E hënë, 29 Prill, 2024

“TINA”, HIDHËSIA E KONCEPTIT DHE PUSHTETOKRACIA NË SHQIPËRI

Nga Ben Andoni

Para se të argumentohet po shpjegojmë me pak fjalë konceptin “TINA”. Përbën akronimin anglisht të fjalizës se “nuk ka alternativë” (there is no alternative). Në literaturë përdoret zakonisht nga investitorët, kur duan të shpjegojnë zhvillimet e dobëta të aksioneve me arsyetimin se burime të tjera të aktiveve ofrojnë kthime edhe më të këqija. Ose, p.sh. gjatë kohës kur obligacionet po ecin dobët, ndërsa aksionet duket se mbeten e vetmja zgjedhje.

Margarët Thaçër, kryeministrja konservatore e Britanisë së Madhe për gati dy dekada, e përdori TINA-n deri si një slogan politik. Me këtë devizë, “Zonja e Hekurt” iu kundërvu kritikëve të saj, të shtuar sistematikisht deri në fund të drejtimit të saj. Kuptohet se ajo ua vuri frazën përballë kryesisht njerëzve të Partisë Laburiste, për të justifikuar politikat e saj të orientuara nga tregu për rregullimin e duhur, centralizimit politik, shkurtimeve të shpenzimeve dhe kthimit prapa të shtetit të mirëqenies. Për të ishte e qartë se:“neoliberalizmi i tregut të lirë nuk kishte alternativë”. Sërish, referuar literaturës, shteti i modelit neoliberal nuk kuptohet si një “motor rishpërndarës” dhe as si “roje sigurimi”, por si garantues i kushteve, brenda të cilave biznesi mund të zhvillohet lirisht. Koha do t’i jepte të drejtë kryeministres, kurse politologu i njohur Frensis Fukujama jo shumë kohë më vonë argumentoi se pikëpamja e znj. Thaçer ishte e vërtetuar përgjithmonë. “Me komunizmin e diskredituar, shkroi ai, asnjë ideologji nuk mund të konkurronte më seriozisht me kapitalizmin dhe demokracinë: ‘fundi i historisë’ që premtoi Marksi kishte ardhur, megjithëse në një formë që ai nuk arriti ta parashikonte dot”.

Po pse po e lidhim me kohën, ku jetojmë dhe vendin tonë?! Pasi, sërish në përpjekje për ta rikarakterizuar politikisht, TINA, duket se po shpërfaq sfidën e madhe për vlerat, demokracinë dhe duket se kjo lloj politike që po pjell autokratë (Në Ballkan i kemi të gjallë), e po shndërron atë vlerë të shenjtë, që njerëzit perceptojnë për shtetin e të drejtës. TINA jo vetëm s’konsiderohet më pasojë e ideologjisë neoliberale, por përbën tiparin kryesor të saj. Kjo veçori dërrmon edhe traditën politike liberale, aq të artikuluar nga pushtetarët e ndryshëm dhe jo pak dhe tanët për dallimin e qartë midis niveleve të ndryshme të pushtetit politik (kushtetues, legjislativ dhe individual), si dhe dallimin midis pushtetit politik të shtetit dhe fuqisë ekonomike të tregjeve. Veçse TINA ndihet, kur kjo lloj politike e sotme krijoi vështirësi deri në falimentime të shteteve, autoritarizmin, varfërinë dhe pabarazinë, apo si ato në kohët tona, kur politikat neoliberale po sjellin probleme jo të pakta me sistemin ekonomik, ku si në rastin e Shqipërisë kemi privatizimet e padrejta dhe të dyshimta të pronës publike, shkurtimet në sistemin e sigurimeve shoqërore, zvogëlimin e pensioneve e të tjera me radhë.

Të fundit