E shtunë, 27 Korrik, 2024

PLAGOSET KRYEMINISTRI I SLLOVAKISË, ROBERT FICO

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është plagosur në një incident me të shtëna pas një takimi të Qeverisë në afërsi të Bratislavës, raporton televizioni sllovak TA3.

Incidenti ndodhi në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit.

I dyshuari është arrestuar, sipas TA3.

Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.

Një person arrestohet pas incidentit me të shtëna ku u plagos kryeministri sllovak, Robert Fico, në Handlova, Sllovaki, 15 maj 2024. (Reuters / Radovan Stoklasa)

Nuk dihet sa rëndë mund të jetë plagosur Fico. Ai u dërgua menjëherë në spital, raportoi TASR, duke e cituar Blahan.

Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.

Ata shtuan se zyrtarët e sigurisë e futën një person në një veturë dhe u larguan me shpejtësi.

I arrestuari besohet se është i dyshuari që shtiu mbi kryeministrin, megjithëse kjo nuk është konfirmuar nga policia lokale.

Zyra e kryeministrit nuk e ka komentuar rastin ende./REL/

Të fundit