E shtunë, 15 Mars, 2025

DRITA ABDIU-HALILI: NË TAVOLINË KEMI NJË PLAN DHE MUNDËSI NGA BE – NUK GUXOJMË TA HUMBIM KËTË SHANS

Ndryshimet kushtetuese do të hapin rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së në një moment kur blloku ka përkushtim të zgjerimit në drejtim të Ballkanit Perëndimor, thotë zëvendës-kryenegociatorja me Bashkimin Evropian (BE), Drita Abdiu-Halili në një intervistë ekskluzive për KDP. Ajo shpalos katër shtyllat e Planit të Zhvillimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, plan i cili do ta transformojë rajonin në tërësi, duke nxitur zhvillimin e gjithmbarshëm të tij.

Plani për Zhvillim to të nxisë zhvillimin ekonomik, do të hap vende të reja të punës dhe do të jetë një mbështetje e mirë për vendin deri në anëtarësimin e plotë në BE”, thotë ajo.

Sipas Abdiu-Halilit, mosrealizimi apo mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese do të nënkuptonte, një perspektive jo të qartë për vendin në 10 vitet e ardhshme, rritje të euroskepticizmit, regres ekonomik, humbje të shpresës për gjeneratat e reja, si dhe stagnim në procesin reformues me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe funskionimin e institucioneve demokratike.

KDP: Ju jeni Sekretare shtetërore në Sekretariatin për çështje evropiane dhe zëvendës-kryenegociatore me Bashkimin Evropian (BE). Ku jemi tash në procesin e negociatave?

DRITA ABDIU-HALILI: Gati për një vit e gjysmë ushtroj detyrën e Sekretares shtetërore në Sekretariatin për çështje evropiane dhe dua të them se kjo ishte një periudhë shumë sfiduese si në drejtim të rëndësisë historike në të cilën si shtet gjendemi sa i përket integrimit në BE, ashtu edhe punës e cila duhej të bëhej në drejtim organizativ dhe koordinues, që kur Maqedonia e Veriut i hapi negociatat për anëtarësim të plotë në BE-në.

Ashtu siç e dimë, me mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në në korrik të viti 2022, përfundimisht Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria filluan negociatat e anëtarësimit me BE-në. Kjo i dha fund pritjes 15 vjeçare dhe ofroi një perspektivë të qartë në rrugën euro-integruese të vendit tonë. Në shtator të po këtij viti, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut solli vendimin për formimin e strukturës negociuese, me të cilin u vendosën themelet organizative, detyrat, obligimet dhe funksionet e trupave dhe njësive brenda kësaj strukture. Me këtë vendim, Sekretariati për çështje evropiane mori rolin e koordinatorit nacional të procesit integrues në BE, kurse unë si Sekretare Shtetërore në SÇE përmes detyrës zyrtare dhe sipas këtij vendimi të qeverisë, ushtroj paralelisht edhe detyrën e zëvendës-kryenegociatores me BE-në. Kjo detyrë lidhet ngushtë me koordinimin e më shumë se 160 institucioneve të janë pjesë e strukturës negociuese dhe grupeve të punës për 33 kapitujt dhe 3 fushat e definuara sipas metodologjisë së reviduar për anëtarësim në BE. Detyrë e ime është gjithashtu të udhëheq me sesionet e skriningut bilateral me Komisionin Evropian (KE), mbajtja e kontakteve me përfaqësuesit e komisionit evropian, mbajta e takimeve përgatitore të skriningut dhe shumë detyra të tjera të lidhura ngushta me çështje praktike dhe funsksionale të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian (BE). Tani kur jemi në fund të procesit të skriningut, me vetëm 3 kapituj të mbetur nga gjithsej 33, mund të them se ishte një rrugëtim shumë sfidues, në raste përplot të panjohura, nga fakti që bashkë me Shqipërinë ishim shtetet e para të cilat filluan negociatat me BE-në metodologjinë e re. Por në fund mundem lirisht të konstatoj se çdo sfidë u tejkalua dhe të gjithë ne, përfshirë këtu edhe vetë përfaqësuesit e KE-së mësuam shumë nga ky proces, i cili rezultoi me skrining të suksesshëm, gjë të cilën e konfirmojnë edhe vetë përfaqësuesit e KE-së nga ku kemi komente pozitive sa i përket përgatitjes profesionale të delegacioneve tona, që deri tani kanë marrë pjesë në sesionet e skriningut në Bruksel.

KDP: Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të ekspeditave të shpeshta të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në vendin tonë? Si i komentoni këto vizita dhe çka do të thotë kjo për Maqedoninë e Veriut?

DRITA ABDIU-HALILI: Si shtet, gjendemi në situatë shumë delikate për sa i përket vazhdimit të rrugës euro-integruese. Maqedonia e Veriut për të hapur negociatat për anëtarësim në BE, nënshkroi kornizën negociuese, dokument nga i cili rrjedhin edhe obligime të caktuara, ku bën pjesë edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Dua të potencoj se këto detyrime ne i kemi marrë dhe pranuar vet dhe nuk bëhet fjalë për diktat apo imponim të palëve të treta. Por në këtë rrugë nuk jemi vet. Atë që mund ta konfirmoj edhe dëshmoj është se gjatë gjithë kësaj kohe në procesin e skriningut nuk ka munguar aspak mbështetja dhe përkrahja e BE-së. Kemi pasur dhe kemi një bashkëpunim shumë të mirë me KE-në dhe kjo përkrahje nuk është thjesht deklarative por edhe e dëshmuar në praktikë.

Për herë të parë pas shumë viteve në BE kemi një konsesus dhe vullnet të theksuar për sa i përket zgjerimit të BE-së me shtete anëtare të reja. Këtë e tha edhe Presidentja e KE-së, Ursula fon Der Layen si dhe presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel, që tani më konkretisht i referohen vitit 2030 si vit i mundshëm për valën e re të zgjerimit të BE-së me shtete të reja anëtare. Vizita e Presidentes Fon Der Layen në Shkup dhe Presidentit Macron në Shqipëri janë sinjale shumë të mira për sa i përket integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Përveç deklaratave të shpeshta të përfaqësuesve të lartë politik për sa i përket agjendës së zgjerimit, kemi edhe një plan konkret të hartuar nga Komisioni Evropian dhe ky është Plani I Zhvillimit për Ballkanin perëndimor i cili pritet të përshpejtojë dhe t’i japë dinamikë të re procesit të reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor që tashmë kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

KDP: A mund të na thoni në terma konkret çka do të thotë plani i zhvillimit për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe konkretisht për Maqedoninë e Veriut?

DRITA ABDIU-HALILI: Javën e kaluar, gjatë vizitës së Maqedonisë së Veriut, Presidentja Fon Der Lajen prezantoi  Planin e Zhvillimit për Ballkanin Perëndimor i cili u paralajmërua në muajin maj të këtij viti. Ky plan paraqet një hap shumë konkret dhe real të bazuar në 4 shtylla, që pritet të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Katër shtyllat e Planit të Zhvillimit për Ballkanit Perëndimor janë:

  • Kompanitë dhe bizneset e Maqedonisë së Veriut do të kenë qasje në 7 fusha kyçe të tregut të vetëm të Bashkimit Evropian.
  • Shtylla e dytë është hapja e tregut vendas ndaj tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, që është një treg me potencial të madh zhvillimor dhe kjo padyshim që mund të rrisë Prodhimin Bruto të Brendshëm të Ballkanit perëndimor për 10%.
  • Shtylla e tretë e këtij plani ka të bëjë me procesin reformues. Nëse duam të hapim dyert e Tregut të brendshëm të BE dhe tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit perëndimor, atëherë na nevojitet reforma pozitive për sektorin e biznesit si dhe reforma që do të nënkuptojnë Administratë publike efikase, financa të shëndosha publike, si dhe përmirësimin e ambientit biznesor. Gjithashtu kyçe janë reformat për përmirësimin e gjyqësorit si dhe lufta e kundër korrupsionit. Këto janë reformat që do të duhet të sigurojnë kushte të barabarta loje në Tregun e vetëm evropian si dhe në tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor.
  • Duke marrë parasysh se procesi reformues nuk është i lehtë dhe është i kushtueshëm, këtu vjen në shprehje edhe hapi i 4 i Planit të Zhvillimit, që ka të bëjë me investimet. BE propozoi një pako prej 6 miliardë euro për Vendet e Ballkanit Perëndimor, që ka të bëjë me reformat për investime. Këtë Bashkimi Evropian e propozon duke pas parasysh eksperiencën pozitive që e ka me këtë mekanizëm edhe përbrenda BE-së, i cili është vendosur pas Pandemisë. Principi i funksionimit të këtij mekanizmi investues nënkupton investime të kushtëzuara me reforma specifike.

Plani për Zhvillim to të nxisë zhvillimin ekonomik, do të hap vende të reja të punës dhe do të jetë një mbështetje e mirë për vendin deri në anëtarësimin e plotë në BE.

Në tavolinë kemi një  plan nga Bashkimi Evropian dhe mundësi të cilën nuk guxojmë ta humbim. Ky plan do të na mundësojë të avancojmë shpejtë dhe të kapim hapin me vendet tjera nga Ballkani Perëndimor të cilat tani më një dekadë po negociojnë me BE-në.

Ky Plan përveç se do të amortizojë pabarazitë ekonomike mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përshpejtojë edhe procesin reformues, dhe përmes tij qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut do të mund të ndjejnë disa nga përfitimet e Bashkimit Evropian përpara se Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotë e BE-së.

KDP: Deri ku është procesi i skriningut? Cilat janë pritjet dhe sfidat kryesore në këtë proces?

DRITA ABDIU-HALILI: Procesi i skriningut mirë po rrjedh sipas dinamikës paraprakisht të dakorduar me Komisionin Evropian. Skriningu për Maqedoninë e Veriut filloi me 15 shtator të vitit të kaluar dhe pritet të mbarojë në gjysmën e parë të muajit dhjetor.

Nga gjithsej 33 kapituj dhe 3 fusha, në sesionet e ardhshme, që priten të mbahen në fund të muajit nëntor dhe fillim të dhjetorit, na kanë mbetur edhe 3 kapituj për të cilët duhet të finalizojmë skriningun bilateral.

Në fund të nëntorit kemi skriningun bilateral për Kapitullin 12- Siguria e ushqimit, veterina dhe politika fitosanitare i cili është një kapitull volumioz me shumë rregullativa dhe direktiva që do të zgjasë për 5 ditë, dhe me këtë përmbyllim Klasterin e 5 – Resurse, bujqësi dhe kohezion. Kurse 2 kapitujt e fundit 30 dhe 31 që janë pjesë e Klasterit të 6 – Marrëdhëniet e jashtme, pritet të mbahen me 6 dhe 7 dhjetor, me çka edhe do të përmbyllet në tërësi procesi i skriningut të Maqedonisë së Veriut me Komisionin Evropian.

Skriningu është proces shumë dinamik  dhe gjithpërfshirës. Sa për ilustrim deri më tani janë kyçur rreth 1500 ekspertë të fushave përkatëse nga Maqedonia e Veriut si dhe mbi 800 ekspertë nga Komisioni Evropian.

Poashtu, dua ta theksoj është se paralelisht me procesin e skriningut ne po punojmë intenzivisht edhe në përgatitjen e 3 udhërrëfyesve, edhe atë: udhërrëfyesi për sundimine ligjit, Reforma në administratën publike, si dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Udhërrëfyesit janë dokumente shumë të rëndësishme dhe kusht për hapjen e klasterit të parë. Përgatitja e udhërrëfyesve për Sundimin e së drejtës dhe Reforma e administratës publike janë kushtet që të mund të hapim klasterin e Parë – Vlerat Fondamentale, pasi të mbarojë procesi i skriningut dhe pasi që t’i kemi përmbushur obligimet nga korniza negociuese. Udhërrëfyesi Funksionimi i institucioneve demokratike është gjithashtu një dokument i rëndësishëm por i njëjti nuk paraqet kusht për hapjen e kapitujve.

Pra punojmë intenzivisht në përgatitjen e këtyre dokumenteve dhe deri më tani kemi realizuar një sërë konsultimesh me të gjitha institucionet relevante si dhe kemi bërë 2 takime konsultative ne përfaqësues të sektorit civil, duke marrë parasysh se edhe njohuritë dhe ekspertiza e tyre janë shumë të rëndësishme që të hartojmë udhërrëfyes kualitativ dhe efikas.

KDP: Procedura për ndryshimet kushtetuese filloi në Kuvend. Por çdo ditë e më shumë është evidente se ku proces po ecën  vështirë dhe nuk ka një konsensus më të gjerë politik për miratimin e tyre. Cilat janë rreziqet në rrugën euro-integruese të vendit nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese?

DRITA ABDIU-HALILI: Kjo që tani po shohim në Bashkimin Evropian, paraqet një momentum të vërtetë për sa i përket zgjerimit, të cilin assesi nuk guxojmë ta humbim. Siç edhe thash më herët për herë të parë në BE ekziston një konsensus i theksuar për sa i përket zgjerimit. Agjenda 2030, apo vala e re e zgjerimit në BE deri në vitin 2030 është një qëllim real dhe i arritshëm si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se hapja e perspektivës për zgjerim të BE-së me vende të reja anëtare, është rezultat i situatës së re gjeopolitike të krijuar me luftën në Ukrainë, dhe ne si shtet që kemi shumë vite në dhomën e pritjes, duhet detyrimisht ta shfrytëzojmë këtë rast.

Maqedonia e Veriut me hapjen e negociatave për anëtarësim nënshkroi edhe Kornizën negociuese me BE, pjesë e së cilës është edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Kjo do të thotë se ndryshimet kushtetuese nuk janë diktat i imponuar, por detyra shtëpie të cilat ne si shtet i kemi pranuar dhe të cilat duhet t’i miratojmë konform kornizës negociuese.

Mosrealizimi apo mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese do të nënkuptonte, një perspektive jo të qartë për vendin në 10 vitet e ardhshme, rritje të euroskepticizmit, regres ekonomik, humbje të shpresës për gjeneratat e reja, si dhe stagnim në procesin reformues me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe funskionimin e institucioneve demokratike.

Ajo që na ndodhi në vitin 2008 ku si pasojë e rrethanave të atëhershme politike Maqedonia e Veriut mbeti pas, dhe Kroacia vazhdoi rrugën duke u bërë anëtare e plotë e BE-së në vitn 2013, rrezikon të na përsëritet edhe njëherë.

Siç edhe e dimë Maqedonia e Veriut i filloi negociatat për anëtarësim sipas metodologjisë së re të reviduar bashkë me Republikën e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë dhe paralelisht me Shqipërinë kaluam edhe procesin e skriningut dhe të gjitha proceset tjera që i paraprijnë hapjes së Klasterëve. Nëse ne si shtet nuk arrijmë ti realizojmë ndryshimet kushtetuese kjo do të thotë se Shqipëria do të vazhdojë me hapjen e Klasterit të parë menjëherë në fillim të vitit 2024, kurse ne si shtet do të mbetemi të ndarë dhe të izoluar nga ky proces.

KDP: Po nëse nuk arrijmë t’i përmbushim detyrimet e kornizës?

Ky skenar nuk i shkon në dobi askujt. Jemi shumë afër arritjes së qëllimit të dytë strategjik që kemi si shtet, që është anëtarësimi i plotë i vendit në BE. Tash më shumë se kurrë na nevojitet një konsesus i gjerë shoqëror dhe politik, dhe të gjithë aktorët pa përjashtim,  duhet të veprojmë bashkërisht drejt arritjes të këtij qëllimi.

 

Të fundit