E hënë, 29 Prill, 2024

DY SHQIPTARË KANDIDATË PËR DEPUTETË TË LSDM-SË

Dy shqiptarë janë gjetur në vendet e dyta të listave të kandidatëve për deputetë të LSDM-së: zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi në Njësinë Zgjedhore (NjZ) 2 dhe 24-vjeçari Agron Demiri në NjZ 6, përcjell KDP. 

Partia e kryeministrit Dimitar Kovaçevski i shpalli të premten bartësit dhe bashkë-bartësit e listave zyrtare për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare,  të cilat do të mbahen më 8 maj të këtij viti.

“LSDM në këto zgjedhje do të ofrojë njerëz që do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe do ta përshpejtojnë zhvillimin e shtetit”, tha Kovaçevski para deputetëve të pranishëm në Kongres.

Kovaçevski do të kryesojë listën në NjZ 1 dhe në vendin e dytë, i pasuar nga kryetarja e Partisë Liberal Demokratike (LDP), Monika Zajkova.

Në NjZ 2 në detyrë është ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në pozicionin e dytë do të jetë zëvendëskryeministri aktual për Çështje Ekonomike dhe nënkryetar i Partisë, Fatmir Bityqi.

Në  NjZ 3, bartëse e listës së kandidatëve për deputetë do të jetë nënkryetarja e LSDM-së dhe drejtoreshë e DHP, Sanja Lukarevska, ndërsa në vendin e dytë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i rikthehet politikës dhe do të jetë bartës i listës në njësinë katër 4. Vendin e dytë në listë e ka Jovana Trençevska, zëvendësministre plotësuese e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Në Njësinë e pestë zgjedhore, kryetari aktual i Kuvendit Jovan Mitreski do të jetë i pari në listën e deputetëve në fletëvotim, ndërsa e dyta – nënkryetarja e LSDM-së dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska.

Në njësinë e gjashtë zgjedhore, në vend të parë është ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, ndërsa pasohet nga Agron Demiri.

“Në katër vitet e ardhshme paga mesatare do të arrijë rekordin prej 1100 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 37000 denarë. Në vitin 2028, pensioni minimal do të jetë 20.000 denarë, ndërsa pensioni mesatar do të jetë 30.000 denarë. Nga ky vit dhe çdo vit tjetër do të ketë një pako prej 100 eurosh për çdo pensionist në vend. Qeveria e re e LSDM-së do të sigurojë 200 euro në muaj në 12 muajt e parë për çdo punësim të parë të personave deri në 26 vjeç. Programi i ri ofron subvencione dhe mbështetje edhe më të madhe për fermerët tanë prej 750 milionë euro. Një nga projektet është një vakt i ngrohtë falas për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Transport publik falas për të gjithë nxënësit dhe studentët”, tha Kovaçevski para të pranishmëve në Kongres.

Sipas raportimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase, në seancat e Bordit Ekzekutiv dhe të Bordit Qendror të partisë, në të cilat u përcaktuan bartësit dhe bartësit e listave dhe renditja e kandidatëve, ka pasur pakënaqësi dhe reagime të disa prej të pranishmëve dhe të anëtarëve dhe disa nga zyrtarët e lartë të pranishëm dyshohet se janë larguar nga takimet.

Një pjesë e mediave pohojnë se deputeti aktual dhe zëdhënësi i partisë, Darko Kaevski, ka kërkuar që të hiqet nga lista, pasi nuk ka qenë i kënaqur sepse në njësinë e parë zgjedhore i është caktuar vendi i shtatë në listë.

Ka qenë ai që pas mbledhjeve të dy organeve partiake ka deklaruar se bëhet fjalë për dezinformim.

“Ai informacion është absolutisht i pasaktë. LSDM është e bashkuar dhe sot do të tregojë se ka njerëz të vërtetë”, tha Kaevski.

 

Të fundit