E mërkurë, 15 Maj, 2024

STOLTENBERG: NATO NUK PLANIFIKON DËRGIMIN E TRUPAVE NË UKRAINË

NATO nuk planifikon të dërgojë trupa tokësore në Ukrainë, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron tha se asgjë nuk mund të përjashtohet, njoftojnë agjencitë e lajmeve, përcjell KDP.MK.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar ndaj raportimeve se disa vende perëndimore mund të konsiderojnë dërgimin e personelit ushtarak në Ukrainë. 

I pyetur nga agjencia e lajmeve “The Associated Press” mbi mundësinë e dërgimit të forcave perëndimore, Stoltenberg tha se “nuk ka plane për dërgimin e trupave luftarake të NATO-s në Ukrainë”, shtoi ai.

Shefi i NATO-s, i tha gjithashtu agjencisë “The Associated Press” se “ajo që po ndodh është agresion i Rusisë ndaj Ukrainës, në shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Sipas parimeve ndërkombëtare, Ukraina ka të drejtë të vetë-mbrohet dhe ne kemi të drejtën ta mbështesim atë në mbrojtjen e kësaj të drejte”.

NATO-ja si aleancë nuk e furnizon Ukrainën me mjete luftarake, por e mbështet me pajisje mjekësore, uniforma dhe pajisje për periudhën e dimrit. Por disa vende anëtare të NATO-s kanë dërguar armë dhe municione përmes marrëveshjeve bilaterale, apo shumëpalëshe. Çdo vendim që NATO-ja të dërgojë trupa duhet të mbështetet në mënyrë të njëzëshme nga të gjitha vendet anëtare.

Presidenti francez tha të martën se “asnjë konsensus” nuk ekziston për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë”.

Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme që Rusia të mos e fitojë këtë luftë”, tha udhëheqësi i Francës, gjatë një takimi në Paris. Ndërsa nënvizoi se “tani për tani nuk ka konsensus” për dërgimin e trupave, ai tha se “asnjë mundësi nuk duhet përjashtuar”.

Udhëheqësi francez kishte pritur në Paris, në një samit, liderët e kontinentit.

Aty, udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, për të mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar pushtimin e nisur nga Rusia.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, dhe udhëheqësit nga shtetet e Baltikut po ashtu morën pjesë në samit që zgjati deri në hënën mbrëma.

Qeveria gjermane e përjashton dërgimin e trupave tokësore

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka hedhur poshtë qartë planet e presidentit francez Emmanuel Macron për të dërguar trupa perëndimore në Ukrainë. Edhe për të ardhmen vlen se “nuk do të ketë trupa tokësore, nuk do të ketë ushtarë në tokën ukrainase të dërguar atje nga shtetet evropiane ose shtetet e NATO-s”, tha Scholz.

Ministri Federal i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) shprehu një mendim të ngjashëm.”Trupat në terren” nuk është një opsion për Republikën Federale të Gjermanisë,” tha Pistoriusi. Kreu i grupit parlamentar të SPD, Rolf Mützenich e kritikoi Macronin për deklaratat e tij në lidhje me trupat e mundshme tokësore: “Arti i qeverisjes nuk konsiston në fjalë të forta, por tregohet në mbështetje konkrete dhe, në të njëjtën kohë, në aftësinë për të marrë parasysh rreziqet e përshkallëzimit, të qenësishme në çdo luftë“.

Të Gjelbrit gjermanë nuk janë gjithashtu në favor të vendosjes së trupave tokësore. Zëvendëskancelari Robert Habeck shpjegoi se ka qenë gjithmonë e qartë se ky nuk ishte një opsion. Në fillim të një takimi me dyer të mbyllura të grupit parlamentar në Leipzig, kjo partia kërkoi sërish dërgimin e raketave Taurus.

Polonia, Çekia dhe Suedia nuk duan të dërgojnë trupa tokësore

Krerët e qeverive të Polonisë dhe Republikës Çeke kanë shprehur skepticizëm për idenë e vendosjes së trupave tokësore perëndimore në Ukrainë. Polonia nuk planifikon të dërgojë njësitë e veta, deklaroi kryeministri polak Donald Tusk pas një takimi me homologun e tij çek Petr Fiala në Pragë. Ai deklaroi se fokusi sot duhet të jetë në ofrimin e mbështetjes maksimale Ukrainës në përpjekjet e saj ushtarake kundër pushtimit rus. Ai tha se për momentin nuk dëshironte të spekulonte, nëse ky pozicion mund të ndryshojë në të ardhmen në rrethana të caktuara.

Kryeministri Fiala shprehu të njëjtin mendim. “Nuk ka nevojë të kërkojmë rrugë të reja”, theksoi politikani liberal-konservator. Ai iu referua një nisme të qeverisë së tij për të blerë municion artilerie nga vendet e treta dhe për t’i dorëzuar ato në Kiev në bashkëpunim me shtetet e tjera evropiane, si Holanda.

Tusku theksoi se nëse të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të ishin po aq të përkushtuar sa Republika Çeke dhe Polonia, nuk do të kishte nevojë të diskutohej për forma të tjera mbështetjeje. Sipas deklaratave të saj, Republika Çeke nuk po shqyrton dërgimin e ushtarëve në Ukrainë. Këtë kryeministri Petr Fiala e deklaroi për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson e ka përshkruar vendosjen e mundshme të ushtarëve perëndimorë në Ukrainë si “jo temë” për momentin. Duke iu përgjigjur një deklarate të presidentit francez Emmanuel Macron, Kristerssoni i tha transmetuesit suedez SVT: “Nuk është aspak një temë për momentin“. Për momentin, “ne jemi të zënë me dërgimin e pajisjeve të avancuara në Ukrainë“.

Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në samit me diplomatin kryesor për Evropë, James O’Brien, ndërkaq në samit mori pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron. ​

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që iu adresua samitit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

Evropa do të ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativën dhe të veprojë së bashku në një kohë kur ka pasiguri në SHBA sa i përket ndihmës”, tha Macron, duke shtuar se në mesin e udhëheqësve që morën pjesë në samit kishte “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe në mënyrë më të shpejtë”.

Ideja për dërgimin e trupave në terren, ka qenë një tabu deri më tani, veçanërisht pasi NATO-ja synon të shmangë përfshirjen në shkallë më të gjerë në luftë me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.

Kremlini paralajmëroi sot se konflikti mes Rusisë dhe NATO-s së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, do të ishte i pashmangshëm nëse vendet e NATO-s do të dërgonin trupa për të luftuar në Ukrainë.

Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Të fundit