivave në terren.

Ndërkohë që Aleanca Atlantike po përballej me këto vështirësi, regjimi jugosllav u kundërpërgjigj duke ndërmarrë fushatën famëkeqe të pastrimit etnik masiv të shqiptarëve të Kosvës. Ishte një kundërpërgjigje me peshë strategjike pasi nga një anërrezikonte seriozisht stabilitetin e vendeve fqinjë me Kosovën, vecanërisht atë të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, dhe nga ana tjetër rriste presionin mbi vendet aleate shumë prej të cilëve po përpiqeshin të mbanin konsensusin e brendshëm midis qeverive dhe shoqërive të tyre të ndara. E gjithë kjo e bënte Beogradin të shpresonte se konsensusi mes vendeve aleate mund të zhbëhej së shpejti.

Situata u bë dramatike dhe tepër alarmuese pasi brenda pak ditëve propaganda agresive e Beogradit, se ishin pikërisht bombardimet e NATO-s ato që po shkaktonin largimin masiv tëshqiptarëve nga Kosova, u amplifikua nga mediat dhe pjesa pacifiste e opinionit publik në Perëndim duke nxitur thirrjet për ndalimin e menjëhershëm të fushatës ajrore, duke shtuar kështu ndjeshëm presionin mbi kohezionin e lëkundur të vendeve anëtare. Ndërsa natyrshëm ndjenim të gjithë peshën e situatës dhe përballeshim me qëndrimet e ndryshme dhe dilemat e vendeve, në takimet e shumta të asaj kohe të më se 40 vendeve anëtare dhe partnere në suazën e Partneritetit EuroAtlantik, nënvizonim qëndrimin e vendit tonë për domosdoshmërinë e vijimit të fushatës ajrore. Kuptueshëm mbështesnim pozicionin anglo-amerikan mbi detyrimin ndërkombëtar për të ndërmarrë veprime kundër kësaj fushate të spastrimit  etnik  e cila po merrte cdo ditë e më tepër tiparet e gjenocidit, term i përdorur me vetëdije nga të dy vendet aleate.

Ndërkohë që diplomacia publike e NATO-s ishte vënë në vështirësi serioze nga  propaganda agresive serbe, në koordinim me vendet e lartpërmendura dhe autoritetet e Aleancës shprehnim qëndrimin se ajo që po ndodhte ishte e planifikuar me kohë nga regjimi serb por kishim nevojë për argumenta mëbindëse. Në atë situatë të vështirë na erdhi në ndihmëmemorandumi famëkeq i akademikut serb Vasa Çubrilloviç, i cili në vitin 1937 i kishte rekomanduar qeverisë së atëhershme jugosllave një program metodik për dëbimin me cdo mjet tëshqiptarëve nga Kosova duke i cilësuar këta të fundit si të pa asimilueshëm. Kisha një përkthim të mirë në anglisht të këtij dokumenti të panjohur ose prej kohësh të harruar në Perëndim dhe gjykuam se shpërndarja masive e tij do të kishte efektin e duhur në atë situatë. Kështu, të shoqëruar me qëndrimin tonë tëlarpërmendur ia shpërndamë vendeve anëtare dhe atyre partnere. Me ndihmën e miqve gazetarëve kosovarë ia shpërndamë dhe më se 300 gazetarëve ndërkombëtarë, të cilët po qëndronin natëe ditë në selinë e Aleancës, mes të cilëve dhe mjaft eksponentëtë mirënjohur të agjencive e rrjeteve globale televizive si CNN, BBC, Reuters, etj.

Memorandumi pati efektin e duhur pasi në qëndrimet e vendeve anëtare dhe në ato të mediave perëndimore filloi të komentohej në vijimësi se dëbimi masiv i Shqiptarëve nga Kosova ishte nëthelb vënia në jetë e rekomandimeve të hershme të Çubrilloviçit.Më 12 prill, kur u kuptua qarte se regjimi serb po përdorte politikën e dëbimit masiv të kosovarëve si armë kundër NATO-s, Këshilli i Ambasadorëve të Aleancës deklaroi se këto veprime ekstreme dhe kriminalisht të papërgjegjshme justifikonin dhe ebënin të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Ishte pra shkalla e spastrimit etnik të shqiptarëve dhe kriza humanitare që ky spastrim etnik po sillte me vehte elementi thebësor për galvanizimin e unitetit perëndimor mbi Kosovën.Për më tepër, po bëhej gjithnjë e më e qartë që nëse NATO nuk do vijonte fushatën e saj, afro një milion refugjatë kosovarë do të mbesnin përfundimisht në Shqipëri, në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe në Mal të Zi, pa asnjë shpresë për t’u kthyer në Kosovë dhe me një rrezik të madh destabilizmi rajonal.

Samiti jubilar i NATO-s në Uashington më 23–25 prill, në 50-vjetorin e krijimit të Aleancës, rezultoi të ishte thelbësor në konsolidimin përfundimtar të vendosmërisë së liderëve tëvendeve aleate për të arritur detyrimisht objetivat e caktuara nga Aleanca. Pas këtij samiti shumica e shqetësimeve të mjaft vendve aleate për goditjet e objektivave të infrastrukturës civile serbe ranë gradualisht ndërkohë që filluan të shtohen zërat për një ndërhyrje ushtarake tokësore nga ana e NATO-s.

Pralelisht, për të penguar përpjekjet e Millosheviçit për të destabilizuar vendet fqinjë me Kosovën, NATO ndërmorri njëoperacion humanitar të planifikuar në një kohë rekord për përballimin e krizës humanitare të shkaktuar nga pastrimi etnik serb duke angazhuar forcat e Korpusit të atëhershëm të Reagimit të Shpejtë të NATO-s. I quajtur Allied Harbor, ky operacion synonte lehtësimin e vuajtjeve të qindra mijëra refugjatëve kosovarë në Shqipëri dhe në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në këtë kontekts, nuk mund të mos ishim krenarëpër rolin tepër të rëndësishëm e të vlerësuar të Shqipërisë, e cila, pavarësisht brishtësisë së lënë nga kriza e 97-ës, nëpërmjet qëndrimeve politike të vendosura të Autoriteteve dhe bujarisë prekëse të popullit të saj po kontribuonte qenësisisht nëpërpjekjet e përbashkëta aleate për të penguar destabilizmin e rajonit.

Gradualisht, meqë Beogradi nuk tregoi asnjë shenjë lëshimi, fushata ajrore u rrit në nivele afërsisht strategjike duke shënjestruar një sërë objektivash strategjikë si rjeti energjetik, ndërtesat qeveritare, objektet e magazinimit të karburanteve dhe objektiva të tjera të cilat u gjykuan se kishin ndikim më aftagjatë dhe më masiv mbi aparatin ushtarak serb. U goditën gjithashtu dhe urat rrugore e hekurudhore duke gjykuar se ishte jetike që të ndërpriteshin rrugët e furnizimit të cilat i lejonin Millosheviçit të mbante forcat e tij të afta për të vazhduar spastrimin etnik.Megjithatë, kundërshtitë mes vendeve aleate ishin ende tëndjeshme për objektivat e shënjestura dhe vetëm gjatë javëve të fundit të fushatës, NATO goditi me vendosmëri të vërtetë aftësisë gjeneruese të energjisë elektrike. Kryeqytetet kryesore aleate gjithashtu filluan të sinjalizojnë se, nëse fushata ajrore nuk do arrinte rezultatet e synuara, në fund të fundit mund të duhej dhe një fushatë tokësore. Nga fundi i majit, u pranua nga media se NATO po afrohej gjithnjë e më shumë një operacioni tokësor në Ballkan.

Në atë kohë, kur avionët e NATO-s kishin kryer më se 30 mijëmisione, Aleanca Atlantike deklaroi zyrtarisht se ishin asgjësuar mbi një e treta e avionëve luftarakë të Forcave Ajrore kundërshtare, dy të tretat e baterive të raketave tokë-ajër dhe mbi një e treta e forcave të rënda serbe në Kosovë. Por mediat ndërkombëtare kishin një tjetër opinion. Duke cituar një raport konfidencial nga shtabi i komandantit të përgjithshëm të NATO-s, Gjeneralit Clark, ata paraqitën një përmbledhje zhgënjyese të rezultateve të sulmeve ajrore, duke pretenduar se goditjet kishin arritur të shkatërronin vetëm 300 armë të rënda, përfshirë rreth 60 tanke, si dhe vetëm dhjetë poste komanduese ndërkohë qëpjesa më e madhe e forcave ajrore jugosllave ishte ende e paprekur. Një raport i publikuar një vit më vonë nga revista Newsweek deklaroi se vetëm një nga dhjetë objektivat e pretenduara nga NATO u godit me të vërtetë.

Me përmirësimin e motit aftësitë e forcave të NATO-s për zbulimin dhe goditjen e forcave tokësore serbe në Kosovë u rritën dukshëm. Në fillim të qershorit, falë një degradimi të dukshëm të mbrojtjes ajrore serbe dhe rolit efektiv të luajtur nga UÇK-ja në operacionin Shigjeta, i cili në jug të malit Pashtrik i deyroi trupat serbe të dilnin nga pozicionet e tyre të maskuara,avionët amerikanë B-1 dhe B-52 goditën masivisht forcat serbe të grumbulluara pranë kufirit Kosovë-Shqipëri duke i shkatuar ayre humbje të konsiderueshme.

Është thënë shpesh se cdo luftë përfundon nëpërmjet negociatave dhe nga kjo nuk përjashtohet as fushata ajrore e NATO-s mbi Republikën Federale Jugosllave. Në fakt, negociatat kishin vazhduar ndërkohë në formë konfidenciale mes amerikanëve dhe rusëve nga një anë dhe më pas midis tëdërguarit të Rusisë, ish-Kryeministrit Çernomerdin, dhe Milosheviçit. Kur ky i fundit, nga mesi i majit tregoi shenja lëshimi negociatat morën një hov të ri me përfshirjen e kërkuar nga amerikanët të ish-Presidentit finlandez, Ahtisaari, krahas tëdërguarit rus, Çernomerdin, Çëshjet më të mprehta kishin tëbënin me tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe përbërjen e forcave ndërkombëtare të cilat do ti zëvendësonin ato në terren. Duhet theksuar Ahtisaari luajti një rol shumë të rëndësishëm nëunifikimin e qëndrimeve midis Uashingtonit dhe Moskës për njëmarrëveshje paqe. Ai arriti ti bindte rusët që NATO të ishte koordinuesja e këtij misioni të ri paqeruajtës, të quajtuar ndërkohë KFOR, ndërkohë që edhe amerikanët u bindën qëforcat ruse të ishin pjesë e këtij misioni.

Çernomërdin dhe Ahtisaarit u takuan disa herë në Beograd me Millosheviçin në përpjekje për ta bindur atë të pranonte kushtet e marrveshjes së paqes por takimi i 3 qershorit rezultoi të ishte ai vendimtar. Sic kujton një nga ndihmësit e Ahtisaarit, duke paraqitur kushtet e qarta të marrëveshjes, ish-Presidenti i Finlandës i shpjegoi Millosheviçit se ato ishin të panegociueshme, se nuk do të bëheshin lëshime, dhe se të gjitha trupat serbe duhej të tërhiqeshin nga Kosova. Pak pas mesditës së të nesërmes dhe pas një mbledhje formale të Parlamentit serb, Millosheviçi i deklaroi Ahtisaarit se Serbia i pranonte kushtet e marrëveshjes.

Ndër faktorët që e detyruan Millosheviçin të dorëzohej, përtej efektit të sulmeve ajrore dhe demostrimit se Aleanca Atlantike mund ti kishte vazhduar ato për aq kohë sa të ishte e nevojshme, mundësia e një pushtimi eventual tokësor nga ana e NATO-s ishte faktori që duket se pati një peshë të vecantë. Një tjetër faktor i mundshëm ishte fakti se krimet serbe në Kosovë i kishin hequr atij cdo mbështetje ndërkombëtare, përfshirë edhe atëruse.

Më 8 qershor, Ministrat e jashtëm të vendeve të G-8 arritën një marrëveshje për një projekt-rezolutë të OKB-së për Kosovën, e cila, ndër të tjera parashikonte një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë me pjesëmarrje të konsiderueshme të NATO-s dhe nën një komandë të unifikuar. Më 10 qershor, nëKumanovë, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, komandanti i KFOR-it, Gjenerali britanik Jackson dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm dhe ata të Ministrisë së Brendshme të Serbisë nënshkruanMarrëveshjen Teknike Ushtarake e cila përcaktoi modalitetet e tërheqjes së të gjitha forcave serbe nga Kosova si dhe ato tëhyrjes dhe dislokimit të sinkronizuar të KFOR-it. Më 12 qershor, elementët e parë të KFOR-it filluan të hynin në Kosovëndërkohë që sulmet ajrore të NATO-s ishin pezulluar një ditë më parë. Po me 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi me 14 vota pro, ndërkohë që Kina abstenoi, rezolutën 1244 e cila e vendoste Kosovën nën kontrollin civil ndërkombëtar dhe forcën paqëruajtëse të NATO-s nën autoritetin e OKB-së. Pas këtij votimi presidenti Klinton deklaroi se NATO kishte arritur fitoren.

Kishte një lehtësim të madh në selinë e NATO-s gjatë atyre ditëve. Aleanca ja kishte dalë mbanë të dilte fituese në këtë sfidë tepër të vështirë dhe kryesisht kishte arritur të ruante kohezionin dhe integritetin e saj. Meritë të vecantë kishte pa dyshim Sekretari i Përgjithshëm, Solana, i cili, përballë vëshirësive dhe presioneve të shumta dëshmoi lidershipin dhe guximin e duhur. Më 20 qershor, pas konfirmimit se të gjitha forcat serbe ishin tërhequr nga Kosova, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, vendosi të ndërpresë përfundimisht fushatën ajrore 12 javore tëAleancës.

Në tërësi, pilotët aleatë kryen 38004 misione nga të cilat 10484 misione sulmi. NATO humbi vetëm dy avionë të rrëzuar dhe asnjë pilot cka dëshon qartë profesionalizmin e ekuipazheve të saj ajrore dhe komandantëve të tyre. Edhe pse sulmet ajrore të NATO-s nuk arritën të ndalonin fushatën e spastrimit etnik të Millosheviçit, ato ia dolën të prapësonin plotësisht efektet e saj. Brenda dy javësh nga përfundimi i fushatës më se 600 mijëshqiptarë të Kosovës ishin kthyer në vendin e tyre.

Megjithëse fushata ajrore e Aleancës Atlantike u duk se konfirmoi përfundimisht faktin që NATO doli nga kjo sfidë më e fortë dhe më e konsoliduar se kurrë, fushata solli mjaft tension brenda Aleancës pasi për aleatët evropianë ajo u bë një ndergjegjësim irritues i varësisë së tyre të plotë nga asetet dhe lidershipi ushtarak i SHBA-ve dhe i faktit që ata nuk dispononin kapacitete te mjaftueshme për të përballuar impenjime luftarake të kësaj natyre. Kjo u ilustrua qartë nga sasia e misioneve të kryera nga anëtarët europianë të NATO-s, ku e para ishte Franca me 28% e ndjekur nga Hollanda me 16 %, nga Britania e Madhe me 13 % dhe se fundmi nga Gjermania me 8%. Këto shifra dëshmonin fare qartë supremacinë e stërmadhe amerikane brenda NATO-s. Kështu, fushata ajore nxorri në pah një numër dilemash e një seri çështjesh të rëndësishme të cilat lidheshin me rolin dhe kapacitetet e SHBA-ve dhe Europës, dy shtyllave mbajtëse të Aleancës Atlantike, si dhe ndërveprimin midis tyre e duhet nënvizuar se këto problematika vijojnë ta karakterizojnë NATO-n edhe sot e kësaj dite.

Sa i përket shqiptarëve, fushata ajrore, rezultoi të ishte një zhvillim epokal i cili, përveç se çliroi gjysmën e kombit nga një zgjedhë thuajse shekullore, përcaktoi në vijimësi ecurinë e Kosovës drejt pavarësisë si dhe atë të Shqipërisë drejt antarësimit në NATO./gazetatema.net/

 

Të fundit