E enjte, 16 Maj, 2024

RADEVI KUNDËR MACRONIT: NATO NË UKRAINË – FILLIM I LUFTËS BËRTHAMORE

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka kundërshtuar idenë e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, për vendosjen e ushtarëve të NATO-s në Ukrainë, si një hap drejt ndihmës për këtë vend që përballet me agresionin ushtarak të Rusisë nga 24 shkurti i vitit 2022, raporton KDP.

“Dislokimi, megjithëse në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe, i trupave nga pala e NATO-s në Ukrainë do të thotë një përplasje globale. Do të thotë një rritje enorme e rrezikut të konfliktit bërthamor”, ka thënë Radev dhe ka shtuar:”Ne do të bëjmë gjithçka të nevojshme për të siguruar që Rusia nuk do të jetë në gjendje të fitojë këtë luftë”.

“Unë besoj se liderët evropianë do të tregojnë mjaft sens dhe një qasje shumë të ekuilibruar në mbështetjen e Ukrainës, në mënyrë që të mos arrijmë një përshkallëzim të jashtëzakonshëm, të mos arrijmë rrezikun e Luftës së Tretë Botërore dhe një konflikti bërthamor”, shtoi kreu i shtetit bullgar.

Sipas tij, problemi i madh është se po i mbarojnë njerëzit në fushën e betejës.

Siguria, shëndeti dhe jeta e qytetarëve bullgarë duhet të jenë prioriteti kryesor, theksoi Radev

“Po ndjekim me interes dhe shqetësim të pa maskuar takimin në Paris të liderëve europianë, ku po fillon të testohet opinioni publik për dërgimin e trupave në vende të veçanta. Sepse të gjithë e shohim se strategjia për të dhënë gjithnjë e më shumë armë nuk po jep rezultate dhe këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse problemi i madh nuk është më te armët”, ka theksuar Radev.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Nikolai Denkov që të japë më shumë sqarime në lidhje me gatishmërinë e tij të deklaruar për një marrëveshje dypalëshe sigurie midis Ukrainës dhe Bullgarisë.

“Apeli im është me të vërtetë me një qasje të balancuar të konsideruar me shumë kujdes. Ne nuk mund ta lëmë Ukrainën të vetme, sepse kjo do të thotë të kompromentojmë besimin në parimet dhe vlerat tona dhe në të drejtën ndërkombëtare, në të drejtën e çdo vendi për të mbrojtur sovranitetin, lirinë dhe pavarësinë e tij, por gjithashtu nuk mund të lejojmë veprime të pamatura që çojnë në konflikti ushtarak global. Pra, presim zgjidhje të balancuara, një qasje të arsyeshme, veçanërisht nga qeveria bullgare”, komentoi kreu i shtetit bullgar, Rumen Radev.

Ndryshe, Macron tha se nuk e përjashton dërgimin e forcave tokësore franceze në Ukrainë. Asgjë nuk përjashtohet për të penguar fitoren e Rusisë në Ukrainë, tha presidenti francez pas përfundimit të konferencës për ndihmën e Ukrainës të mbajtur me 26 shkurt në Paris.

Në takimin e më shumë se 20 krerëve të shteteve dhe qeverive, ku mori pjesë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, nuk pati një qëndrim të përbashkët në lidhje me dërgimin eventual të forcave tokësore. Por, siç tha Macron, asgjë nuk mund të përjashtohet në rrjedhën e ardhshme të luftës.

“Sot nuk ka konsensus për dërgimin e forcave tokësore, por asgjë nuk mund të përjashtohet”, tha Macron. “Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të siguruar që Rusia të mos e fitojë këtë luftë.”

Shumë njerëz që sot thanë “kurrë, kurrë” janë të njëjtët ata që dy vjet më parë thanë “kurrë, kurrë tanke, kurrë, kurrë aeroplanë, kurrë, kurrë raketa me rreze më të gjatë”, kujtoi presidenti francez dhe shtoi, se sot të gjithë po dërgojnë tanke e raketa. “Pra, çdo gjë është e mundur nëse duam të arrijmë qëllimin tonë.”

“Konkludimi i përgjithshëm i konferencës është se siguria e të gjithë neve është në rrezik”, tha Macron në fillim të konferencës. Rusia, thotë ai, po bëhet më e ashpër – politikisht dhe në frontin e luftës në Ukrainë, ku kërcënojnë sulmet e reja ruse.

Humbja e Rusisë, beson ai, është e nevojshme për stabilitetin dhe sigurinë në Evropë. Kjo është arsyeja pse ata që mbështesin Ukrainën duhet të bëjnë edhe më shumë përpjekje. “Ne jemi në procesin e vendosjes së sigurisë sonë për sot dhe nesër”, tha Macron dhe shtoi: “Ne nuk duam të hyjmë në luftë me popullin rus”.

Para nisjes për takimin në Paris, kryeministri sllovak Robert Fico paralajmëroi për një “përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve” me Rusinë. Disa vende, të cilat ai nuk donte t’i përmendte, me sa duket ishin gati të dërgonin ushtarët e tyre direkt në Ukrainë. Kjo, megjithatë, nuk do ta bindte Rusinë të dorëzohej, thotë Fico, por do të rriste rrezikun e përhapjes së konfliktit.

I pyetur për dislokimin e mundshëm të ushtrisë nga Polonia, Macron tha pas konferencës se çdo vend mund të vendosë në mënyrë të pavarur dhe sovrane për dislokimin e forcave tokësore.

Në takim u vendos që të formohet një koalicion për furnizimin e Ukrainës me raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë për sulme shumë larg prapa linjave ruse, njoftoi presidenti francez.

Në afat të shkurtër duhet të sigurohen municione shtesë për Ukrainën. Ndër të tjera, është rënë dakord edhe për iniciativat për mbrojtjen kibernetike, për prodhimin e përbashkët të armëve, kapaciteteve ushtarake dhe municionit në Ukrainë, si dhe mbrojtjen e vendeve që janë drejtpërdrejt të kërcënuara nga ofensiva ruse në Ukrainë, veçanërisht Moldavia.

Macron tha gjithashtu se vendet e mbledhura duan të mbështesin Ukrainën me forca “jo-ushtarake” në kufirin e saj me Bjellorusinë. Këztu bëhet fjalë për nxjerrjen dhe çaktivizimin e minave.

Të fundit