E shtunë, 18 Maj, 2024

ZELENSKY: RUSIA DO TË BËJË GJITHÇKA PËR TË DESTABILIZUAR BALLKANIN PERËNDIMOR

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ftoi sot vendet e Ballkanit që së bashku me Kievin të mund të prodhojnë armë dhe municione. Ai në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore, të mbajtur në Tiranë, paralajmëroi krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën,  njoftojnë agjencitë e lajmeve, përcjell KDP.MK. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pranoi se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus, teksa bëri thirrje që shtetet të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022. Presidenti dhe kryeminisitri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe Talat Xhaferi, të pranishëm në këtë samit, kanë shprehur mbështetjen për Ukrainën dhe aspiratat e saj euro-atlantike. Ata përgëzuan Shqipërinë për politikën e jashtme dhe organizmin e samitit për Ukrainën në Tiranë, si dhe samitin e ditës së nesërme, që do të mbahet në Tiranë mbi “Planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimin më të shpejtë në BE”. duke shtuar se ky samit “është vazhdimësi i samitit paraprak në Shkup”. Ndërkohë, gjatë këtij samiti, është nënshkruar edhe Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, i cili synon të konsolidojë miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, të mërkurën u zhvillua samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, me pjesëmarrjen e vetë Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Samiti i sotëm, i bashkëorganizuar me Kievin ishte një shprehje e mbështetjes për Ukrainën, e cila prej dy vitesh po përballet me agresionin e paprovokuar rus.

Gjatë këtij samiti, Volodymyr Zelenksy u dha një mesazh të qartë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ai paralajmëroi se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën në këtë rajon.

Samiti i sotëm është bashkim dhe mendoj se shtetet e Ballkanit sot duhet të bëhen bashkë. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën”, tha Zelensky gjatë një konference për media, pas Samitit për Ukrainën të mbajtur në Tiranë të Shqipërisë.

Ne jemi krenar që kemi mbi 500 kompani në fushën e mbrojtjes që veprojnë në Ukrainë. Po kjo nuk mjafton për të fituar. Ne shohim probleme në ofertën e municioneve, gjë e cila ndikon situatën tonë në fushat e betejës dhe jemi të interesuar për bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe partnerët tanë”, u shpreh presidenti ukrainas në fjalën e tij në hapje të samitit.

Në të njejtën linjë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se se ekziston një rrezik i qartë për Ballkanin për shkak të agresionit rus.

Ajo çfarë po ndodh atje [Ukrainë] mund të përsëritet në mënyra të ndryshme”, tha Rama, duke nënvizuar se “nëse e humbasim këtë qartësi, rrezikojmë të hyjmë në fazë të errët”.

Gjatë konferencës për media, Rama bëri thirrje që shtetet të vazhdojnë ndihmën për Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022.

Ai tha se çështje e ndihmës për Ukrainën nuk duhet të përdoret për çështje të brendshme politike në shtete të ndryshme. Megjithatë, ai tha se është i vetëdijshëm që shtetet sikurse Shqipëria, nuk mund të plotësojnë nevojat e mbrojtjes që ka Ukraina, andaj ai u bëri thirrje shteteve të mëdha dhe të pasura që të ndihmojnë Kievin.

Pjesmarrës në këtë samit ishte edhe presidenti dhe kryeminisitri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe Talat Xhaferi.

Presidenti Pendarovski ka theksuar se bashkë me aleatët e NATO-s, do të vazhdojnë ta kundërshtojnë sulmin ndaj Ukrainës së pavarur, duke kërkuar përgjegjësi për të gjithë krimet e kryera me qëllim që të sigurohet drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Sot nga Tirana, patjetër duhet të premtojmë se edhe më tej do ta ofrojmë ndihmën tonë të palëkundur, derisa nuk arrihet marrëveshje paqësore, i cili do t’i pasqyrojë aspiratat e popullit ukrainas”, porositi presidenti Pendarovski.

Sipas Pendarovskit, Maqedonia e Veriut deri më tani i ka ndarë 60 milionë euro ndihmë ushtarake, teknike dhe humanitare Ukrainës, ndërkaq aktivitetet e SHBA-së dhe BE-së për ta ndihmuar Ukrainën janë në drejtim të vërtetë.

Ndërsa kryeministri Xhaferi, përgëzoj Shqipërinë për politikën e jashtme dhe organizmin e samitit për Ukrainën në Tiranë.

“Nuk është për herë të parë është një samit i një niveli të tillë. Shqipëria është për t’u përgëzuar që në kontekstin ndërkombëtar po arrin diplomacinë ndërkombëtare dhe e ka sjellë në Tiranë, është për ta përshëndetur”, tha Xhaferi.

Teksa ishte i pranishëm në samit, Xhaferi u ndal edhe tek zhvillimet që priten të ndodhin, tha se do të vijohet puna për anëtarësimin në BE.

“Ky samit është vazhdimësi i samitit paraprak në Shkup. Është vazhdimësi e punës që ne duhet të kryejmë në relacion të përfarimit të vlerave dhe parakushteve për anëtarësimin në BE-së. Është paraparë takimi me Zelenskyn me të cilin do të firmoset deklarata e bashkëpunimit mes dy vendeve, një prej punëve është nënshkrimi i përbashkët i deklaratës”, u shpreh Xhaferi.

Gjatë këtij samiti “Ukrainë – Evropa Juglindore”, Zelensky tha se Evropa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet.

Ne kemi parë në të kaluarën që ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Evropën lindore dhe pjesë të tjera të Evropës. Tani Putini dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë e përbashkët”, tha ai.

Udhëheqësi ukrainas falënderoi shtetet e Evropës juglindore për ndihmën e ofruar për shtetin e tij në luftë, por edhe në integrimin evropian. Ai tha se të gjitha shtetet në rajon, që ndajnë vlera evropiane, duhet të integrohen.

Ai tha po ashtu se të gjitha shtetet në rajon, që kultivojnë vlerat evropiane, duhet të integrohen në

BE-ja dhe NATO-ja i kanë ofruar Evropës epokën më të gjatë dhe më të fortë të sigurisë paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne meritojmë që në fund të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe euroatlantik”, tha ai.

Ndryshe, me kryeministrin Rama, presidenti Zelensky, firmosi edhe Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës, i cili synon të konsolidojë miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Përpara se të hidhnin firmat, presidenti i Ukrainës i dorëzoi sot kryeministrit shqiptar Edi Rama “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti”, për “kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpinimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë”.

Më herët, u zhvillua dhe një takim mes ministrave të jashtë të të dy vendeve. “Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për t’i dhënë fund luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, deklaroi pas takimit ministri shqiptar Igli Hasani.

Brenda muajve të ardhshëm, siç njoftoi ministri i Jashtëm shqiptar, pritet të hapet në Kiev dhe ambasada e Shqipërisë. “Jemi në fazën e përgatitjeve teknike”, shpjegoi zoti Hasani.

Nga ana e tij shefi i diplomacisë ukrainase Dmytro Kuleba falenderoi Shqipërinë për mbështetjen e ofruar në shumë drejtime, duke u ndalur veçanërisht në rolin e saj gjatë mandatit dy vjeçare si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria po ashtu vlerësohet nga Kievi dhe si një anëtare e Nato-s, ku Ukraina kërkon të bëhet anëtare.

Në samit morën edhe udhëheqës tjerë të Ballkanit Perëndimor.

Liderët nga Ballkani Perëndimor dhe disa shtete të Evropës Juglindore diskutuan në samit për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Ukrainës kundër pushtimit rus.

Samiti u mbajt prapa dyerve të mbyllura dhe vetëm pjesa e fjalimeve fillestare ishte e hapur për publikun.

Në samit është diskutuar për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

 

 

 

 

 

Të fundit