Parlamenti dhe Këshilli Evropian, të mërkurën, kanë miratuar qëndrimet për Reformën për “Planin e rritjes për Ballkanit Perëndimor”, që parashikon investime deri në 6 miliardë euro për rajonin, 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi, ndërsa pritet që deri në fund të muajit prill të përfundohet procedura për miratimin e kësaj rregullative, përcjell KDP.MK, njoftimin e MPJ-së.
Ministria e Punëve të Jashtme e RMV-së, njoftoi se ministri Bujar Osmani dhe sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane Drita Abdiu Halili në takim me Misionin e BE-së në vend diskutuan për përshpejtimin e procesit të integrimit të RMV-së në BE.
“Në këtë drejtim, Osmani e përshëndeti miratimin e qëndrimeve të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit për Reformën dhe Planin e Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Me mbështetje pothuajse unanime, eurodeputetët treguan përkushtim të qartë ndaj politikës së zgjerimit dhe proceseve reformuese që do të forcojnë vlerat e BE-së në rajon, duke u fokusuar në transparencën, sundimin e ligjit dhe integrimin ekonomik”, informuan nga MPJ.
Nga atje thonë se edhe Këshilli e miratoi qëndrimin e tij dhe pritet që deri në fund të prillit të këtij viti të përfundohet procedura për miratimin e kësaj rregullativeje që do t’u mundësojë vendeve të rajonit qasje në instrumentin e ri financiar me vlerë prej 6 miliardë euro që do të financojë zbatimin e reformave – të ngjashme me instrumentet në dispozicion të shteteve anëtare.
MPJ njofton sepjesa tjetër e planit i dedikohet qasjes së kompanive nga Maqedonia e Veriut dhe rajonit në tregun unik të Unionit, por edhe përfitimeve për qytetarët e vendit tonë. Në këtë fazë janë përcaktuar 4 prioritete për këtë qëllim:
Ndryshe zëvendës-kryenegociatorja me Bashkimin Evropian (BE), Drita Abdiu-Halili, gjatë një interviste për KDP.MK, tha se plani i Zhvillimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, do të transformojë rajonin në tërësi, duke nxitur zhvillimin e gjithmbarshëm të tij. “Plani për Zhvillim to të nxisë zhvillimin ekonomik, do të hap vende të reja të punës dhe do të jetë një mbështetje e mirë për vendin deri në anëtarësimin e plotë në BE”.
Sipas saj, ky plan paraqet një hap shumë konkret dhe real të bazuar në 4 shtylla, që pritet të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Në tavolinë kemi një plan nga Bashkimi Evropian dhe mundësi të cilën nuk guxojmë ta humbim. Ky plan do të na mundësojë të avancojmë shpejtë dhe të kapim hapin me vendet tjera nga Ballkani Perëndimor të cilat tani më një dekadë po negociojnë me BE-në. Ky Plan përveç se do të amortizojë pabarazitë ekonomike mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përshpejtojë edhe procesin reformues, dhe përmes tij qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut do të mund të ndjejnë disa nga përfitimet e Bashkimit Evropian përpara se Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotë e BE-së”, ka theksuar Drita Abdiu-Halili, duke nënvizuar se kompanitë dhe bizneset e Maqedonisë së Veriut do të kenë qasje në 7 fusha kyçe të tregut të vetëm të Bashkimit Evropian.
“Shtylla e dytë është hapja e tregut vendas ndaj tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, që është një treg me potencial të madh zhvillimor dhe kjo padyshim që mund të rrisë Prodhimin Bruto të Brendshëm të Ballkanit perëndimor për 10%. Nëse duam të hapim dyert e Tregut të brendshëm të BE dhe tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit perëndimor, atëherë na nevojitet reforma pozitive për sektorin e biznesit si dhe reforma që do të nënkuptojnë Administratë publike efikase, financa të shëndosha publike, si dhe përmirësimin e ambientit biznesor”.
Si do të funksionojë Plani?
Plani i cili është prezantuar në nëntor të vitit 2023, dhe parasheh që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët tjerë të jepen në formën e kredive të volitshme.
Nga secili vend është paraparë përgatitja e një agjende reformuese, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, para vlerësimit dhe miratimit të saj nga Komisioni Evropian.
Reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit janë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.
Pritjet janë që Parlamenti Evropian t’i finalizojë të gjitha procedurat deri në prillin e sivjetmë, për të mundësuar lëshimin e fondeve sa më shpejt.
Pagesat parashihen të bëhen dy herë në vit, varësisht prej rezultateve në përmbushjen e kritereve.
BE-ja ka thënë se fondet, në parim, do të ndahen varësisht prej Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të një vendi. Por, nëse një vend nuk i kryen reformat pas 1-2 vjetëve, atëherë shuma u shpërndahet vendeve të tjera.