E enjte, 12 Dhjetor, 2024

21 VJET NGA VRASJA E KRYEMINISTRIT SERB, GJINGJIQ: TRASHËGIIMIA E TIJ EDHE SOT E FRIKËSON PUSHTETIN

Këtu e 20 vjet më parë u vra kryeministri serb, Zoran Gjingjiq. Si kryeministër i parë pas përmbysjes së regjimit autoritar të Slobodan Millosheviqit, ai u përpoq ta ndryshonte Serbinë – ta modernizojë dhe ta kthejë nga Perëndimi. Gazetari i njohur Filip Shvarm thotë për të përditshme Danas të Beogradit se “është e pamundur të imagjinohet Serbia në tridhjetë vitet e fundit pa jetën dhe veprat e tij. Përfitojnë të gjithë, si ata që përmbysën regjimin e dëmshëm të Milosheviqit, po ashtu edhe këta që e mbrojtën atë. Edhe pse Gjingjiq ishte në pushtet për vetëm pak më shumë se dy vjet, ai ia doli që, përkundër problemeve të mëdha, ta kthejë vendin në komunitetin ndërkombëtar, të fillojë reformat largpamëse, të trasojë rrugën e tij evropiane dhe shumëçka tjetër nga kjo” – përcjell kdp.mk intervistën e publicistit të njohur serb. Shvarm është autor i një dokumentari për kryeministrin e ndjerë reformator dhe properëndimor “Gjingjiqi – rrëfimi për Serbinë”.

– E megjithatë, regjimi aktual, pavarësisht devijimeve të shumta dhe të rrezikshme, nuk mund ta kthejë prapa rrotën e historisë. Atë që mundet dhe që po e bën është të ngadalësojë dhe të ndalojë proceset që Gjingjiq i nisi. Prandaj, rrëfimi për të është edhe rrëfim për Serbinë. Konkretisht: çfarë ishim dhe çfarë mund të ishim.

– Në film tentoni t’u përgjigjeni shumë pyetjeve që mbetën të hapura pas vrasjes së kryeministrit. Njëra prej tyre është: “Ku ishte shteti atëherë, e ku mafia?”. Cila është përgjigja? Ku është sot shteti, e ku mafia?

– Gjingjiq trashëgoi institucione të keqpërdorura prej dekadash dhe mafian e cila nga Serbia krijoi shtetin e vet. Në luftën kundër kësaj zemre të errësirës të sundimit të Milosheviqit ai humbi jetën. Kur shikojmë Serbinë e sotme, shohim një process të kundërt – zhdukjen e institucioneve dhe lidhje të ngushta, le ta themi kështu, të pjesëve të regjimit dhe krimit të organizuar përmes klientelizmit sistematik dhe korrupsionit, veçanërisht të nivelit të lartë.

A është populli i Serbisë i vetëdijshëm për trashëgiminë e Gjingjiqit dhe në çfarë mase?

– Mendoj se është, të paktën intuitivisht. Është pikërisht ky ndërgjegjësim që i tremb mbajtësit e pushtetit aktual kur bien në shtrat dhe i fikin dritat.

Cila është trashëgimia më e madhe e Gjingjiqit dhe ku kemi devijuar politikisht dhe si shoqëri nga kursi i tij i vendosjes së një shteti demokratik në të cilin respektohen vlerat evropiane, kurse institucionet bëjnë punën e tyre?

– Jam dakord me Bojan Pajtiqin, i cili në filmin “Gjingjiqi- rrëfimi për Serbinë” thotë se falë tij në ndërgjegjen kolektive prapëseprapë mbijetoi bindja se ndryshimi është i mundshëm dhe se drejtësia, demokracia dhe e vërteta mund të ngadhnjejnë. Në trashëgiminë e kryeministrit të vrarë hy edhe vizioni i tij për Serbinë si një shtet normal, modern dhe evropian. Pak a shumë me konsekuencë, qoftë edhe deklarative, pas Gjingjiqit, asnjë pushtet, përfshirë edhe të tanishmin, nuk ka hequr dorë nga synimi që vendi të hyjë në Bashkimin Evropian. Çfarë ndodhi, ndërkohë? Korpusi demokratik dhe pro-evropian i partive politike ka gërryer ndjeshëm bindjen e vet dhe besimin e qytetarëve për shkak të konflikteve të ndërsjella për interesa të veçanta, partiake dhe personale me një kontribut të madh të “mangupëve nga radhët e veta”. Në këtë mënyrë u hapën gjerësisht dyertë e pushtetit për radikalët e transformuar.

Si arritëm në pikën që tani në pushtet janë njerëzit të cilët ishin jo vetëm kundërshtarë politikë të Gjingjiqit, por disa edhe iu gëzuan hapur vrasjes së tij?

– Kështu ndodh gjithmonë kur për hir të qëndrimit në pushtet, me demagogji iu qaseni epsheve të ulta. Edhe pse më së paku fajtore, as Partia Demokratike nuk është këtu plotësisht e pafajshme. Dua të them se në masë të madhe u rehabilituan vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Dhe, kur kemi shkuar tashmë kaq larg, nuk duhet shumë mend për të arritur në përfundimin se një situatë të tillë do ta shfrytëzojnë më mirë autokratët, nacionalistët, demagogët dhe antidemokratët autentikë, sesa ata që notuan nëpër ato ujëra me qëllim të përpjekjes së lirë për të fryrë rejtingun. Këta të dytët thjesht nuk ishin bindës për askënd, madje as për veten e tyre. Pastaj ishte vonë.

Si e kujtoni periudhën e qeverisjes së Gjingjiqit? Hipotetikisht, si do të ishte Serbia sot po të mos ndodhëte atentati?

– Periudhën e qeverisjes së Gjingjiqit e mbaj mend si jashtëzakonisht sfiduese dhe dinamike. Nga njëra anë, është ekstradimi i Slobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, rebelimi i armatosur i “Beretave të Kuqe”, ridefinimi i marrëdhënieve me Malin e Zi, një politikë proaktive në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë zgjidhjen e problemit të Kosovës, fillimi i luftës kundër krimit të organizuar… Në të njëjtën kohë, krahas përballjes me peshën e rëndë të viteve 1990, kjo është një periudhë edhe e reformave të mëdha, dialogut politik, zgjidhjes së problemeve të shumta e ekonomike dhe institucionale strukturore, e pritshmërive të mëdha të qytetarëve dhe e padurueshmërisë së tyre. Veçanërisht duhet të theksoj se në kohën e qeverisë së Gjingjiqit, gëzonim liri mediatike gati se të pakufizuar. Është e vështirë të thuhet se si do të ishte Serbia nëse nuk do të kishte ndodhur atenti kundër Gjingjiqit. Sigurisht se do të humbte në zgjedhjet e vitit 2004. Është e mundshme se do të kthehej në pushtet në vitin 2008. Mirëpo, Gjingjiq, si çdo politikan dhe burrështetas tjetër, mund të veprojë vetëm brenda mundësive të kohës së tij. Me fjalë të tjera, ne kurrë nuk do ta dimë se me çfarë sfidash do të ishte përballur dhe çfarë zgjidhjesh do të kishte ofruar. Mbështetur në karrierën e Gjingjiqit, duket si shumë e sigurt se ai do të përpiqej të përshpejtojë maksimalisht rrugën evropiane të Serbisë. Për të nuk do të ekzistonte dilema se çfarë duhet të bënte Serbia pas sulmit rus në Ukrainë.

Të fundit