E shtunë, 4 Maj, 2024

EVROPA PO PLAKET, GJITHNJË E MË TEPËR EDHE BALLKANI: ME Ç’MASA TË “RINOHET” POPULSIA?

Nataliteti është në rënie të vazhdueshme, kurse mortaliteti është rritur sepse në periudhën e vëzhguar ndodhi edhe pandemia, por masa afatgjata për përmirësimin e gjendjes – nuk ka.

Shkruan: Alen Jaziq*

Evropa po plaket gjithnjë e më shumë. Këtë e dëshmojnë  edhe të dhënat e fundit të Entit Evropian të Statistikave – Eurostat, të cilat krahasojnë situatën nga viti 2023 me periudhën e vitit 2013. Sipas këtyre të dhënave, mosha mesatare e popullsisë në “Kontinentin e Vjetër” aktualisht është më e larta prej se grumbullohen dhe analizohen të dhënat.

Nataliteti është në rënie të vazhdueshme, ndërsa mortaliteti është rritur për shkak se në periudhën e vëzhguar ndodhi edhe pandemia.

Eurostati publikon të dhëna për moshën e popullsisë sipas dy bazave – moshës mesatare, me të cilën dihet se sa nga popullata janë më të moshuar dhe sa më të rinj sesa shifra e përcaktuar. Krahas kësaj, analizohet edhe koeficienti i varësisë së moshës, me të cilin përcaktohet raporti i numrit të personave mbi moshën 65 vjeçe krahasuar me numrin e njerëzve të moshës për punë (15-64 vjeç).

Bashkimi Evropian më 2023, mesatarisht ishte  me moshë 44.5 vjeçe dhe gjatë dekadës së fundit u “plak” për 2.3 vjet. Në periudhën e vëzhguar, mosha mesatare e popullsisë u rrit në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, me përjashtim të Maltës, e cila u “rinua” për 0.4 vjet. Mosha mesatare më e lartë e popullsisë u regjistrua në Itali – 48.4 vjet, ndërsa më e ulëta në Qipro – 38.4 vjet. Në pesë vende të Bashkimit, mosha e dekadës së fundit u rrit për katër ose më shumë vjet – në Greqi, Spanjë, Sllovaki dhe Itali, ndërsa rekordmene  është Portugalia me 4.4 vjet.

Kosova është ‘më e reja’ në Evropë

Mosha mesatare e popullsisë në vendet kandidate dhe vendet anëtare të Asociacionit Evropian të Tregtisë së Lirë ishte më e ulët se mesatarja evropiane, me përjashtim të Lihtenshtajnit dhe Serbisë, ku ishte 45 vjet. Megjithatë, mosha mesatare po rritet edhe në vendet e rajonit tonë. Një pjesë të të dhënave nga Ballkani nuk i di as Eurostat-i, por platforma britanike “Our World in Data” publikoi në vitin 2021 të dhëna për moshën mesatare të banorëve të shteteve në botë.

Bosnja dhe Hercegovina, ku regjistrimi nuk është mbajtur që nga viti 2013, sipas këtij hulumtimi, ka një moshë mesatare prej 41.8 vjet në raport me  39.45 vjet në vitin 2013 dhe 30.2 vjet në vitin 1992. Në Kroaci, më 2021, ishte 44.3 vjet, kurse 45.4 – një vit më pas.

Në Maqedoninë e Veriut, mosha mesatare në vitin 2021 ishte 41.1 vjeç, në Mal të Zi 39.4, kurse mosha mesatare e qytetarëve në Kosovë ishte 30.5 vjeç, që ishte popullsia më e re në Evropë. Paralelisht, Vatikani kishte një mesatare prej 57.7 vjeç, dhe shteti afrikan i Nigerisë vetëm 14.5 vjet të moshës mesatare të popullsisë.

Duke vëzhguar lëvizjet e mesatares, vihet re se nuk ka lëkundje më të mëdha në vendet që në periudhën e kaluar lejuan një fluks më të konsiderueshëm të të huajve, ndaj Suedia, Irlanda, Luksemburgu dhe Gjermania ruajtën ose madje  edhe “rinuan” koeficientin e varësisë së moshës, një zë jashtëzakonisht i rëndësishëm për vitalitetin e tablosë ekonomike të shtetit, si dhe për fondet e pensioneve dhe të përgjithshme sociale të çdo shoqërie.

Popullsia përtej moshës mbi 65 vjeçe në Bashkimin Evropian vitin e kaluar  përbënte 33.4 për qind të popullsisë në raport me popullsinë e aftë për punë nga mosha 15 deri në 64 vjeç. Për një dekadë, kjo përqindje u rrit për 5.7 për qind. Koeficientët më të lartë u regjistruan në Portugali (38 për qind), Itali dhe Finlandë (në të dyja 37.8 për qind). Nga ana tjetër, koeficientet më të ulta të varësisë për nga mosha ishin në Luksemburg (21.5 për qind), Irlandë (23.2) dhe Qipro (24.7 për qind). Në Union, për dekadën në shqyrtim, rritja më e madhe e raportit të varësisë u regjistrua në Poloni 5.5 për qind, Sllovaki 4.8 për qind dhe në Kroaci 4.6 për qind.

Problemi kroat me fëmijët

Tregues negativë të Kroacisë janë edhe mos rritja e përqindjes së fëmijëve nën moshën 14 vjeçe, ndërsa përqindja e popullsisë përtej moshës 65 vjeçe arriti në 22.7 për qind (kurse 10 vjet më parë kjo ishte 18.1 për qind), dhe për nga kjo është e gjashta në BE; Sllovenia ka 21.4 për qind (që është një rritje nga 17.1 për qind në 2013), kurse Serbia 22.1 për qind (10 vjet më parë kishte 17.6 për qind). Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i përditësojnë këto të dhëna jashtë ciklit të regjistrimit, por nuk ka dyshim se edhe këtu po rriten në mënyrë rapide  negativitetet për të cilat shqetësohet Evropa.

“Duke pasur parasysh shkallën e ulët të lindshmërisë dhe faktin që popullsia e moshës së re dhe të mesme po shpërngulet, edhe tek ne po rritet koeficienti i  varësisë, përkatësisht rritet kontigjenti i personave të moshës mbi 65 vjeç në krahasim me popullsinë e re”, – konstaton demografi Aleksandar Çaviq.

Ai konsideron se përkundër praktikës prej disa dekadash, nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme lëvizjeve demografike dhe se kjo mund t’i kushtojë  shoqërisë dhe çdo shteti në këtë rajon. Pavarësisht masave të njëhershme dhe të kufizuara në kohë, kurse pa strategji të zbatuara, nuk do të ketë rezultate adekuate pozitive.

“Nuk ka një recetë individuale, as ndonjë masë të veçantë. Përgjigja e përgjithshme ndaj dukurive negative demografike është vetëm një qasje gjithëpërfshirëse dhe strategjike – nga inkurajimi i fertilitetit, përmes shëndetit të popullsisë, pastaj kujdesit për të moshuarit, deri te politika e migracionit. Këta katër faktorë duhet të jenë në çdo strategji. Tashmë kemi harxhuar shumë kohë duke kërkuar ndonjë masë magjike që do t’u japë zgjidhje problemeve shumë komplekse të shpopullimit. Masat individuale dhe qasjet ad hoc na kanë sjellë në këtë”,  – shton ai.

Procesi i ngadaltë dhe i kushtueshëm i rritjes së fertilitetit dhe arsimimit të kuadrove të nevojshëm për tregun e punës, i cili po ndryshon me shpejtësi, sjell n probleme të reja pushtetet statitke në vendet e rajonit që mendojnë vetëm për periudhën e mandatit të tyre.

“Në përgjithësi, tendencat demografike janë thellësisht të kushtëzuara nga koha dhe duhet njëfarë afati për të arritur rezultatet. Sa për ilustrim, tani mund të jepni në vit pesë miliardë të ndonjë valute për të mbështetur fertilitetin dhe kjo do të ketë ndikim në tregun e punës vetëm pas dy dekadash”, – shpjegon Çaviq.

Migrimet për mbushjen e boshllëqeve

Meqenëse përfundimi është se trendet nuk do të ndryshojnë shpejt, mbetet çështja e migrimit mbetet si një plotësim (jo)adekuat i boshllëkut gjithnjë e më të dukshëm. Bashkëbiseduesi nuk ikën nga një përfundim i tillë, vetëm se sërish angazhohet për një strategji multidisiplinare dhe aktualizon veprimin e trefishtë.

“Çmoj se ne duhet të menaxhojmë migracionin, e jo Evropa. Ne duhet të përcaktohemi në mënyrë strategjike se cilat profile arsimore na duhen – si për imigracionin ashtu edhe për emigracionin. Nuk mund t’i nënshtrohemi më pozicionit të investojmë miliarda për edukimin e njerëzve që do ta plotësojnë  tregun e punës të dikujt. Pra, një numër njerëzish duhet të mbahet, një numër i njerëzve tanë duhet të kthehen në vend, kurse pak njerëz duhet të risistemohen  në përputhje me nevojat tona, dhe jo të udhëhiqen nga slogani ‘jep çka të japësh’”.

Ndërkohë, Lihtenshtajni është vendi evropian ku jeton numri më i madh i banorëve që nuk posedon shtetësinë e këtij vendi – 34,36 për qind. Pasojnë Malta me 25.3 për qind të të huajve, Gjermania me 22,4 për qind, Austria 18,6 për qind… Në Slloveni ka 8.9 për qind, kurse në Kroaci 1.82 për qind të huaj.

Vendet e rajonit përballen me dilema të panumërta, si të harmonizojnë politikën demografike me tablonë e përgjithshme politike, në secilin shtet në veçanti, dhe në përputhje me rritjen gjithnjë e më të dukshme të së djathtës në Evropë, e cila po kanoset me mbylljen e kufijve për emigrantët nga Afrika dhe Azia? Ballkani mund të jetë një bazën i rrallë për thithjen e potencialit të mbetur njerëzor. Po çfarë do të bëjmë ne?

“Duhet të vendosim, a na duhen familje të tëra apo individë? A e dinë ata gjuhën tonë? A përputhet arsimimi i tyre apo është i ngjashëm me modelet tona arsimore? A duhet apo jo të mbështetemi në vendet me të cilat dikur kishim marrëdhënie miqësore, siç janë vendet e paangazhuara me të cilat ndanim interesat dhe dimë diçka për njëri-tjetrin… Prandaj, duhet të krijojmë disa korniza për menaxhimin e migracionit”, – thotë Çaviq.

Duket ashiqare se edhe në Ballkan ka mbërritur praktika e vazhdueshme nga Perëndimi për hartimin e planit të biznesit gjatë planifikimit të pasardhësve. Dhe për shkak të kësaj po rritet nevoja për importimin e banorëve dhe të krahut të punës.

*Shkrimi është marrë nga: https:balkans.aljazeera.net/Përktheu në shqip: kdp.mk

Të fundit