E diel, 28 Prill, 2024

KOPRRACIA

Koprracia është një ndjenjë që nis kur i varfëri fillon procesin, i cili e kalon atë në pasurim. Kurse pasuria e madhe, më pas, këtë koprrac e hedh në bamirësi. Si shpjegohet kjo?

Shkruan: Spartak Ngjela

I.

I gjithë ky është një proces i një psikike që influencohet nga forca e parasë. Një të varfër, nuk e ngacmon fare forca e parasë, sepse ai nuk e ka paranë. Ai e mendon paranë që ta ketë, por, për faktin që nuk e ka, ajo nuk e krijon pushtetin e saj kundrejt tij.

Por, sapo që ky i varfër pasurohet, fillon pushteti i parasë ndaj tij, dhe ky pushtet e hedh në koprrací. Për kopracin sot ende nuk dihet: ky, është i dashuruar me paranë si mjet jetese, apo është forca e parasë që e merr me vete?

Në të vërtetë është forca e parasë që e bën koprracin koprrac, por, sapo pasuria e tij hyn në nivele milionash, paraja sërish i imponohet: sepse ajo tani e shtyn së brendshmi që ky të ndihmojë të varfërit, të hapë restorante gratis dhe të investojë në shëndetësi dhe arsim.

Por, pyetja që ngrihet në këtë rast është kjo: këtë individ, edhe në këto akte bamirësie, paraja e shtyn? sepse – si ka mundësi që një koprrac të bëhet një qenie bamirëse?

E pra, ky ka qenë raporti që ka pasur studim të veçantë në lidhje me psikologjinë njerëzore, e cila, në funksion të parasë, befas kalon nga ekstremi në ekstrem.

Por ideja më e saktë duket të jetë ajo që pranon se forca është gjithmonë e parasë; sepse kjo forcë është ajo që e pushton mendjen dhe mendimin, dhe prandaj krijimi i këtyre individëve zhvillohet e zhvillohet vetëm drejt fitimit të parasë.

Prandaj, të gjitha pasuritë e mëdha të individëve të veçantë, në një formë apo në një tjetër, janë krijuar nga koprracia, e cila në termin normal quhet kursim, apo kursime që me to krijohet pasuria.

Pastaj, me këto para, koprraci ka nisur investimin dhe këtu ka filluar ecja drejt pasurisë së pakufishme…

II.

Duhet ta pranojmë se individi e dashuron paranë nën një ndjenjë inkoshiente, por që në fakt ajo i pushton edhe ndërgjegjen.

Po, si kalon një individ nga koprracia në bamirësi?

Eshtë i kuptueshëm kalimi nga koprracia në pasuri, por mbetet ende në diskutim kalimi që bëhet nga pasuria e madhe deri në bamirësi. Koprracia apo kursimi i lartë e çon individin në pasuri, por, si kalohet pastaj nga kopracia në bamirësi?

Domethënë ky është një proces që kalon në një raport katërsh: varfëri, koprraci, pasuri, bamirësi… dhe pikërisht kjo kërkon një studim të veçantë të psikikës njerëzore. Por, gjithsesi, deri tani është pranuar letrarisht se bamirësia ndoshta është kujtimi i koprracit kur ky ka qenë i varfër, dhe prandaj atij, tani që është i pasur, thellë-thellë po i duket sikur po ndihmon veten. Kujtimi i largët e çon këtë tek vetja e parë, dhe vetja e parë i kujton varfërinë, kurse lëmosha apo ndihma monetare që po jep rast pas rasti tani që është i pasur, atij i duket sikur po ndihmon veten e dikurshme.

Por Shekspiri tek Hamleti befas pyet: “E bën fati dashurinë, apo dashuria fatin dhe njerinë?”

Por, edhe ne tani mund të pyesim me këtë arsye shekspiriane: e sjell paraja dashurinë, apo dashuria fatin dhe njerinë?

Të fundit